Një fjalim në Kiev i Friedrich Merz, liderit të opozitës konservatore gjermane ka hapur diskutime mbi nevojën që vendet evropiane të marrin iniciativën për të hartuar një plan të tyre të paqes për Ukrainën, duke anashkaluar potencialisht planin e propozuar nga Donald Trump.
Gjatë vizitës së tij në kryeqytetin ukrainas, Merz bëri thirrje për një “vizion të përbashkët evropian” për përfundimin e konfliktit Ukrainë-Rusi. Ai sugjeroi krijimin e një grupi të ri kontakti mes aleatëve evropianë të Ukrainës, përfshirë Gjermaninë, Francën, Britaninë e Madhe dhe Poloninë, për të koordinuar një strategji të përbashkët paqeje, të pavarur nga idetë e Shteteve të Bashkuara.
“Me ndryshimin e pushtetit në SHBA, mund të kemi një situatë të re dhe duhet të përgatitemi për të. Duhet të krijojmë një strategji të përbashkët brenda Evropës,” deklaroi Merz, duke nënkuptuar qartësisht pasiguritë që mund të sjellë një presidencë e re Trump.
Mbështetja nga Zelensky
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, e mbështeti idenë e Merzit për krijimin e një grupi të tillë kontakti. “Diskutuam nevojën për të rritur ndihmën ushtarake dhe për të forcuar pozitat tona për arritjen e një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme,” shkroi Zelensky në platformën X (ish-Tëitter). Ai sugjeroi gjithashtu përfshirjen e Danimarkës në këtë grup, duke theksuar rëndësinë e forcimit të mbrojtjes ukrainase përmes raketave me rreze të gjatë dhe zgjerimin e ftesës për anëtarësim në NATO.
Frika nga plani i Trumpit
Deklaratat e Merzit vijnë në një kohë kur ish-presidenti amerikan Donald Trump ka paralajmëruar se do ta përfundojë luftën “brenda 24 orësh” nëse rikthehet në detyrë. Sipas raportimeve, ekipi i tij ka hartuar një plan paqeje që përfshin ngrirjen e vijave aktuale të frontit dhe krijimin e një zone të demilitarizuar, ndërsa anëtarësimi i Ukrainës në NATO do të përjashtohej.
Kjo ka shkaktuar shqetësime në Evropë, pasi një marrëveshje e tillë mund të favorizojë Rusinë dhe të legalizojë pushtimet e saj territoriale. Zelensky ka deklaruar se synon të diskutojë çështjen e anëtarësimit në NATO me presidentin aktual të SHBA-së, Joe Biden, ndërsa e la të hapur mundësinë për të biseduar me Trumpin në të ardhmen.
Jamie Shea, ish-ndihmës sekretar i përgjithshëm për Çështjet e Sigurisë në NATO, tha për Newswweek se NATO nuk do të përpiqet të veprojë kundër Shteteve të Bashkuara, por do të kërkojë të punojë në harmoni me çdo plan të Trumpit. Sipas tij, NATO nuk është një organizatë që drejton negociata politike, por ka precedentë për krijimin e grupeve konsultative për të koordinuar qëndrimet e aleatëve.
Shea e mbështeti idenë e Merzit për një grup të kontaktit, duke përmendur shembuj të ngjashëm historikë si Marrëveshja e Daytonit për Bosnjën në vitin 1995, ku fuqitë evropiane ishin të përfshira në bisedimet e ndërmjetësuara nga SHBA. “Evropa dëshiron të tregojë se ka një vend në tryezë,” tha ai, duke theksuar rëndësinë e një koordinimi të ngushtë mes aleatëve.
Një e ardhme e paqartë
Pavarësisht mbështetjes për një plan të ri evropian, mbetet e paqartë se si mund të funksionojë ky proces nëse Trump rikthehet në Shtëpinë e Bardhë. Ndërkohë, NATO pritet të përqendrohet jo vetëm në arritjen e një paqeje të përhershme në Ukrainë, por edhe në kufizimin e kërcënimeve të mundshme nga Rusia në të ardhmen.
Shea përfundoi duke nënvizuar rëndësinë e një strategjie afatgjatë për sigurinë evropiane: “Nuk bëhet fjalë vetëm për Ukrainën, por për të parandaluar një qëndrim konfrontues afatgjatë me Rusinë që kërcënon stabilitetin e Evropës dhe sigurinë globale.”
Kjo iniciativë e re e propozuar nga Friedrich Merz dhe e mbështetur nga Zelensky shënon një përpjekje për t’i dhënë Evropës më shumë rol dhe pavarësi në vendimmarrjen për Ukrainën. Megjithatë, dinamika ndërkombëtare dhe ndryshimi i mundshëm i administratës amerikane mbeten faktorë kyç që do të ndikojnë në rrjedhën e mëtejshme të konfliktit.
LEXONI GJITHASHTU:
- Kremlini: Sulmi me raketë balistike në Ukrainë ishte paralajmërim për Perëndimin
- Reagon për herë të parë Kremlini pas fitores së Donald Trump