SHBA-të zgjerojnë sanksionet kundër Kubës, duke synuar edhe sektorin e turizmit

14 Korrik 2026 | 08:07

Shtetet e Bashkuara të Amerikës vendosën sot sanksione të reja ndaj Kubës, duke shtuar Ministrinë Kubane të Turizmit në listën e subjekteve të sanksionuara.

Ministria e Turizmit është një nga 10 agjencitë dhe kompanitë qeveritare të mbuluara nga masat e reja, sipas udhëzimeve të përditësuara nga Zyra e Kontrollit të Aseteve të Huaja (OFAC) në Departamentin e Thesarit të SHBA-së, raporton Reuters.

Shitësit me shumicë të karburantit Korejdan dhe Enetek, si dhe kompania shtetërore tregtare Gekomex, u shtuan në listën e sanksioneve .

Sanksionet janë shtrirë edhe ndaj organizatave që, sipas Departamentit të Shtetit të SHBA-së, shërbejnë për të monitoruar kundërshtarët politikë dhe për të shtypur mospajtimin, përfshirë Shoqatën e Luftëtarëve të Revolucionit Kuban dhe Brigadën e Reagimit të Shpejtë.

Ministria e Turizmit është lojtari më i madh në sektorin e turizmit të Kubës pas konglomeratit të biznesit ushtarak Gaesa, i cili u sanksionua në maj.

Profesori i Universitetit Augusta në shtetin amerikan të Xhorxhias, Paolo Spadoni, vlerësoi se sanksionet kundër Gaesa-s prekën më shumë se gjysmën e kapaciteteve hoteliere në Kubë, ndërsa përfshirja e Ministrisë së Turizmit në listën e sanksioneve praktikisht do të mbulojë pothuajse të gjithë industrinë hoteliere në ishull.

Kompania spanjolle Melia Hotels International njoftoi muajin e kaluar se po tërhiqte markat e saj dhe po ndërpret menjëherë kontratat e menaxhimit me 15 hotele në Kubë.

Sipas agjencisë, në muajt e fundit, Presidenti i SHBA-së Donald Trump dhe Sekretari i Shtetit Marco Rubio kanë futur sanksione të reja ndaj Kubës pothuajse çdo javë me qëllim të ushtrimit të presionit mbi autoritetet e vendit.

Kuba njoftoi se është gati për reforma ekonomike dhe negociata, por se sistemi i saj politik nuk është subjekt diskutimi.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

4 të plagosur në sulmin amerikan në jugperëndim të Iranit

Katër persona u plagosën pasi predhat e qëlluara nga forcat amerikane goditën qytetin jugperëndimor iranian të Omidiyeh të martën herët, tha një zyrtar i lartë...
09:01 | 14/07/2026

Jared Kushner i bashkohet takimit të donatorëve të BE-së për Gazën, çfarë përmban paketa 900 milionë euro

Jared Kushner iu bashkua një konference të mbështetur nga BE-ja mbi Gazën nëpërmjet një lidhjeje video të hënën, ndërsa Brukseli nisi një iniciativë ndërkombëtare prej...
08:38 | 14/07/2026

Dy tërmete të forta godasin Meksikën, sa ishte magnituda

Dy tërmete, me magnitudë 5.0 dhe 4.0 të shkallës Rihter, goditën sot Meksikën, njoftoi Qendra Sizmologjike Evropiane-Mesdhetare (EMSC). Epiqendra e tërmetit më të fortë ishte...
08:30 | 14/07/2026