Plani i BE-së për Ballkanin, Varhelyi: Investime për ndërlidhjen, tranzicionin e gjelbër, edukimin dhe shëndetësinë

2 Tetor 2020 | 14:01

Komisioneri për zgjerimin dhe fqinjësinë në Bashkimin Evropian, Oliver Varhelyi, konfirmoi sot se do të paraqesë të martën, më 6 tetor, paketën e zgjerimit, ku përfshihen raportet vjetore të vlerësimit për vendet që aspirojnë integrimin, por njëkohësisht edhe “Planin Ekonomik” dhe të “Investimeve” për rajonin, i cili planifikon investime të përqendruara dhe strategjike për të mundësuar zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë për t’i afruar më tej me BE-në në vitet e ardhshme.

Gjatë fjalimit online në konferencën mediatike për “Zgjerimin e BE-së”, që organizohet nga përfaqësia e Komisionit Evropian në Zagreb, Varhelyi përsëriti fillimisht se Ballkani Perëndimor është “përparësi e Bashkimit Evropian”, dhe se për këtë Komisioni “ka punuar në tre shina kryesore”: ringjalljen e procesit të zgjerimit; të hapë negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut; si dhe të shpejtojë afrimin ekonomik të rajonit me BE-në.

Komisioneri Varhelyi theksoi në fjalimin e tij se ndërsa për dy hapat e parë janë arritur tashmë rezultate, nëpërmjet metodologjisë së re, e cila mundësoi vendimin e muajit mars nga Këshilli Evropian për dritën jeshile për dy vendet, tashmë ajo që pritet është miratimi nga vendet anëtare i kuadrit negociues, për të cilin bisedimet po vijojnë në Këshill mes vendeve anëtare.

Ajo çka përbënte risi në këtë fjalim ishte ndërkohë përqendrimi tek Plani Ekonomik dhe i Investimeve, për të cilin po punohet prej disa muajsh. Pasi rikujtoi se këtë e bëri më sfidues kriza nga pandemia aktuale, Komisioneri renditi përparësitë e këtij plani, që pritet të paraqitet në një kohe me raportet vjetore, para Komisionit të jashtëm të Parlamentit Evropian, të martën që vjen.

“Duke ecur drejt të ardhmes, fokusi ynë është mbështetja e rimëkëmbjes afat-gjatë ekonomiko-sociale dhe të afrimit ekonomik të rajonit me BE-në,” – deklaroi Varhelyi.

“Do të ketë një përqendrim të fortë mbi ndërlidhjen në rajon dhe me BE-në. Kushdo që udhëton në rajon apo drejt tij e di sa e vështirë është kjo gjë, edhe në kohët e paprekura nga Covidi. Do të adresojmë sfidat e tranzicionit të gjelbër dhe atij digjital. Dhe për të mbështetur zhvillimin ekonomik do të mbështesim edhe vetë njerëzit : edukimi, shëndetësia dhe mbrojtja sociale do të luajnë një rol të rëndësishëm,” –  sqaroi Komisioneri për në lidhje me planin e pritshëm.

Sipas tij të gjithë kryeministrat e rajonit kanë ndarë vizionin e tyre për projekte të bashkë-ndara drejt një rimëkëmbje dinamike në terma afat-mesëm. Qëllimi i Komisionit Evropian është që deri në vitin 2024 të jetë ecur në mënyrë thelbësore në ndërlidhjen rajonale dhe afrimin me BE-në. Plani ekonomik dhe i investime pritet sipas tij të forcojë bashkëpunimin rajonal dhe të krijojë punësim dhe përfitime si për bizneset edhe për qytetarët.

Varlhelyi shpjegoi se në gjashtë muajt e kaluar Komisioni ka punuar ngushtë me qeveritë e Ballkanit, me sekretariatet e Këshilit të Bashkëpunimit Rajonal dhe të CEFTA-s, për të zhvilluar një vizion të ri për fushën e ekonomisë rajonale, e kjo përpara mbajtjes së Samitit të Sofjes BE-Ballkan të parashikuar për në muajin nëntor.

“Integrimi ekonomik rajonal nuk është një anashkalim i rrugëtimit evropian por një mjet për të ngritur rritjen ekonomike, për të kapërcyer krizën nga pandemia e Covidit, dhe për të modernizuar ekonomitë dhe bizneset e rajonit në përputhje me përparësitë e vetë BE-së, si dhe për t’i sjellë ato më pranë tregut të përbashkët evropian. Ky integrim është pjesë tërësore e procesit të anëtarësimit në BE të rajonit,” – theksoi komisioneri evropian për zgjerimin.

Në përfundim të fjalimit të tij ai njoftoi se ky plan ekonomik dhe investimesh do të paraqitetet javën që vjen sëbashku me vlerësimet vjetore për vendet aspiruese, raporte këto që do të japin një vështrim të detajuar të situatës ku gjendet secili vend në punën e bërë për reformat thelbësore, duke ofruar dhe udhëheqjen e duhur për këto reformat parësore që qëndrojnë në zemër të procesit të anëtarësimit në BE.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Macron: Fitorja e Magyar shënon fillimin e një epoke të re në Hungari

Presidenti francez, Emmanuel Macron vlerësoi sot fillimin e një “epoke të re” për Hungarinë dhe Evropën, gjatë pritjes në Pallatin Elysee, të kryeministrit të ri...
22:21 | 03/06/2026

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së voton 5 anëtarët e rinj jo të përhershëm të Këshillit të Sigurimit

Pas tre orësh, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara përfundoi votimin për të zgjedhur pesë anëtarët e rinj jo të përhershëm të Këshillit të Sigurimit për mandatin 2027-2028....
20:43 | 03/06/2026

Rreth 90 serbë dëbohen nga aeroporti i Tivatit, policia malazeze i cilëson rrezik për sigurinë

Rreth 90 shtetas të Serbisë janë dëbuar nga aeroporti i Tivatit dhe u është ndaluar hyrja në Mal të Zi, pasi konsiderohen “rrezik për sigurinë”,...
19:15 | 03/06/2026