Raporti i OKB-së: Emigrantët bien pre e dhunës, përgjegjësit nuk dënohen

29 Qershor 2021 | 22:36

Trafikantët e emigrantëve tregohen shpesh herë të dhunshëm, por rrallë herë i druhen dënimeve. Kështu thotë një raport i ri i publikuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB).

Raporti vë në dukje abuzimin që pësojnë emigrantët në duart e trafikantëve. Femrat shpesh herë dhunohen, ndërsa burrat rrihen dhe shfrytëzohen në punë të detyruar.

23-vjeçari Jawad pagoi një bandë për t’u shpëtuar talebanëve në Afganistan. Tani ai ndodhet në Austri, por historia e tij tregon terrorin që mund të ndodhë gjatë rrugës.

“Njerëzit që nuk lëviznin me shpejtësi rriheshin nga trafikantët, ose liheshin”, u shpreh Jawad.

Bashkë me 40 të tjerë, burra, gra dhe fëmijë, Jawad u vendos në një varkë të vogël e të dëmtuar për të kaluar Mesdheun, edhe pse shumica e tyre nuk dinte not.

“Gomonia ishte e çarë, prandaj uji depërtonte. Nuk kishim zgjidhje tjetër, por të hiqnim këpucët dhe t’i përdornim si kova për të hequr ujin”, tha Jawad.

Çdo vit, disa mijëra emigrantë humbin jetën në det, në shkretëtirë, apo mbyten në kontejnerë. Për këtë raport, zyra e OKB-së për Krimin dhe Drogën ekzaminoi rrugët e transitit nga Amerika Qendrore, Afrika dhe Deti Mesdhe.

“Trafikantët po korrin fitime të mëdha nga ky lloj krimi. Ata po i përdorin të ardhurat për të korruptuar zyrtarë, të cilët nuk kanë respekt për jetën e njeriut. Ata i trajtojnë emigrantët si një ngarkesë mallrash dhe nuk dihet përse ushtrojnë dhunë ndaj tyre”, u shpreh Morgan Nicot, koordinator i studimit Zyra e OKB-së për Krimin dhe Drogën (UNODC).

Zyra e OKB-së kritikon reagimin e vakët të autoriteteve kombëtare.

“Ne po asistojmë vende të ndryshme që të kenë ligjet e duhura, që të kenë gjykatës dhe prokurorë, të gjithë pjesë e zinxhirit, që të kuptojnë provat që u duhen për të ndjekur dhe dënuar autorët e kësaj dhune”, tha Morgan Nicot.

Ky studim, i pari në llojin e tij, i jep OKB-së diçka të prekshme për të luftuar dhunën në rajonet e transitit. Prokurorët në këto zona do të jenë më të përgatitur dhe të dhënat që do të mblidhen do të publikohen.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Tajani: Është SHBA-ja ajo që “duhet ta ndalojë Izraelin” për paqen në LM

Ministri i Jashtëm i Italisë Antonio Tajani tha të martën se Shtetet e Bashkuara janë vendi i pozicionuar më së miri për të ushtruar presion...
22:35 | 03/06/2026

SHBA tërheq trupat nga Lituania

Shtetet e Bashkuara kanë nisur tërheqjen e më shumë se 1 mijë ushtarëve amerikanë dhe pajisjeve ushtarake nga Lituania pas përfundimit të një periudhe dislokimi...
22:33 | 03/06/2026

Irani shënjestron anijen amerikane në Gjirin e Omanit! Araghchi: Nëse Izraeli sulmon Bejrutin, rifillon lufta

Irani thotë se marina e saj shënjestroi një anije detare amerikane që strehonte një “qendër komande dhe kontrolli” ndërsa ajo po i afrohej ujërave territoriale...
22:27 | 03/06/2026