TEDx Tirana 2020 në Euronews Albania, ringritja shqiptare pas pandemisë
Pandemia e COVID-19 detyroi që për herë të parë diskutimet në TEDx Tirana të zhvilloheshin me videokonferencë online.
Në bashkëpunim me Euronews Albania debati i këtij viti u zhvendos në studion e Ilva Now dhe u fokusua te përjetimet, opinionet dhe analizat e 4 shqiptarëve të suksesshëm në botë si, Lindita Shehu, Lea Ypi, Shqiptar Oseku dhe Besnik Pula.
Doktoreshë Lindita Shehu, e cila e ushtron profesionin në Uashington të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), tregoi për përvojën e saj si nënë, grua dhe mjeke në trajtimin e pacientëve të infektuar.
Shehu tha se ndihma kryesore gjatë kësaj periudhe ka qenë mbështetja e familjes, pacientëve dhe shoqërisë të cilët frymëzuan për të vazhduar përpara. Mjekja tregoi se si i mbyllte ditët e punës gjatë pandemisë duke telefonuar të afërmit për lajme të mira apo dhe të këqia.
Me emocione ajo tregoi se pavarësisht se ka pasur pacientë që nuk ia dolën, plot të tjerë e përballuan dhe në fund u rikthyen me familjarët e tyre.
Mjekja shqiptare këmbënguli se shkenca ka treguar në këtë periudhë se mund të reagojë dhe të ndihmojë në mënyrë të jashtëzakonshme njerëzimin. Me besim ajo u shpreh se edhe kjo sprovë do të tejkalohet.
Poeti Shqiptar Oseku, nga Suedia, autor i “Enciklopedia e mërgimit”, tregoi rreth nismës së tij Poezi Karantina ku përmes poezisë u kërkonte qytetarëve të qëndronin në shtëpi.
Ai u shpreh se situata të ngjashme kanë frymëzuar shumë në të shkuarën për të ballafaquar dhe përqafuar më mirë realitetin. “Poezia i ofron njerëzimit një vallëzim me jetën, ciladoqoftë situata,” – tha Oseku, teksa këmbënguli se prej pandemisë tashmë duhen ridimensionuar raportet njerëzore.
Lea Ypi profesoreshë e Teorisë Politike në Universitetin e Shkencave Politike dhe Ekonomike të Londrës, tha se kriza nisi si krizë shëndetësore, por pritet të vijojë me kriza të tjera financiare politike dhe shoqërore.
Ypi ishte dakord se prej krizës mund të rihapet diskutimi për një rend të ri botëror. Ajo tha se në dalje të emergjencës shëndetësore diskutimi kryesor pritet të jetë roli i shtetit në zgjidhjen e problemeve kaq të mëdha, ridiskutimi i globalizimit mund të sjellë si rezultat një produkt të mirë, por nuk ka shumë garanci që modeli i ri botëror të jetë më i mirë se ai aktuali.
Besnik Pula, asistent profesor në Departamentin e Shkencave Politike në Universitetin Politeknik të Virxhinias në SHBA, analizoi situatën ekonomike dhe politike të asaj se çfarë mund të ndodhë pas pandemisë në rajonin e Ballkanit.
Ai tha se për përballimin e pandemisë janë aplikuar kryesisht 3 variante masash, masa policore, shëndetësore dhe ekonomike, por në Ballkan ka pasur kryesisht masa policore.
Pula tha se pandemia u shfrytëzua për shtypje dhe konsolidime të pushteteve si në Hungari. Megjithatë ai tha se kjo situatë mund të nxisë që shoqëria të reagojë gjerësisht për demokratizimin e vendit.
Sidoqoftë eksperti i shkencave politike këmbënguli se gjithçka do të varet nga ecuria që do të ketë pandemia, pasi ka raportime që thonë se infeksioni mund të rikthehet në vjeshtë.
Linda Rama rrëfen hapat e karrierës së saj përballë gazetares Ilva Tare
Kultura dhe dialogu politik në Shqipëri, sipas optikës së Linda Ramës
“Jemi akoma me plagë të hapur”, Linda Rama përlotet ndërsa rrëfen për humbjen e Aneta Ramës
- 23:16 Mot i keq në Shkodër, autoritetet apel qytetarëve: Shmangni zonat me risk
- 23:07 “Opozitë e krimit”! Protestuesit nga selia e PS-së shkojnë para selisë së PD-së
- 22:35 Tajani: Është SHBA-ja ajo që “duhet ta ndalojë Izraelin” për paqen në LM
- 22:33 SHBA tërheq trupat nga Lituania
- 22:28 Qytetarët bllokojnë rrugën pranë selisë së PS-së, thirrje të rinjve: Ngrihuni nga kafet
- 22:27 Irani shënjestron anijen amerikane në Gjirin e Omanit! Araghchi: Nëse Izraeli sulmon Bejrutin, rifillon lufta