Nafta venezueliane, Rusia dërgon anije luftarake për të mbrojtur tanker-in e ndjekur nga SHBA

7 Janar 2026 | 09:11

Rusia ka dislokuar anije të marinës ushtarake për të shoqëruar një tanker nafte që po ndiqet paralelisht nga forcat amerikane në Atlantik.

Lajmi u bë i ditur nga CBS News, partner mediatik i BBC në SHBA, duke sinjalizuar një tension të ri mes Moskës dhe Uashingtonit vetëm pak ditë pas operacionit tronditës për arrestimin e Nicolás Maduro.

Tanker-i, i quajtur tashmë “Marinera”, aktualisht nuk transporton ngarkesë, por historikisht ka bartur naftë të rëndë venezueliane. Të martën mendohej se ndodhej në hapësirën detare mes Skocisë dhe Islandësm zonë ku moti i keq dhe distanca e madhe e bëjnë të vështirë hipjen në bord.

Muajin e kaluar, Roja Bregdetare amerikane u përpoq ta kontrollonte të njëjtën anije në Karaibe, kur ajo njihej si “Bella 1” dhe mbante flamur të Guajanës. SHBA kishin një mandat sekuestrimi, duke e akuzuar tanker-in për shkelje të sanksioneve dhe transport të naftës iraniane.

Sipas burimeve amerikane, anija ndryshoi në mënyrë dramatike kurs, emër dhe regjistër, duke kaluar nën flamurin rus. Ekspertët detarë theksojnë se këto ndryshime mund të kenë pak efekt juridik, pasi veprimi i SHBA bazohet te numri IMO, pronësia reale dhe historiku i sanksioneve, jo te flamuri i pretenduar.

Rusia deklaron se po e monitoron situatën “me shqetësim” dhe këmbëngul se tanker-i lundron në ujëra ndërkombëtare në përputhje me ligjin detar. Megjithatë, dy zyrtarë amerikanë thanë për CBS se Uashingtoni po planifikon hipje në bord dhe preferon sekuestrimin e anijes, jo fundosjen e saj.

Komanda Jugore e SHBA postoi në rrjete sociale se mbetet e gatshme të veprojë kundër “anijeve të sanksionuara”, me mesazh të qartë se operacionet e bllokadës së urdhëruar nga Trump do të vazhdojnë.

Ministria britanike e Mbrojtjes nuk pranon të komentojë aktivitetet ushtarake të vendeve të tjera, ndërsa sipas praktikës, SHBA pritet të informojnë Londrën para çdo operacioni që mund të niset nga territori i Mbretërisë së Bashkuar.

Kjo përballje e mundshme në Atlantik rrit frikën për një krizë më të gjerë energjetike dhe diplomatike, teksa sasia e madhe e naftës venezueliane është kthyer në mjet presioni mes superfuqive. Deti i Veriut po shndërrohet në skenë tensioni, me Moskën që mbron interesat e saj dhe SHBA që këmbëngulin për zbatimin e sanksioneve “me çdo kusht”.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Tajani: Është SHBA-ja ajo që “duhet ta ndalojë Izraelin” për paqen në LM

Ministri i Jashtëm i Italisë Antonio Tajani tha të martën se Shtetet e Bashkuara janë vendi i pozicionuar më së miri për të ushtruar presion...
22:35 | 03/06/2026

SHBA tërheq trupat nga Lituania

Shtetet e Bashkuara kanë nisur tërheqjen e më shumë se 1 mijë ushtarëve amerikanë dhe pajisjeve ushtarake nga Lituania pas përfundimit të një periudhe dislokimi...
22:33 | 03/06/2026

Irani shënjestron anijen amerikane në Gjirin e Omanit! Araghchi: Nëse Izraeli sulmon Bejrutin, rifillon lufta

Irani thotë se marina e saj shënjestroi një anije detare amerikane që strehonte një “qendër komande dhe kontrolli” ndërsa ajo po i afrohej ujërave territoriale...
22:27 | 03/06/2026