Kancelarja gjermane, Angela Merkel e konsideron dëbimin e Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump nga kompania Twitter si problematik,” – kështu u shpreh zëdhënësi i saj ditën e hënë.
Twitter pezulloi përgjithmonë Trump nga platforma e ‘mikro-blogjeve’ të premten duke e përmendur si një “rrezik të nxitjes së mëtejshme të dhunës” duke parë dhe sulmin e Kapitolit të SHBA-së nga mbështetësit e presidentit në largim.
Pesë njerëz u vranë pasi mijëra mbështetës të Trump marshuan dhe pushtuan ndërtesën e qeverisë federale në Washington DC.
I pyetur në lidhje me vendimin e Twitter, zëdhënësi i Merkel, Steffen Seibert, tha se operatorët e platformave të mediave sociale “mbajnë përgjegjësi të madhe që komunikimi politik të mos helmohet nga urrejtja, nga gënjeshtrat dhe nga nxitja e dhunës”.
Seibert shtoi gjithashtu se liria e mendimit është një e drejtë themelore.
“Mund të ndërhyhet në këtë të drejtë themelore por gjithmonë sipas ligjit dhe brenda kornizës së përcaktuar nga ligjvënësit, jo sipas një vendimi nga ata që menaxhojnë platformat të mediave sociale,” – u tha ai gazetarëve në Berlin.
Parë nga ky këndvështrim, kancelarja e konsideron problematike që llogaritë e presidentit amerikan janë bllokuar përgjithmonë.
Facebook pezulloi llogarinë e Trump të enjten deri më 20 janar që përkon dhe me ditën e përurimit të presidentit të zgjedhur Joe Biden, sidoqoftë kjo mund të zgjasë edhe për një kohë të pacaktuar.
Vetë Merkel nuk ka një llogari në Twitter, megjithëse Seibert ka një të tillë dhe shumë ministra të qeverisë gjermane gjithashtu.