Mbi 100 milionë euro investim, parku fotovoltaik i Karavastasë do të ndërtohet nga një kompani franceze

27 Maj 2020 | 09:58

Parku i prodhimit të energjisë elektrike duke shfrytëzuar energjinë e diellit në Karavasta do të ndërtohet nga kompania franceze Voltalia, e cila u shpall fituese me një ofertë prej 100 milionë eurosh të ankandit të thirrur nga qeveria shqiptare në fillim të këtij viti.

Lajmi u bë me dije gjatë një konference për shtyp të thirrur nga Kryeministri Edi Rama.

Rama e lavdëroi ofertën dhe kompaninë franceze si “një investim i rëndësishëm i huaj” nga një “kompani me prestigj ndërkombëtar”.

E pranishme në konferencë, Ministrja e Energjitikës, Belinda Balluku u shpreh se oferta ishte e jashtë zakonshme dhe se “ky ishte një çmim rekord për të gjitha parqet energjitike”.

Ankandi i Parkut Fotovoltaik të Karavastasë u bë në konsultim me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).

Parku do të ndërtohet në një zonë prej rreth 198 hektarësh mes Remasit dhe Libofshës (Divjakë-Fier).

Shfrytëzimi i këtij parku parashikohet të jepet për 15 vite ndërsa kapaciteti energjitik do të jetë 140 MW ku gjysma e prodhimit do të blihet nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike përmes një kontrate afatgjatë me çmim të fiksuar në 24.89 euro për megavat, çmim të cilin Ministrja Balluku e cilësoi më të lirin në rajon.

Ankandi i parkut fotovoltaik të Karavastasë u shpall më 20 janar 2020. Pesë kompani morën pjesë në garë dhe patën kohë deri më 16 mars të paraqisnin ofertat.

Kthimi i përgjigjeve dhe hapja publike e ofertave pritej të bëhej më 6 dhe 7 prill ndërsa lidhja e kontratës më 8 maj.

Për shkak të situatës së pandemisë vlerësimi i ofertave u tha se ishte bërë përmes videokonferencave, ndërsa kompanitë që u skualifikuan qenë njoftuar më 20 maj.

Pas shpalljes së fituesit tashmë qeveria ka përpara një tjetër sfidë, konkretizimin e investimit.

Dy vite më parë qeveria zhvilloi një ankand të ngjashëm për impiantin fotovoltaik të Akërnisë, prej së cilës u shpall fituese me një ofertë prej 70 milionë eurosh konsorciumi India Power Corporation.

Mirëpo për çështje të cilat nuk u bënë të qarta nënshkrimi i kontratës u zvarrit dhe ende sot impianti nuk është nisur së ndërtuari.

Prej vitesh Bashkimi Evropian i ka kërkuar Shqipërisë të diversifikojë sistemin e prodhimit të energjisë elektrike duke ulur varësinë nga prodhimi prej shfrytëzimit të lumenjve.

Shfrytëzimi i energjisë së diellit shihet si alternativa më e mirë, kjo duke u nisur nga fakti se pozicioni gjeografik e avantazhon Shqipërinë me rreth treçerekun e vitit me ditë me diell.

 

Lexoni gjithashtu:

Shqipëria do të prodhojë energji diellore

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Shqipëria bëhet e dyta më e shtrenjta në Ballkan për qiratë ditore

Fluksi i lartë i të huajve që po vijnë në Shqipëri, të nxitur nga çmimet e lira të akomodimit, po çon në një shtrenjtim të...
14:50 | 03/06/2026

Këmbimi valutor 3 qershor/ Me sa blihen e shiten monedhat kryesore

Në tregun e këmbimit valutor shqiptar, një dollar amerikan do të blihet sot me 81.4 lekë dhe do shitet me 82.4 lekë. Ndërkohë monedha evropiane...
08:58 | 03/06/2026

Shqipëria humbi 28 500 banorë në 2025, mosha mesatare arrin në 45 vjeç

Shqipëria ka hyrë në një fazë të re të krizës demografike. Të dhënat më të fundit të INSTAT tregojnë se popullsia e vendit ka zbritur...
17:25 | 02/06/2026