Rama rikthen hidrocentralin e Skavicës: Do ta ndërtojmë me forcat tona

27 Maj 2020 | 10:45

Kryeministri Edi Rama deklaroi të mërkurën se qeveria e tij ka vendosur ta ndërtojë me para publike hidrocentralin e Skavicës.

Gjatë një konference për shtyp, ku u shpall kompania fituese e ndërtimit të parkut fotovoltaik të Karavastasë, Kryeministri foli gjatë për planet e zhvillimit të sektorit energjitik.

Teksa lavdëroi faktin se tashmë po niset të shfrytëzohet energjia e diellit, Rama tha se po punohet që të shfrytëzohet edhe energjia e erës, por që aktualisht kjo e fundit mbetet në fazat e shqyrtimit të projekt-planeve.

Më tej ai u ndal te hidrocentrali i Skavicës, i cili pesëdhjetë vite më parë, ishte planifikuar si hidrocentrali i parë i asaj që më vonë u quajt kaskada e Drinit.

Problemet me fondet, por dhe me kapacitetet që do të kishte ky hidrocentral, i cili do të shtrihet në Skavicë – një zonë ku kalon Drini i Zi mes Dibrës dhe Kukësit, – ka bërë që projekti të mbetej në sirtarë prej dekadash.

Rama e konsideroi “objekt strategjikisht, absolutisht të domosdoshëm, të vështirë dhe të komplikuar” që “të gjitha qeveritë e kanë pasur në plan por e kanë shtyrë” dhe që mund ta kompletojë projektin e Kaskadës së Drinit”.

“Skavica ka qenë objektiv historik i të gjitha qeverive shqiptare dhe të atyre të para viteve ’90. Është një objekt strategjikisht absolutisht i domosdoshëm, i vështirë, i komplikuar dhe për këtë arsye gjithmonë qeveritë e kanë pasur në plan, por asnjëherë nuk e kanë shtyrë procesin deri në fund, ne jemi përpjekur në këto vite të gjejmë aktorët e duhur që të mund të investoheshin për këtë projekt, por tanimë kemi vendosur që, siç thoshin njëherë e një kohë, ta ndërtojmë me forcat tona dhe do ta ndërtojmë Skavicën me 100% shtetin,” – tha Rama, i cili kujtoi se përtej Skavicës qeveria po shqyrton edhe projekte të tjera hidrocentralesh.

Kryeministri u shpreh se projekti do të transformojë rrënjësisht sistemin, duke garantuar optimizimin e gjithë kaskadës, sepse “dihet që Skavica është një element i munguar i projektit origjinal të kaskadës së Drinit”.

“Skavica do jetë edhe fundi i derdhjes së ujit kur ka me tepri dhe i përmbytjeve që pastaj pasojnë si rezultat i derdhjes, pra i derdhjes së parave në formë uji në atë moment, duke shkaktuar dëme dhe duke i kushtuar pastaj buxhetit të shtetit gjithmonë shtrenjtë për të rikompensuar dhe për të ndihmuar njerëzit që të ringrihen,” – u shpreh Kryeministri.

Lumi i Drinit është lumi me më shumë ndërhyrje në Shqipëri. Në vitet ’70 sistemi komunist parashikoi ndërtimin e një kasakade hidrocentralesh që niste nga Skavica në Dibër, Fierza në Kukës, Komani në Pukë dhe Vau i Dejës në Shkodër e më tej hidrocentrali i Bushatit, gjithashtu në Shkodër.

Nga projekti fillestar vetëm hidrocentrali i Skavicës nuk u ndërtua dot, ndërsa ai i Bushatit u tjetërsua. Sot në fund të kaskadës së Drinit është ndërtuar Hidrocentrali i Ashtës.

Pa hidrocentralin e Skavicës, Kaskada e Drinit përllogaritet se ka kapacitet të prodhojë mbi 1,400 MW energji, duke mbajtur peshën kryesore të energjisë.

Qeveri të ndryshme janë përpjekur ta rikthejnë projektin e Skavicës me propozime të ndryshme nga 150-350 MW që kërkon qindra milionë euro dhe që kërkohej të jepej në koncesion.

Ndërkohë që prej fillimvitit të shkuar qeveria ka punuar për një studim fizibiliteti rreth një projekti tjetër, që siç deklaroi dhe sot Rama, nuk do të mbetet më peng i investitorëve të huaj, pasi atë do ta ndërtojë vetë shteti.

 

Lexoni gjithashtu:

Mbi 100 milionë euro investim, parku fotovoltaik i Karavastasë do të ndërtohet nga një kompani franceze

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Shqipëria bëhet e dyta më e shtrenjta në Ballkan për qiratë ditore

Fluksi i lartë i të huajve që po vijnë në Shqipëri, të nxitur nga çmimet e lira të akomodimit, po çon në një shtrenjtim të...
14:50 | 03/06/2026

Këmbimi valutor 3 qershor/ Me sa blihen e shiten monedhat kryesore

Në tregun e këmbimit valutor shqiptar, një dollar amerikan do të blihet sot me 81.4 lekë dhe do shitet me 82.4 lekë. Ndërkohë monedha evropiane...
08:58 | 03/06/2026

Shqipëria humbi 28 500 banorë në 2025, mosha mesatare arrin në 45 vjeç

Shqipëria ka hyrë në një fazë të re të krizës demografike. Të dhënat më të fundit të INSTAT tregojnë se popullsia e vendit ka zbritur...
17:25 | 02/06/2026