Armin Laschet, i cili u zgjodh në krye të CDU-së të shtunën e kaluar, e përshkruan veten e tij si ‘kandidati i përhershëm’, megjithatë ai ishte dhe kandidati i preferuar nga Angela Merkel.
Sipas Merkel, Laschet është i pajisur me aftësitë e duhura për të udhëhequr ekonominë më të fuqishme të Evropës, por sipas sondazheve më të fundit, ai nuk është i preferuari i votuesve gjermanë.
Laschet mbështeti politikat e emigracionit të Merkel gjatë vitit 2015 dhe është i njohur gjithashtu për politikat e tij liberale, pasionin për BE-në dhe aftësinë për të bashkuar komunitetet e emigrantëve.
I lindur pranë kufirit gjerman me Belgjikën dhe Holandën, ai u rrit në një familje që i përkiste besimit katolik, ndërkohë që i ati ishte inxhinier në minierat e qymyrit aty pranë.
Ai u bë një lider shumë popullor i Vestfalisë veriore ku deri më tani ka shërbyer si kryeministër.
Lideri 59-vjeçar shpesh bashkohej me qytetarët në festën tradicionale të karnavaleve.
Por, thirrja e tij për të lehtësuar masat COVID gjatë pranverës së vitit 2020 habiti shumë njerëz dhe zemëroi edhe mbështetësen e tij politike Merkel.
Shumë shpejt Laschet u tërhoq nga pozicioni i tij dhe iu desh që të ndreqte dëmin që i shkaktoi ky vendim kredibilitetit të tij politik.
Në lidhje me BE-në, Laschet ankohej që BE-së iu desh shumë kohë që të reagonte ndaj thirrjeve franceze për të reformuar Bashkimin Evropian.
Ndërsa sa i përket integrimit, Laschet kërkon që të forcojë BE-në në çështje që kanë të bëjnë me luftën ndaj terrorizmit ndërkombëtar dhe krimit të organizuar, si dhe politikat energjetike.
Gjithashtu, ai dëshiron që Presidenti i Komisionit Evropian të zgjidhet në mënyrë të drejtpërdrejtë nga votuesit.
Gjatë krizës së borxheve që përfshiu BE-në gjatë vitit 2009, Laschet ishte për zgjidhjen e krizës me anë të një dialogu të hapur dhe të kishte një zgjidhje të përgjithshme dhe jo të pjesshme të saj.
Në tetor të vitit 2011, ai nënshkroi letrën e hapur të George Soros, e cila bënte thirrje për më shumë përfshirje të Bashkimit Evropian në krizën e euros.
Vetëm gjatë vitit 2020, Laschet është takuar me presidentin francez Emmanuel Macron tre herë.
Zgjedhja e tij javën e kaluar në krye të CDU pritet të ketë zhvillime të rëndësishme për Gjermaninë, dhe politikën evropiane në përgjithësi.
Ai është zgjedhur në krye të CDU, por nuk dihet akoma nëse ai do të jetë kandidati i CDU për zgjedhjet e shtatorit të këtij viti.
Një vendim përfundimtar do të merret vetëm pas konsultimeve midis CDU-së dhe partisë simotër të saj në Bavari CSU. Qarkullojnë zëra në Berlin që Markus Söder, kryeministri aktual i Bavarisë dhe lideri i CSU-së mund të jetë opsioni më i favorshëm për të garuar si një kandidat i përbashkët i CDU/CSU-së.
Lexoni gjithashtu:
Armin Laschet zgjidhet kreu i ri i CDU, pason Angela Merkel pas 16 vjetësh