Statuja e Davidit të Michelangelo-s u ndriçua nga skaner të teknologjisë së lartë në kuadër të një projekti për të riprodhuar statujën më të sofistikuar në botë.
Studiues nga Universiteti i Firences bashkëpunuan me teknikë nga “Hexagon”, një kompani suedeze e specializuar në teknologjinë e matjes me saktësi të lartë.
Projekti përfshin 3 faza: skanimin e statujës për krijimin e një binjaku tredimensional, printimin 3D të pjesëve të ndryshme dhe rafinimin dhe mbledhjen e pjesëve nga restauruesit.
Sinkron “Në këtë moment po merremi me mbulimin në gur të pjesëve të printuara 3D. Është një material akrilik. Po e bëjmë këtë për t’i dhënë pamjen e skulpturës së Davidit të Michelangelo-s dhe për ta karakterizuar, për të reflektuar në sipërfaqe krisjet, frakturat, njollat apo gërryerjet dhe pjesët e lëmuara. Pra, për t’i dhënë shpirt asaj që është një kopje që nga varianti digjital u kthye në gjendje fizike”, u shpreh Nicola Salvioli, shef i grupit të restauruesve në Universitetin e Firences.
“Me realizimin e fazës së parë do të kemi një binjak digjital që do të shërbejë jo vetëm për të regjistruar të gjitha studimet e mëparshme mbi strukturën, por edhe për të vlerësuar gjendjen e ruajtjes aktuale të veprës, si dhe për të regjistruar të gjitha studimet që mund të bëhen në të ardhmen. Kjo, për ta bërë një arkiv të vërtetë, në gjendje të tregojë historinë e Davidit”, tha koordinatorja e projektit, Grazia Tucci.
Ndërsa binjaku 3D pritet të jetë ylli i pavijonit të Italisë në ekspozitën e Dubait që mbahet në tetor, Davidi origjinal pret rikthimin e mbi 1.5 milionë turistëve që vizitonin Galerinë Akademike të Firences para rënies së pandemisë së COVID-19.