Si u grabit ARMO! Një histori kolapsi, borxhesh e protestash për uzinën e naftës

7 Tetor 2020 | 20:10

Greva e urisë së naftëtarëve të Ballshit ka hyrë në javën e dytë, ndërsa ende nuk ka asnjë sinjal për hedhjen e 26 pagave të prapambetura. Historia e tyre nis në vitin 2008 kur Uzina u privatizua dhe që prej asaj kohe, shoqëritë që e kanë administruar e kanë zhytur në kolaps financiar.

Naftëtarët e Ballshit kanë hyrë në javën e dytë të grevës së urisë me shpresën se do të marrin pagat e prapambetura për 26 muaj. Me një listë të gjatë borxhesh në dyqane e farmaci, ata kërkojnë zgjidhje për padrejtësitë nga puna në rafinerinë e naftës. Por përse nuk u jepet zgjidhje punonjësve të naftës?

Rafineria u privatizua në vitin 2008 nga Rezart Taçi për 128 milionë euro nëpërmjet kompanisë të regjistruar në Zvicër, AMRA Oil, ndërsa 5 vjet më vonë, u shit tek HINI ASETS, një kompani offshore e kontrolluar prej drejtuesve të Bankës Ndërkombëtare të Azerbajxhanit.

Por, Heaney Assets (HINI ASETS) dështoi brenda një viti dhe hoqi dorë nga menaxhimi. Në vitin 2014, borxhet e ARMO-s kapnin vlerën e 404.5 milionë dollarëve.

Ndërkohë, një raport i brendshëm i Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë i 4 shkurtit 2016 zbulonte se borxhet e ARMO-s kishin arritur 595 milionë dollarë (nga të cilat rreth 25 milionë ishin krijuar në vitin 2014 dhe 137 milionë në vitin 2015. Nga ky borxh, 205 milionë dollarë ishin detyrime ndaj shtetit: 20 milionë dollarë akcizë e papaguar dhe 185 milionë dollarë taksa të tjera të papaguara (TVSH, tatim fitimi, sigurime shoqërore, etj.).

Me ndërmjetësimin e qeverisë shqiptare, në vitin 2015, rafineria u shit tek IRTC, me administrator Mitat Sulaj, vëllai e biznesmenit Besnik Sulaj.  Por, IRTC dështoi të paguante shumën e akorduar me bankën, sipas kontratës së shitjes me kusht.

Në vitin 2017, rafineria u shit te një kompani e regjistruar në Britaninë e Madhe, e quajtur Allum Enterprises Limited. Kjo kompani e dha me qira te “Tosk Energji” dhe Bylis Energji, dy shoqëri të kontrolluara nga kompani guaskë të regjistruara në Zvicër.

Në vitin 2018 Rafineria u mor në administrim nga kompania Tosk Energji, e cila nuk pranoi asnjë detyrim te papaguar ndaj punonjësve me arsyetimin se e ka marre vetëm në përdorim, duke hapur mandej edhe një konflikt me Bankers Petroleum për mosrespektim të kontratave. Vitin e kaluar edhe Tosk Energji hyri në kolaps financiar dhe nuk ishte më në gjendje të blinte naftë bruto nga Bankers për të vazhduar biznesin, për më tepër për të vijuar aktivitetin që do të garantonte shlyerjen në kohë të pagave për naftëtarët.

“Euronews Albania” kontaktoi me zyrën e shtypit në MIE, e cila tha se nuk mund të ndërhyjë në këtë situatë, pasi është një çështje që i përket administratorëve të rafinerisë dhe punonjësve. Ndërkohë, edhe kryeministri Edi Rama ngarkoi me përgjegjësi kompaninë për anormalitetin e krijuar në uzinën e Ballshit, madje duke e akuzuar për administrim kriminal.

“Ajo është një kompani private. Është një kompani e privatizuar në mënyrë kriminale dhe janë pasojat e një procesi privatizimi kriminal…. Ajo rafineri është keq shfrytëzuar…. Ajo rafineri do një investim të madh për t’u rimëkëmbur”, shprehet Rama.

Ndërsa, kreu i PD-së, Lulzim Basha, vizitoi nga afër naftëtarët, duke iu premtuar se pas 25 prillit, pagat për ta do të shlyhen nga buxheti i shtetit, ndërsa paratë që shkojnë afro 8 milionë euro do t’i kërkohen me forcë administratorëve të uzinës.

“Ato para do të paguhen nga shteti. Shteti do lajë pjesën e borxhit që ka me ju që iu ka sjellë vërdallë për muaj dhe për vite të tëra”, deklaroi Basha.

Kompania ARMO përgjatë 12 viteve në administrimin e privatëve ka shënuar vetëm bilance negative, ndërsa hije dyshimi ngrihen edhe mbi qeveritë, të cilat kanë lejuar këtë situatë, me mos mbledhjen e taksave apo amnistive fiskale.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Shqipëria bëhet e dyta më e shtrenjta në Ballkan për qiratë ditore

Fluksi i lartë i të huajve që po vijnë në Shqipëri, të nxitur nga çmimet e lira të akomodimit, po çon në një shtrenjtim të...
14:50 | 03/06/2026

Këmbimi valutor 3 qershor/ Me sa blihen e shiten monedhat kryesore

Në tregun e këmbimit valutor shqiptar, një dollar amerikan do të blihet sot me 81.4 lekë dhe do shitet me 82.4 lekë. Ndërkohë monedha evropiane...
08:58 | 03/06/2026

Shqipëria humbi 28 500 banorë në 2025, mosha mesatare arrin në 45 vjeç

Shqipëria ka hyrë në një fazë të re të krizës demografike. Të dhënat më të fundit të INSTAT tregojnë se popullsia e vendit ka zbritur...
17:25 | 02/06/2026