Një shtetas shqiptar, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet franceze si bashkautor i sulmit terrorist në bulevardin “Promenade des Anglais”, Nice, Francë në 2016, është vënë në pranga nga autoritetet italiane në sajë të një operacioni ndërkombëtar me pjesëmarrje edhe të Antiterrorit shqiptar.
Policia e shtetit përmes një njoftimi zyrtar bën me dije se është arrestuar shtetasi Endri Blliku (Elezi), 29 vjeç, lindur dhe banues në Peqin.
“Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet franceze si bashkautor i sulmit terrorist të ndodhur në datën 14.07.2016, në bulevardin “Promenade des Anglais”, Nice, Francë, ku një person i identifikuar si Mohamed Lahouaiej Bouhlel, duke ngarë një kamion 19-tonësh, e ka drejtuar atë përmes turmës së njerëzve që po ecnin rrugës së bulevardit ku po zhvilloheshin festimet e pavarësisë së Francës, duke shkaktuar vdekjen e 86 personave dhe plagosjen e dhjetëra të tjerëve. Gjatë kontrollit në kamion janë gjetur armë dhe municione. Shtetasi Endri Elezi dyshohet si personi që ka furnizuar me armë autorin e sulmit”, bën me dije policia.
Pas një pune disamujore, falë shkëmbimit të shpejtë të informacionit duke koordinuar punën mes Policisë shqiptare, franceze dhe atë italiane, u bë i mundur lokalizimi dhe më pas arrestimi i këtij shtetasi, në Caserta, Itali.
Endri Blliku, me qëllim fshehjen dhe shmangien nga kapja, ka ndryshuar disa herë gjeneralitetet e tij nga Endri Elezi në Juxhino Elezi, Xhino Elezi dhe përfundimisht në Endri Blliku.
Sulmi i 14 korrikut 2016 që la 86 të vrarë dhe rreth 500 të plagosur, ishte një nga ngjarjet më tronditëse në Evropë, e cila u lidh me Shtetin Islamik në Siri.
Prokurorët e anti-terrorit dërguan vitin e shkuar në gjyq të paktën nëntë persona të lidhur me ngjarjen.