Marrëveshja me Iranin, BE merr drejtimin e negociatave, por shtohen aktorët

8 Prill 2021 | 07:56

Ka ende shpresë për një marrëveshje bërthamore me Iranin. Shtetet e Bashkuara janë rikthyer në tryezën e bisedimeve, pas më shumë se tre vjetësh tensione, që kur ish-presidenti Donald Trump vendosi të tërhiqej nga marrëveshja e mëparshme.

Edhe një herë, Bashkimi Europian ka marrë drejtimin e negociatave, por janë një sërë faktorësh që mund të shpjegojnë këtë lëvizje, duke filluar nga ardhja e Joe Biden në krye të Shtëpisë së Bardhë.

Analistët politikë besojnë se qasja e re e Shteteve të Bashkuara ka të bëjë edhe me përshpejtimin e rimëkëmbjes ekonomike.

“Joe Biden është i fokusuar në ekonominë e SHBA-së, në rimëkëmbjen e saj pas COVID-it, dhe gjëja e fundit që ai dëshiron është një krizë nukleare me Iranin. Prandaj mendoj se është prioritet për të,” – u shpreh Barbara Slavin, drejtoreshë e Iniciativës mbi Iranin për Këshillin e Atlantikut.

Një tjetër element kyç është edhe fakti që presidenti iranian do të lërë postin e tij pas dy muajsh dhe ekziston mundësia që faktori politik në Iran që e kundërshton marrëveshjen të mund të vijë në pushtet.

Megjithatë, duke marrë parasysh krizën ekonomike, heqja e sanksioneve është një çështje e interesit kombëtar.

“Kjo është një marrëveshje e rëndësishme për Iranin, që kapërcen fraksionet e ndryshme politike. Lideri suprem nuk ishte entuziast, por dha mbështetjen e tij. Kjo nënkupton se edhe ata që e kundërshtojnë nuk do të mund ta kompromentojnë një marrëveshje të mundshme. Çështja është nëse marrëveshja do të arrihet përpara zgjedhjeve në Iran, pasi kanë mbetur vetëm pak muaj kohë,” – tha Slavin.

Edhe një herë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të kenë fjalën e fundit në bisedime. Megjithatë, nuk duhet anashkaluar roli i Kinës. Arsyeja është marrëveshja 400 miliardë dollarëshe me Iranin, e cila u nënshkrua vetëm dy javë më parë.

“Në mënyrë figurative, diplomacisë amerikane i është shtruar një tapet i kuq. Normalisht, roli i lidershipit i ofrohet gjithmonë amerikanëve, por kemi edhe elementin surprizë në bisedime. Kina, me gjithë potencialin e saj ekonomik, ka detyruar kryenegociatorin iranian ta përfshijë në këtë mbledhje,” – analizoi konsulenti ndërkombëtar, Majid Golpour.

BE-ja është koordinatori kryesor në bisedimet e Vjenës. Iniciativa për bisedime me Iranin u ndërmor dy dekada më parë nga shefi i Politikës së Jashtme dhe marrëveshja e nënshkruar me Iranin është një ndër rezultatet më të rëndësishme të diplomacisë europiane.

Takimi i ardhshëm do të mbahet ditën e premte, por marrëveshja nuk do të jetë e lehtë për t’u arritur.

 

LEXONI GJITHASHTU: 

 

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Tajani: Është SHBA-ja ajo që “duhet ta ndalojë Izraelin” për paqen në LM

Ministri i Jashtëm i Italisë Antonio Tajani tha të martën se Shtetet e Bashkuara janë vendi i pozicionuar më së miri për të ushtruar presion...
22:35 | 03/06/2026

SHBA tërheq trupat nga Lituania

Shtetet e Bashkuara kanë nisur tërheqjen e më shumë se 1 mijë ushtarëve amerikanë dhe pajisjeve ushtarake nga Lituania pas përfundimit të një periudhe dislokimi...
22:33 | 03/06/2026

Irani shënjestron anijen amerikane në Gjirin e Omanit! Araghchi: Nëse Izraeli sulmon Bejrutin, rifillon lufta

Irani thotë se marina e saj shënjestroi një anije detare amerikane që strehonte një “qendër komande dhe kontrolli” ndërsa ajo po i afrohej ujërave territoriale...
22:27 | 03/06/2026