Kongresi amerikan ka nisur një seancë të përbashkët për të konfirmuar Joe Biden si presidentin e ardhshëm të Shteteve të Bashkuara.
Seanca u pezullua rreth pesëmbëdhjetë minuta pas nisjes pas kundërshtimeve mbi rezultatin e Arizonës.
Pritet që seanca të vazhdojë gjatë mbrëmjes teksa republikanët janë shprehur se do të kundërshtojnë rezultatin e gjashtë shteteve fushëbetejë.
Presidenti në ikje Donald Trump pretendon për mashtrim elektoral gjatë zgjedhjeve të 3 nëntorit por nuk ka dhënë fakte për të mbështetur akuzat e tij.
Republikanët janë përpjekur të përmbysin rezultatin në disa shtete të rëndësishme përmes gjykatave, por pa sukses.
Biden fitoi 306 vota në Kolegjin Elektoral dhe pritet që inaugurimi i tij të mbahet më datë 20 janar.
“Një ditë e trishtë për vendin”
Me nisjen e seancës, Trump mori pjesë në një protestë masive në Uashington ku u zotua “se nuk do ta pranojë kurrë rezultatin”, ndërsa u shpreh se zv-presidenti Mike Pence ka fuqinë që të shtyjë konfirmimin duke kthyer votat e Kolegjit Elektoral tek shtetet përkatëse për tu certifikuar sërish.
“Mike Pence do të duhet ta bëjë këtë për ne”, tha Trump, “dhe nëse nuk e bën do të jetë një ditë e trishtë për vendin tonë”.
Nga ana tjetër, Pence nuk e ka pranuar kërkesën duke u shprehur “Në gjykimin tim, sipas betimit që kam bërë për të mbështetur dhe mbrojtur Kushtetutën, më bën të përmbahem prej shpalljes së autoritetit të njëanshëm për të vendosur se cilat vota duhen numëruar e cilat jo”.
— Mike Pence (@Mike_Pence) January 6, 2021