Gjermania raportoi 1.244 vdekje nga COVID në një ditë, rekord që nga rënia e pandemisë. Sipas presidentit të institutit “Robert Koch”, ka mundësi që situata në Gjermani të bëhet edhe më keq, për shkak të mutacioneve të reja të virusit.
Rrjedhimisht, autoritetet i bëjnë thirrje qytetarëve të shmangin udhëtimet e panevojshme, në mënyrë që të përmbajnë përhapjen e varianteve të coronavirusit sa më shumë të jetë e mundur.
“Nuk mund ta vlerësojmë ende ndikimin e këtyre varianteve tek situata në Gjermani, por ato mund të gjejnë terren dhe të çojnë në intensifikimin e rasteve brenda pak kohe. Ndaj situata mund të përkeqësohet. Për këtë arsye është me rëndësi që masat të zbatohen në mënyrë sistematike. Duhet ta parandalojmë përhapjen e këtyre varianteve”, tha Lothar Wieler, drejtor i institutit “Robert Koch”.
Franca ndërkohë do të përforcojë armëpushimin në vend nga 6 e pasdites, duke filluar nga e shtuna për të ndaluar përhapjen e virusit, që masë që sipas kryeministrit Jean Castex do të qëndrojë në fuqi për 15 ditë.
“Kjo masë bazohet në një logjikë për parandalimin e epidemisë. Ajo na lejon të avancojmë përgjigjen tonë dhe të shmangim masa më të ashpra, të cilat i provuam dy herë vitin e kaluar”,tha Castex.
Spanja raportoi 35 mijë e 878 raste infektimi dhe 201 vdekje në 24 orët e fundit. Shifrat vijojnë të rriten dita ditës dhe vendi Iberik ka kaluar sërish kuotën e 500 rasteve për 100 mijë banorë në 14 ditët e fundit.
Portugalia ka raportuar 10 mijë e 700 infeksione një ditë para se vendi të nisë masat e reja kufizuese që pritet të zgjasin një muaj, në përpjekje për të frenuar valën e tretë të pandemisë.
Frika për përhapjen e variantit të COVID të konstatuar në Brazil ka detyruar qeverinë britanike të ndalojë fluturimet nga Portugalia dhe Amerika e Jugut.
Edhe Suedia raportoi të enjten një numër rekord vdekjesh nga COVID në një ditë të vetme, duke e çuar totalin mbi 10 mijë, edhe pse infeksionet po bien.