Melania Trump jep mesazhin e saj të lamtumirës si Zonja e Parë e SHBA-së

19 Janar 2021 | 11:02

Zonja e parë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Melania Trump, këtë të hënë, i dha lamtumirën kombit me anë të një video mesazhi të postuar në Twitter.

Trump u shpreh se të shërbente si Zonja e Parë ishte “nderi më i madh” i jetës së saj.

“Unë jam frymëzuar nga amerikanë të jashtëzakonshëm, të cilët përmes zemërgjerësisë, guximit dhe mirësisë së tyre kanë frymëzuar vendin tonë,” – tha Trump.

“Katër vitet e kaluara kanë qenë të paharrueshme e ndërsa Donald dhe unë përfundojmë ciklin tonë kohor në Shtëpinë e Bardhë, mendoj për gjithë ata njerëz që kanë hyrë në zemrën time me historitë e tyre të dashurisë, patriotizmit dhe vendosmërisë,” – shtoi ajo.

Gjatë videos shtatë minutëshe ajo shkurtimisht adresoi dhe probleme si pandemia e COVID-19, duke u bërë thirrje amerikanëve që të “kenë kujdes dhe ndërgjegjësim për të mbrojtur më të rrezikuarit”.

Zonja e parë gjithashtu shprehu vlerësimin e saj ndaj të gjithë qytetarëve që punuan gjatë krizës shëndetësore, duke përfshirë punonjësit e kujdesit shëndetësor, të prodhimit, shoferët e kamionëve dhe mësuesit.

Në fjalimin e saj ajo u bëri thirrje amerikanëve “të jenë të pasionuar në gjithçka bëjnë e të mos harrojnë se dhuna nuk është kurrë zgjidhje dhe është e pajustifikueshme”.

Zonja e parë shtoi se amerikanët duhet të përqendrohen në atë që i bashkon, të rebelohen në atë që i ndan, të zgjedhin gjithmonë dashurinë mbi urrejtjen, paqen mbi dhunën dhe të tjerët para vetes.

Gjatë video mesazhit ajo përmendi vetëm një herë bashkëshortin e saj, Donald Trump, por asnjëherë presidentin e zgjedhur Joe Biden, i cili pritet të betohet të mërkurën.

Melania Trump ka kundërshtuar traditën duke mos ftuar Zonjën e Parë të ardhshme, Jill Biden, për të vizituar Shtëpinë e Bardhë përpara inaugurimit.

Kjo reflekton dhe qëndrimet e Donald Trump, i cili ka njoftuar se nuk do të marrë pjesë në ceremoninë e inagurimit në Uashington ditën e mërkurë por do të jetë në Florida.

Ai është presidenti i parë në largim i cili nuk do të marrë pjesë në ceremoninë tradicionale, të mbajtur tanimë prej 152 vitesh.

 

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Tajani: Është SHBA-ja ajo që “duhet ta ndalojë Izraelin” për paqen në LM

Ministri i Jashtëm i Italisë Antonio Tajani tha të martën se Shtetet e Bashkuara janë vendi i pozicionuar më së miri për të ushtruar presion...
22:35 | 03/06/2026

SHBA tërheq trupat nga Lituania

Shtetet e Bashkuara kanë nisur tërheqjen e më shumë se 1 mijë ushtarëve amerikanë dhe pajisjeve ushtarake nga Lituania pas përfundimit të një periudhe dislokimi...
22:33 | 03/06/2026

Irani shënjestron anijen amerikane në Gjirin e Omanit! Araghchi: Nëse Izraeli sulmon Bejrutin, rifillon lufta

Irani thotë se marina e saj shënjestroi një anije detare amerikane që strehonte një “qendër komande dhe kontrolli” ndërsa ajo po i afrohej ujërave territoriale...
22:27 | 03/06/2026