Trump flet pas takimit me Zelenskyn: Brenda pak javësh bëhet e qartë nëse lufta mund të përfundojë

28 Dhjetor 2025 | 23:50

Pas bisedimeve të zhvilluara në rezidencën Mar-a-Lago, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, dhe presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, zhvilluan një telefonatë të përbashkët me udhëheqësit evropianë dhe më pas dolën në një konferencë për shtyp, ku folën për progresin e bisedimeve lidhur me luftën në Ukrainë.

Duke hapur konferencën, Trump e cilësoi takimin si “të mrekullueshëm”, duke theksuar se palët kanë diskutuar një sërë çështjesh kyçe dhe se janë “shumë afër” një zgjidhjeje. Ai bëri të ditur se së bashku me Zelenskyn kanë zhvilluar biseda edhe me liderët evropianë, të cilët i përshkroi si “udhëheqës të shkëlqyer”, duke shtuar se është shënuar përparim i madh drejt përfundimit të luftës në Ukrainë.

I pyetur se sa kohë mund të duhet për t’i dhënë fund konfliktit, Trump u shpreh se një zgjidhje mund të arrihet brenda “disa javësh”, por theksoi se ekziston edhe mundësia që kjo të mos ndodhë.
“Brenda disa javësh do ta dimë në një mënyrë ose në tjetrën,” deklaroi ai.

Trump u pyet gjithashtu nëse mund të parashikojë një takim trepalësh mes Rusisë, Shteteve të Bashkuara dhe Ukrainës. Në përgjigje, ai tha se një takim i tillë mund të zhvillohet “në kohën e duhur”.

Sipas tij, presidenti rus Vladimir Putin është i interesuar që një takim i tillë të ndodhë.
“Ai dëshiron ta shohë të ndodhë. Ma tha këtë shumë fuqishëm dhe unë i besoj,” u shpreh Trump.

Presidenti amerikan bëri të ditur gjithashtu se ka zhvilluar një bisedë telefonike me Vladimir Putinin, e cila ka zgjatur rreth dy orë e gjysmë.

Në deklaratat e tij, Trump tha se ka diskutuar me Putinin edhe për centralin bërthamor të Zaporizhzhias në Ukrainë, i cili ndodhet nën kontrollin rus që nga fillimi i luftës.

“Ai nuk e ka goditur me raketa,” shtoi presidenti amerikan, duke iu referuar centralit bërthamor.

I pyetur për çështjet më të vështira që mbeten ende të pazgjidhura, Trump u ndal te territori. “Mendoj se toka është çështja kryesore. Një pjesë e saj është marrë, një pjesë mund të jetë e disponueshme për t’u blerë, por mund të merret edhe gjatë muajve të ardhshëm,” tha ai. Sipas Trump, është më mirë që një marrëveshje të arrihet tani, duke vlerësuar guximin e Ukrainës dhe duke theksuar se konflikti ka shkaktuar dëme të jashtëzakonshme.

Presidenti amerikan u shpreh gjithashtu i hapur për të vizituar Ukrainën, por theksoi se do të preferonte që më parë të arrihej një marrëveshje paqeje. Ai shtoi se është ofruar të mbajë një fjalim në parlamentin ukrainas, nëse kjo do të konsiderohej e dobishme. “Jeni gjithmonë i mirëpritur,” iu përgjigj Zelensky.

Duke folur për rajonin e Donbasit, presidenti ukrainas tha se qëndrimi i Ukrainës është i qartë dhe se Kievi respekton territorin që aktualisht kontrollon. “Ne kemi një qëndrim të ndryshëm nga Rusia,” theksoi ai. Ndërkohë, Trump deklaroi se garancitë e sigurisë janë pothuajse të përfunduara, duke i vlerësuar ato si rreth 95%, ndërsa më vonë Zelensky tha se garancitë e sigurisë SHBA–Ukrainë janë dakordësuar plotësisht.

I pyetur për mundësinë e një zone të tregtisë së lirë në Donbas, Trump tha se çështja mbetet ende e pazgjidhur, por se palët janë shumë pranë një marrëveshjeje. Zelensky theksoi se garancitë e sigurisë janë elementi kryesor për arritjen e një paqeje të qëndrueshme, duke shtuar se ekipet evropiane dhe ukrainase do të vazhdojnë punën dhe do të takohen në javët në vijim për të finalizuar të gjitha çështjet e diskutuara.

Sipas tij, ekipet do të priten në Uashington në muajin janar për raunde të mëtejshme bisedimesh. Trump, nga ana e tij, tha se ishte një nder të priste delegacionin ukrainas, duke i cilësuar ata si “njerëz të mëdhenj dhe të fortë”.

Në përfundim, Zelensky falënderoi Trump për një “takim të shkëlqyer”, duke bërë të ditur se palët kanë diskutuar të gjitha aspektet e kuadrit të paqes. Ai shtoi se një plan paqeje me 20 pika është dakordësuar rreth 90%, ndërsa bashkëpunimi për garancitë e sigurisë mes SHBA-së dhe Ukrainës është arritur plotësisht, çka sipas tij përbën një hap të rëndësishëm drejt përfundimit të luftës.

Një gazetar pyet nëse Rusia do të ketë ndonjë përgjegjësi për të ndihmuar në rindërtimin e Ukrainës.

“Ata do të ndihmojnë”, thotë Trump për Rusinë. “Rusia dëshiron ta shohë Ukrainën të ketë sukses.”

Putini ishte shumë bujar në dëshirën e tij për të parë suksesin e Ukrainës, duke përfshirë “furnizimin me energji, elektricitet dhe gjëra të tjera me çmime shumë të ulëta”, thotë Trump.

Por Putini nuk ka rënë dakord për një armëpushim, sepse nuk dëshiron të ndalojë luftimet dhe pastaj të duhet të fillojë nga e para, thotë Trump.

“E kuptoj këtë qëndrim”, shton presidenti amerikan.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Tajani: Është SHBA-ja ajo që “duhet ta ndalojë Izraelin” për paqen në LM

Ministri i Jashtëm i Italisë Antonio Tajani tha të martën se Shtetet e Bashkuara janë vendi i pozicionuar më së miri për të ushtruar presion...
22:35 | 03/06/2026

SHBA tërheq trupat nga Lituania

Shtetet e Bashkuara kanë nisur tërheqjen e më shumë se 1 mijë ushtarëve amerikanë dhe pajisjeve ushtarake nga Lituania pas përfundimit të një periudhe dislokimi...
22:33 | 03/06/2026

Irani shënjestron anijen amerikane në Gjirin e Omanit! Araghchi: Nëse Izraeli sulmon Bejrutin, rifillon lufta

Irani thotë se marina e saj shënjestroi një anije detare amerikane që strehonte një “qendër komande dhe kontrolli” ndërsa ajo po i afrohej ujërave territoriale...
22:27 | 03/06/2026