Ngërçi për zgjedhoren, Kola: Ambasada amerikane mbështet mazhorancën. Iljazaj: Basha duhet ta firmosë marrëveshjen

4 Qershor 2020 | 17:41

Pavarësisht apelit të ambasadores amerikane, e cila ftoi Bashën të firmosë marrëveshjen për reformën zgjedhore, kreu i opozitës ende nuk ka dhënë një përgjigje. Për këtë çështje, e cila ka qenë kryetemë e politikës shqiptare kanë folur në “Ilva Now”, drejtori i gazetës “Liberale”, Ervis Iljazaj dhe gazetari Vehap Kola.

Sipas Iljazajt, kreu i PD-së Lulzim Basha aktualisht ndodhet mes dy presioneve, në njërën anë nga ndërkombëtarët dhe nga ana tjetër nga opozitarët.

“Sigurisht që opozita shqiptare dhe Lulzim Basha si kryetar i opozitës ka një presion më të madh se mazhoranca. Kërkesat e tij, unë nuk i shoh si të ekzagjeruara dhe që nuk ka gjëra që nuk bëhen, sepse është natyrale se çdo opozitë, betejën kryesore e ka për votën e lirë. Basha është në një presion të dyfishtë, ku ndërkombëtarët i kërkojnë të firmosë marrëveshjen, por nga një anë është edhe presioni opozitar”,  tha Iljazaj.

Gazetari Vehap Kola tha se, në këtë pjesë nuk mund t’i lihen përgjegjësitë vetëm opozitës. Ai kritikoi edhe rolin e ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e cila sipas saj, ka mbajtur një linjë të qartë pro mazhorancës.

“Duke mos patur asnjë mundësi për të garantuar një proces zgjedhor, opozita nuk mund të ngarkohet me përgjegjësi për arritjen e një marrëveshje. Kërkim i llogarisë apo lënia e përgjegjësisë në anën e saj, mendoj se është një linjë e pakuptueshme për rolin që duhet të luajë ambasada amerikane në politikën shqiptare. Kodi zgjedhor duhet bërë mbi një marrëveshje mes palëve, por nuk mund të shpiken metoda të reja. Ajo që ka bërë opozita është e mjaftueshme, kërkesat e saj për zgjedhje janë të realizueshme. Shqiptarët do të jenë ata që do humbasin në fund. Ambasada ka marrë një linjë të qartë të mbështetjes së qeverisë. Ajo mbajti një distancë të madhe nga pjesa tjetër e shoqërisë, pra nga opozita”, tha Kola.  

Drejtori i gazetës “Liberale”, Ervis Iljazaj, kritikoi pjesën që ambasadorët hyjnë dhe dalin nga zyra partish për çështje, të cilat siç thekson ai, duhet të ishin përgjegjësi e politikës shqiptare.

“Ambasadorja amerikane, tryezën e reformës zgjedhore e nxori nga parlamenti, duke i vënë kusht votën e opozitës për ta miratuar. Duhet të turpërohemi. Kur unë shikoj shëtitjet e ambasadorëve nga një seli në tjetër, unë ndihem keq si njeri dhe si qytetar. Duhet të turpërojë politikën shqiptare dhe qytetarët. Po të isha në rolin e Bashës, unë do ta firmosja këtë marrëveshje, për një arsye shumë të thjeshtë: Vota nuk vidhet në kutinë e votimit, vota vidhet dhe blihet një muaj para.  Reforma zgjedhore është një procedurë për çeljen e negociatave me BE-në. Kjo reformë, nuk do ta përmirësojë jetën demokratike në Shqipëri. Vota blihet një muaj para zgjedhjeve, kjo duhet të ketë ndryshim sjelljeje”, tha Iljazaj.

Kryeministri i vendit, Edi Rama, theksoi sot në Kuvend se pret kreun e Partisë Demokratike që të reflektojë dhe t’i japë dritën jeshile marrëveshjes, të cilën ambasadorja e SHBA, Yuri Kim, e “tundi” para mediave mbrëmjen e djeshme. Vetë diplomatja amerikane tha se topi tashmë është në fushën e kryetarit të opozitës.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Linda Rama rrëfen hapat e karrierës së saj përballë gazetares Ilva Tare

Në një intervistë ekskluzive për gazetaren, Ilva Tare, aktivistja dhe gruaja e angazhuar, Linda Rama rrëfeu mbi karrierën e saj sfiduese, mënyrën si e ka...
22:36 | 18/06/2021

Kultura dhe dialogu politik në Shqipëri, sipas optikës së Linda Ramës

Aktivistja Linda Rama në një rrëfim ekskluziv për “Ilva Now” në Euronews Albania analizoi etapat në të cilat ka kaluar dialogu politik në Shqipëri, që...
22:13 | 18/06/2021

“Jemi akoma me plagë të hapur”, Linda Rama përlotet ndërsa rrëfen për humbjen e Aneta Ramës

E ftuar në emisionin “Ilva Now”, aktivistja e shoqërisë civile dhe intelektualja e angazhuar, znj. Linda Rama foli ndër të tjera edhe për marrëdhënien e...
22:02 | 18/06/2021