Lideri i opozitës ruse Alexey Navalny, ka bërë të ditur se do të kthehet në Rusi më 17 janar, pas trajtimin shëndetësor që mori në Gjermani, pasi ishte helmuar me një agjent nervor të epokës sovjetike.
Navalny, në një postim në Twitter, shkroi se qëndrimi në Gjermani nuk ishte kurrë një mundësi për të dhe se ai do të kthehej në shtëpi si fitimtar.
“Pyetja “të kthehem ose jo” nuk qëndroi kurrë para meje. Vetëm sepse nuk u largova. Unë përfundova në Gjermani, pasi mbërrita atje me një ambulancë për mjekim. Më 17 janar, ditën e diel, do të kthehem në shtëpi me një fluturim si fitimtar! Takohemi!”, shkroi ai në Twitter.
Navalny ra në koma ndërsa ishte në bordin e një fluturimi të brendshëm nga Siberia në Moskë më 20 gusht dhe u transferua nga një spital në Siberi, në një spital të Berlinit vetëm dy ditë më vonë.
Laboratorët në Gjermani, Francë dhe Suedi dhe testet nga Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike, vërtetuan se ai ishte i ekspozuar ndaj një agjenti nervor Novichok të epokës sovjetike.
Kremlini ka mohuar çdo përfshirje në sulm dhe u bëri thirrje mjekëve gjermanë të japin prova se ai ishte helmuar.
Navalny ka qenë një kritik i hapur i Putinit dhe Kremlinit për vite me radhë dhe autoritetet ruse e kanë shënjestruar atë me akuza për mashtrim dhe korrupsion.
Lexoni gjithashtu:
Ultimatum për Navalny, Rusia kërcënon opozitarin: Kthehu menjëherë ose përballu me burg