Tension mes dy Koreve, Veriu hedh në erë zyrën ndërlidhëse
Korea e Veriut hedhi në erë të martën zyrën ndërlidhëse me Jugun, e ndodhur në qytetin kufitar të Kaesongut. Ngjarja ndodhi disa orë pasi Peniani përsëriti kërcënimet e tij për ndërhyrje ushtarake në kufirin mes dy vendeve.
Zyra ndërlidhëse u hap në vitin 2018 për të ndihmuar dy Koretë, zyrtarisht në gjendje lufte, për të komunikuar. Por ajo ka qenë e boshatisur që prej janarit për shkak të kufizimeve të koronavirusit.
Në një deklaratë, Seuli zyrtar paralajmëroi se do të përgjigjet me ashpërsi nëse Veriu vijon të përkeqësojë situatën.
“Shkatërrimi i zyrës shuan shpresat e kujtdo që dëshironte zhvillimin e marrëdhënieve ndër-Koreane dhe paqen në gadishullin Korean”, thuhet në deklaratë, ku shtohet se përgjegjësia për situatën bie mbi Penianin.
Tensionet mes dy Koreve janë përshkallëzuar prej disa javësh për shkak të disa grupeve dezertorësh që kanë shkuar drejt Jugut dhe kanë shpërndarë materiale propagande në kufi.
Kim Yo Jong, e motra e liderit koreano-verior Kim Jong Un, kërcënoi në fundjavë se do ta shkatërronte zyrën ndërlidhëse.
Fillimisht kishte shpresa për përmirësimin e marrëdhënieve mes Veriut dhe Jugut, si dhe aleatit të ngushtë të kësaj të fundit, Shteteve të Bashkuara, pasi presidenti Donald Trump u takua me Kim në zonën kufitare qershorin e kaluar. Por asgjë nga atmosfera pozitive nuk u materializua dhe që atëherë situata është përkeqësuar.
Aktualisht Korea e Veriut ndodhet nën sanksionet e Shteteve dhe Kombeve të Bashkuara për shkak të programit të saj bërthamor. Lidhur me ngjarjen e fundit kanë reaguar edhe Kina e Rusia, me të parën që ka shprehur shpresën që palët të rivendosin marrëdhëniet dhe të dytën që është shprehur e shqetësuar për situatën.
Tajani: Është SHBA-ja ajo që “duhet ta ndalojë Izraelin” për paqen në LM
SHBA tërheq trupat nga Lituania
Irani shënjestron anijen amerikane në Gjirin e Omanit! Araghchi: Nëse Izraeli sulmon Bejrutin, rifillon lufta
- 23:16 Mot i keq në Shkodër, autoritetet apel qytetarëve: Shmangni zonat me risk
- 23:07 “Opozitë e krimit”! Protestuesit nga selia e PS-së shkojnë para selisë së PD-së
- 22:35 Tajani: Është SHBA-ja ajo që “duhet ta ndalojë Izraelin” për paqen në LM
- 22:33 SHBA tërheq trupat nga Lituania
- 22:28 Qytetarët bllokojnë rrugën pranë selisë së PS-së, thirrje të rinjve: Ngrihuni nga kafet
- 22:27 Irani shënjestron anijen amerikane në Gjirin e Omanit! Araghchi: Nëse Izraeli sulmon Bejrutin, rifillon lufta