Teksa fabrikat po mbyllen dhe nuk ka më automjete në rrugë, megaqytetet e Indisë niveli prodhues është më i ulët se kurrë. Rezultati? Qytetarët po shijojnë qiellin e kaltër ndërsa reja e rëndë e smogut po zhduket.
Pandemia e coronavirusit po ndihmon në mënyrë indirekte në përmirësimin e cilësisë së ajrit. Zakonisht, rrugët më parë ishin të tej mbushura me automjete, autobusë dhe motoçikleta, por teksa Nju Delhi dhe të paktën 75 qarqe të tjera janë në shtetrrethim, rrugët janë zbrazur dhe banorët rrëfejnë se edhe frymëmarrja është më e lehtë.
Niveli i ndotjes së ajrit në kryeqytetin financiar të Indisë, Mumbai, ka shënuar 90 në Indeksin e Cilësisë së Ajrit, kundrejt shifrës 153 të regjistruar në të njëjtën kohë vitin e shkuar, raporton Reuters. Në Nju Delhi, një megaqytet me një popullsi prej 26.7 milion banorësh, niveli ka rënë në 93 kundrejt 161 në mars të 2019. Cilësia e ajrit kategorizohet si e mirë kur shifrat janë nën 50.
India është vendi i tretë më i ndotur në botë dhe ndiqet më pas nga Bangladeshi dhe Pakistani. Rënia e ndotjes së ajrit është gjerësisht për shkak të “reduktimit të madh të qarkullimit rrugor të automjeteve”, thotë Dr Gufran Beig, drejtori i një projekti në agjencinë qeveritare të mbikëqyrjes së mjedisit.
Pavarësisht lajmit të mirë, “disa prej burimeve të emetimeve, si prodhimi i energjisë dhe përdorimi i energjisë nga popullata, nuk kanë gjasë të ulen veçanërisht nëse më shumë njerëz qëndrojnë në shtëpi”, thotë Vincent-Henri Peuch drejtori i Shërbimit të Vrojtimit të Atmosferës Kopernikus.
India nuk është i vetmi shtet që ka parë përmirësim të cilësisë së ajrit. Kur coronavirus u shfaq për herë të parë në Kinë në dhjetor, NASA vërejti një rënie të madhe të ndotjes në provincën e Hubeit. Në mars të këtij viti, drejtori trafikut spanjoll tha se ishte regjistruar një ulje prej 14 për qind e trafikut në Madrid dhe në Itali niveli i dyoksidit të azotit në Milano dhe qytete të tjera të Italisë veriore ka rënë rreth 40 për qind.
Lexoni gjithashtu:
Coronavirus: Mjedisi falenderon njerëzimin në karantinë
Pastrohen kanalet e Venecias pas largimit të turistëve