Biden njofton përmbylljen e misionit ushtarak në Irak brenda vitit
Presidenti Joe Biden tha të hënën se misioni amerikan në Irak do të përmbyllet brenda këtij viti, njoftim i cili pasqyron më tepër realitetin në terren, sesa ndonjë ndryshim në politikat e jashtme të vendit.
Edhe përpara se Biden të bëhej president, fokusi kryesor i SHBA ishte ndihma e forcave irakiane, e jo luftimi në emër të tyre, dhe Biden nuk tha nëse planifikonte të reduktonte trupën prej 2,500 ushtarësh në Irak.
Lajmërimi vjen në një kohë kur Biden gjithashtu vendosi të tërheqë gjithë forcat amerikane nga Afganistani, rreth 20 vite pasi SHBA nisi luftën si kundërpërgjigje e sulmeve të 11 shtatorit.
Për vite me radhe, trupat amerikane kanë pasur role mbështetëse si në Irak ashtu edhe në Siri, ku qe dhe origjina e Shtetit Islamik që pushtoi troje nga të dyja këto shtete në 2014, e që më pas detyroi SHBA të dërgonte edhe më shumë trupa.
Biden tha se ushtria amerikane do vazhdojë të ndihmojë Irakun në luftën kundër Shtetit Islamik, ose siç njihet më gjerësisht ISIS.
“Lufta jonë e përbashkët kundër ISIS është jetike për stabilitetin e rajonit dhe operacionet tona të anti-terrorit do të vazhdojnë, edhe pse do të zhvendosemi drejt një faze të re për të cilën do të flasim”, tha Biden.
Qeveria irakiane shpalli fitoren kundër Shtetit Islamik në 2017, por kjo e fundit, edhe pse ka mbetur veçse një hije e asaj që ishte vite më parë, ende tregon se është e aftë të kryejë sulme të rrezikshme. Javën e shkuar, grupi mori përgjegjësi për një sulm në tregun e Bagdadit ku humbën jetën 30 persona.
Kryeministri irakian gjithashtu bëri të qartë gjatë udhëtimit të tij në Uashington se ka ardhur koha që SHBA të reduktojë misionin.
“Nuk ka nevojë për trupa të huaj në tokën e Irakut”, tha al-Kadhimi fundjavën e shkuar.
Misioni amerikan i trajnimit dhe këshillimit të forcave irakiane përkon me një vendim të ish-presidentit Barack Obama, i cili në 2014 dërgoi sërish trupa në Irak, si kundërpërgjigje ndaj pushtimit nga ISIS të një pjese të konsiderueshme të Irakut dhe rrezikut që i kanosej vendit nga afrimi i tyre drejt Bagdadit.
Prej shumë vitesh, zyrtarët e Pentagonit janë përpjekur të gjejnë ekuilibrin e duhur mes asaj që e shohin si prani e nevojshme ushtarake për të ndihmuar qeverinë irakiane në luftën kundër ISIS, e nga ana tjetër ndjeshmërisë politike në Irak kundrejt prezencës së një trupe të huaj ushtarake në territorin e tyre.
LEXONI GJITHASHTU:
Tajani: Është SHBA-ja ajo që “duhet ta ndalojë Izraelin” për paqen në LM
SHBA tërheq trupat nga Lituania
Irani shënjestron anijen amerikane në Gjirin e Omanit! Araghchi: Nëse Izraeli sulmon Bejrutin, rifillon lufta
- 23:16 Mot i keq në Shkodër, autoritetet apel qytetarëve: Shmangni zonat me risk
- 23:07 “Opozitë e krimit”! Protestuesit nga selia e PS-së shkojnë para selisë së PD-së
- 22:35 Tajani: Është SHBA-ja ajo që “duhet ta ndalojë Izraelin” për paqen në LM
- 22:33 SHBA tërheq trupat nga Lituania
- 22:28 Qytetarët bllokojnë rrugën pranë selisë së PS-së, thirrje të rinjve: Ngrihuni nga kafet
- 22:27 Irani shënjestron anijen amerikane në Gjirin e Omanit! Araghchi: Nëse Izraeli sulmon Bejrutin, rifillon lufta