Autoritetet ruse ndaluan kritikun e Kremlinit Alexei Navalny, pak pasi ky mbërriti të dielën në Moskë.
Zëdhënësja e Navalny-it, Kira Yarmysh, shkroi në Twitter se oficerët e policisë nuk dhanë shumë shpjegime. Sipas saj, 44-vjeçarit iu mohua qasja e avokatit, i cili ishte me të në udhëtim. Ajo publikoi edhe momente të përballjes me oficerët.
Задержание Алексея pic.twitter.com/q3mq4VZgBG
— Кира Ярмыш (@Kira_Yarmysh) January 17, 2021
Agjencia Franceze e Lajmeve (AFP) raportoi se avioni me të cilin ai po udhëtonte, pritej të zbriste në aeroportin Sheremetyevo, një nga katër aeroportet që ka Moska.
Dhjetëra mbështetës të Navalny-it ishin mbledhur atje në pritje të tij, mirëpo gjatë fluturimit avioni ndryshoi destinacion duke u ulur në aeroportin Vnukovo.
Fillimisht piloti i avionit njoftoi për 30 minuta vonesë për shkak të “kushteve teknike”, përpara se të lajmëronte sërish se avioni do t’i drejtohej Sheremetyevos dhe jo Vnukovos, raportoi një gazetar i AFP-së që ndodhej në bord.
Udhëheqësi i opozitës ruse deklaroi të mërkurën se do të kthehej në vendlindje. Një ditë më vonë Shërbimi Penal i Federatës Ruse (FSIN) tha se kishte lëshuar urdhër arresti për Navalny-in pasi ai nuk kishte raportuar në zyrën e saj në lidhje me një dënim me kusht që ka marrë për një çështje të rreth shtatë viteve më parë.
FSIN e pati paralajmëruar Navalny-in në muajin dhjetor se ai përballej me burg nëse nuk raportonte te kjo zyrë në lidhje me dënimin për përvetësim fondesh dhe pastrim parash nga një shoqatë që drejtonte dikur 44-vjeçari. Këtë dënim me shërbim prove, Navalny e ka konsideruar gjithmonë si dënim politik, ndërkohë që Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut e ka konsideruar të paligjshëm.
Shërbimi i burgut, i cili ka kërkuar nga një gjykatë e Moskës që ta kthejë dënimin me kusht prej 3 vitesh e gjysmë të Navalny në dënim të plotë deklaroi se “është i detyruar të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për të ndaluar Navalny-in në pritje të vendimit të gjykatës”.
Masat e sigurisë në aeroportin e Vnukovës u rritën të dielën, me disa furgonë të transportit të të burgosurve të parkuar jashtë. Ato u publikuan nga zëdhënësja e Navalny-it, Yarmysh në Twitter.
«Никому не интересный блогер» возвращается в Россию. Заборы в аэропорту, автозаки, запрет на вход в здание без билета, люди, согнанные встречать Бузову (кому вообще в голову пришла эта безумная идея?!) pic.twitter.com/XGidV0BUnV
— Кира Ярмыш (@Kira_Yarmysh) January 17, 2021
Më 20 gusht 2020, Navalny ra në koma ndërsa ishte në bordin e një avioni në fluturim nga Siberia në Moskë. Ai u transferua nga një spital në Siberi në një në Berlin dy ditë më vonë.
Laboratorët në Gjermani, Francë dhe Suedi dhe testet nga Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike, vërtetuan se ai ishte i ekspozuar ndaj një agjenti nervor Noviçok (Novichok) të epokës Sovjetike.
Navalny ka akuzuar për helmimin presidentin rus Vladimir Putin, por ky i ka hedhur poshtë disa herë akuzat.
Lexoni gjithashtu:
Kreu i opozitës ruse Alexei Navalny kthehet në Moskë pas helmimit me agjent nervor