Shpjegues: Ofensiva turke dhe ndikimi i saj te kurdët dhe qeveria e Damaskut
Turqia nisi një operacion ushtarak kundër luftëtarëve kurdë në verilindje të Sirisë gjatë së mërkurës, me sulmet e para ajrore që goditën qytetin kufitar Ras al Ain.
Operacioni mund të riformësojë hartën e konfliktit sirian për të disatën herë, duke i dhënë kështu një goditje forcave të kryesuara nga kurdët, që luftuan kundër Shtetit Islamik, ndërkohë që zgjerojnë kontrollin territorial të Turqisë në kufirin me Sirinë.
Kjo është mësymja e tretë e Turqisë që prej vitit 2016. E motivuar kryesisht nga synimi për të përmbajtur fuqinë e kurdëve sirianë, Turqia ka pasur trupa në terren në një zonë të gjerë të veriperëndimit të Sirisë, aty ku ishte edhe fortesa e fundit e rebelëve që luftonin qeverisë së Damaskut.
Çfarë kërkon Turqia?

Turqia ka dy objektiva kryesore në verilindjen e Sirisë: të zmbrapsë nga kufiri i saj milicitë kurde të njohura me akronimin “YPG”, të cilat i konsideron një kërcënim për sigurinë, si dhe të krijojë një hapësirë brenda territorit sirian, ku të mund të zhvendosen dy milionë refugjatët sirianë që strehohen aktualisht në Turqi.
Prej kohësh, Ankaraja zyrtare ka kërkuar bashkëpunimin e Shteteve të Bashkuara për krijimin e një “zone sigurie” prej 32 km brenda kufirit sirian, por ka paralajmëruar gjithashtu se mund të ndërmarrë veprime të njëanshme ushtarake pas hezitimit të Uashingtonit.
Së fundi, presidenti Erdogan ka folur për thellimin e kësaj “zone sigurie” deri në qytetet Raqqa dhe Deir al-Zor, për të lejuar kështu kthimin e më shumë refugjatëve në Siri.
Çfarë ndikimi do të ketë ndaj kurdëve?
Forcat Demokratike Siriane (SDF) të udhëhequra prej kurdëve kanë luftuar ndër vite dhe kanë zgjeruar kontrollin e tyre në Sirinë Veriore dhe Lindore, të ndihmuar edhe nga koalicioni i kryesuar nga Shtetet e Bashkuara që luftoi kundër të ashtuquajturit Shtet Islamik.
Si një rast i veçantë triumfuesish në luftën civile siriane, kurdët me aleatët e tyre kanë krijuar edhe trupat e tyre qeverisëse, edhe pse gjithnjë kanë këmbëngulur se synimi i tyre është autonomia dhe jo pavarësia. Kjo gjë mund të zhbëhet me avancimin ushtarak të Turqisë.
[twitter_feed=https://twitter.com/cmoc_sdf/status/1181944164751233024]
Drejtues të “SDF”-së kanë thënë prej kohësh se një ofensivë turke mund të nxiste një valë të re zhvendosjeje masive të popullsisë. Gjithçka do të varej nga vendimi i Shteteve të Bashkuara për të mbajtur apo jo trupat e tyre në pjesë të ndryshme në verilindje apo lindje të Sirisë, sipas aleancës “SDF”, ku milicitë kurdo-siriane “YPG” janë forcë dominuese.
[twitter_feed=https://twitter.com/cmoc_sdf/status/1181924247112949762]
Tërheqja e plotë e trupave amerikane do ta ekspozonte zonën përballë rrezikut të avancimit të mëtejshëm turk, rigjallërimit të Shtetit Islamik, apo përpjekjeve të forcave qeveritare të mbështetura nga Irani dhe Rusia për të fituar më shumë terren.
Të përballur me mundësinë e tërheqjes së plotë të SHBA-ve vitin e kaluar, kurdët “trokitën” në dyert e Damaskut për bisedime, në mënyrë që t’u lejonin qeverisë siriane dhe Rusisë aleate të dislokonin trupa në kufi. Bisedimet ishin të pasuksesshme, por negociatat janë ende një opsion tashmë që Trump tërhoqi trupat e Shteteve të Bashkuara.
Deri ku mund të shkojë Turqia?

Rajoni kufitar verilindor, i kontrolluar aktualisht nga forcat e drejtuara prej kurdëve, shtrihet në një gjatësi prej 480 km nga lumi Eufrat në Perëndim, deri në kufirin me Irakun, në Lindje. Fokusi i ofensivës ushtarake të Turqisë është një seksion kufitar mes qyteteve Ras al Ain dhe Tel Abyad, me një distancë 100 km nga njëri-tjetri. Trupat amerikane u tërhoqën nga pozicionet mbikëqyrëse ditën e hënë.
Për shkak të sulmeve ajrore të së mërkurës në Ras al Ain, por edhe disa shpërthimeve të fuqishme në Tel Abyad, shumë banorë nisën shpërnguljen. E megjithëse është nën kontrollin e kurdëve, kjo pjesë e kufirit ka pasur një prani historike të arabëve, me të cilët Turqia ka lidhje të forta. Për këtë shkak, ekspertë të gjeopolitikës thonë se “YPG-të do të derdhin shumë gjak nëse do të mbrojnë territoret”.
A e mbështesin Rusia dhe Irani lëvizjen e Turqisë?
Rusia dhe Irani, dy prej fuqive madhore të huaja me prani në Siri, mbështesin fuqishëm presidentin Bashar al-Assad, ndryshe nga Turqia dhe Shtetet e Bashkuara, të cilat i kërkuan atij të dorëhiqej dhe mbështetën rebelët në betejën e tyre për ta rrëzuar atë nga pushteti.
Rusia mbështet të drejtën e Turqisë për t’u vetëmbrojtur, por zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov u shpreh të hënën se integriteti territorial i Sirisë duhet të mos preket dhe se, të gjitha forcat e huaja ushtarake “me prani të paligjshme” duhet të largohen nga Siria.
Tashmë që trupat amerikane janë tërhequr nga verilindja e Sirisë, qeveria e Damaskut me mbështetjen e Rusisë mund të përpiqet të rimarrë kontrollin e shumicës së territorit ku momentalisht nuk ka shkelur Turqia.
Si ka reaguar Perëndimi ndaj planit të Turqisë?
Në fakt, jo vetëm që nuk ka pasur asnjë mbështetje publike nga aleatët perëndimorë, por plani i Turqisë për të rikthyer dy milionë sirianë, më shumë se gjysma e refugjatëve që strehon aktualisht vendi, në verilindje të Sirisë është pritur me kritika. Një zyrtar i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit e përshkroi planin si “ndoshta ideja më e çmendur që kam dëgjuar ndonjëherë”.
Shqetësimi kryesor i Perëndimit është se, një fluks sirianësh arabo-sunitë në verilindjen e dominuar nga kurdët do të ndryshonte demografinë e rajonit. Koordinatori rajonal i Kombeve të Bashkuara për krizën e Sirisë paralajmëroi se të gjitha palët duhet të evitojnë zhvendosjen masive të civilëve, nëse Turqia niste një ofensivë.
Çfarë do të thotë kjo për Assadin?

Edhe pse territori në fjalë nuk është nën kontrollin e qeverisë siriane aktualisht, mësymja ushtarake turke nënkupton që zona të kalojë nga një forcë jo “armiqësore” si “SDF”-ja, në duart e Turqisë dhe rebelëve që kanë kërkuar prej vitesh rrëzimin e Assadit.
Damasku e ka parë Turqinë si një fuqi pushtuese me synime të qarta në Sirinë Veriore, e për këtë ka tentuar shpesh arritjen e një marrëveshjeje me kurdët, pavarësisht se negociatat e fundit ishin të pafrytshme.
Çfarë do të thotë kjo për Shtetin Islamik?
Kaosi mund t’i ofrojë një mundësi të mirë grupit xhihadist të Shtetit Islamik për të tentuar rigjallërimin, ndërkohë që Forcat Demokratike Siriane (SDF) kanë zhvilluar operacione ndaj “qelizave të fjetura” të ISIS-it, që prej marrjes nën kontroll të territorit në fillim të këtij viti.
Udhëheqësit kurdo-sirianë kanë paralajmëruar se “SDF”-të nuk do të mund të mbajnë më të burgosurit e Shtetit Islamik, nëse situata do të destabilizohej nga ofensiva turke. Kurdët mbajnë rreth 5.000 luftëtarë sirianë dhe irakianë të ISIS, si dhe 1.000 luftëtarë të huaj nga më shumë se 55 shtete, sipas asaj që ka njoftuar Departamenti për Marrëdhëniet me Jashtë i administratës kurde në Sirinë Veriore.
Tajani: Është SHBA-ja ajo që “duhet ta ndalojë Izraelin” për paqen në LM
SHBA tërheq trupat nga Lituania
Irani shënjestron anijen amerikane në Gjirin e Omanit! Araghchi: Nëse Izraeli sulmon Bejrutin, rifillon lufta
- 23:16 Mot i keq në Shkodër, autoritetet apel qytetarëve: Shmangni zonat me risk
- 23:07 “Opozitë e krimit”! Protestuesit nga selia e PS-së shkojnë para selisë së PD-së
- 22:35 Tajani: Është SHBA-ja ajo që “duhet ta ndalojë Izraelin” për paqen në LM
- 22:33 SHBA tërheq trupat nga Lituania
- 22:28 Qytetarët bllokojnë rrugën pranë selisë së PS-së, thirrje të rinjve: Ngrihuni nga kafet
- 22:27 Irani shënjestron anijen amerikane në Gjirin e Omanit! Araghchi: Nëse Izraeli sulmon Bejrutin, rifillon lufta