Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka dhënë detaje për lehtësimin e masave nëpër komunat e Kosovës, duke thënë se nga sot në zonën e kuqe janë 9 komuna, në zonën verdhë janë 6 komuna dhe në zonën e gjelbër janë 23 komuna. Zemaj në një konferencë për media, ka thënë se sipas ISIDIS-së, Kosova renditet me numrin më të vogël të të infektuarve në rajonin e Ballkanit dhe më gjerë, në 100 mijë banorë.
Derisa theksoi se të gjitha institucionet publike dhe private, obligohen të shikojnë shëndetin e stafit në baza ditore, përfshirë matjen e temperaturës, higjienën personale dhe kolektive, maskën dhe distancën, tregoi edhe masat që sot kanë marrë edhe votën e Qeverisë së Kosovës.
“Në hapësira të mbyllura ndalohet grumbullimi në numër për më shumë se 30 persona. Ndërsa, në sheshet publike, parqe, qendra rekreative ditore dhe të ngjashme lejohet grumbullimi deri në 50 persona me përjashtim të rasteve të lejuara sipas vendimit në fuqi. Po ashtu, të gjitha tubimet publike të organizuara në hapësirat publike të të gjitha formave ndalohen jo më shumë se 50- persona….Nga sot lejohet veprimtaria e tregjeve të automjeteve dhe kafshëve deri në 40 % të sipërfaqes që ata mund të shfrytëzojnë“, tha ai.
Ministri Zemaj u ndal edhe te lehtësimi i masave për komunat, ku tha se “për komunat të cilat kategorizohen në zonën e verdhë dhe të gjelbrën kemi bërë lëvizje të orarit sa i përket gastronomisë dhe aktiviteteve tjera publike, që nënkupton operatorët ekonomik lejohen të punojnë nga ora 5 e mëngjesit deri në orën 22:00”.
Ndërsa shtoi ai, shërbimet e hotelerisë dhe gastronomisë, lejohen po ashtu të punojnë nga ora 5 deri në 22:00. Ndërkaq, pas orës 22:00 punojnë vetëm me porosi me dërgesë. E njëjta vlen edhe për institucionet varëse të Ministritë të Kulturës dhe komunave ku lejohet të punojnë deri në orën 22:00, duke shfrytëzuar vetëm 40 % të hapësirës së objekteve përkatëse, gjithmonë duke respektuar manualin për mbrojtjen nga përhapja e Covid-19. Ndërsa, masa me rrezik të lartë që është në të kuqen, lëvizja e qytetarëve do të vazhdojë të jetë e ndaluar nga ora 21:30, deri në orën 5 të mëngjesit, përveç për nevoja emergjente dhe shëndetësore“, tha ai.
Sipas tij, operatorët ekonomik, gastronomisë, hotelerisë që janë në komunat me rrezik të lartë, lejohen të punojnë nga 5 deri në orën 21:00. MSh ka formuar grupin punues që do të bëjë hartimin e rregullores në të cilën do të sigurojë mbështetje të financiare e profesionistëve shëndetësor të cilët kanë humbur jetën gjatë shërbimit në luftën me Covid-19.
Sipas tij, nga sot në zonën e kuqe janë 9 komuna, në zonën verdhë janë 6 komuna dhe në zonën e gjelbër janë 23 komuna. Ai ftoi edhe subjektet politike që të garojnë për zgjedhjet e 14 shkurtit që të respektojnë masat anti-covid dhe mos t’i detyrojnë institucionet përgjegjëse që të ndërmarrin masat.