Vaksina anti-COVID e kompanisë amerikane “Moderna” është e dyta që aprovohet nga Bashkimi Evropian për përdorim emergjent.
Aprovimi zyrtar nga blloku ka ardhur pasi Agjencia Evropiane e Barnave ka dhënë dritën jeshile për medikamentin e prodhuar dhe testuar nga Moderna.
Sipas agjencisë, vaksina duhet të përdoret në persona që janë mbi 18 vjeç.
Vaksina e Moderna-s është e dyta e rekomanduar për përdorim nga Agjencia Evropiane e Barnave, pas asaj të kompanive partnere Pfizer dhe BionTech.
Aprovimi zyrtar i vaksinës në vendet evropiane është bërë i ditur nga komisionerja e shëndetësisë së Bashkimit Evropian në një postim në Twitter.
“Vaksina anti-COVID nga Moderna është aprovuar për përdorim emergjent nga Komisioni i Bashkimit Evropian. Tani duhet të fillojë vaksinimi i shpejtë. Ndërkohë, durimi, vigjilenca dhe vetë-disiplina janë thelbësore për të mbrojtur njëri-tjetrin”, tha Stella Kyriakides, komisionere e shëndetësisë në BE.
Gjithashtu Komisioni Evropian ka bërë me dije se më shumë vaksina do të vijnë gjatë periudhës në vijim derisa të mjaftojnë për të gjithë qytetarët e bllokut.
Lexoni gjithashtu:
Italia gati të prodhojë vetë vaksinën kundër Covid-19
Studimi, 1 në 50 persona në Britani është infektuar gjatë një jave