Trump: Rezultate fenomenale, gati të festojmë fitoren

4 Nëntor 2020 | 07:35

Presidenti në detyrë Donald Trump u shpreh në një deklaratë për shtyp se “po bëhet gati për festimet” e fitores në zgjedhjet presidenciale.

Në deklaratën e tij Trump u shpreh i bindur për fitore edhe në shtetet më të diskutuara aktualisht si Michigan, Pensilvania apo Winsconsin, shtete që më herët u pretenduan “drejt fitores” nga kandidati demokrat Joe Biden.

“Po bëhemi gati për festimin e madh. Rezultatet e sotme kanë qenë fenomenale, bëhemi gati të dalim jashtë e të festojmë këtë sukses me numra rekord, fituam shtete që nuk i prisnim, i fituam me diferencë të madhe,” – u shpreh Trump në konferencë për shtyp.

“Është e qartë se kemi fituar Giorgian, fituam Karolinën e Veriut, nëse shohim Arizonën, kemi shumë mundës… dikush [Biden] deklaroi se ishte në fitore për të, por ka më shumë vota për t’u numëruar dhe aty mund të përmbyset rezultati, është e pritshme se mund t’i arrijmë, kemi mundësi të mirë që situata dhe numrat të ndryshohen. Kemi fituar Pensilvaninë me diferencë shumë të madhe. Kemi fituar Michiganin, kam parë numrat dhe jam habitur, po fitojmë Winsconsin…” – u shpreh Trump.

Presidenti aktual i SHBA iu rikthye më pas komentit të bërë më herët prej tij në Twitter se “demokratët po përpiqen t’i vjedhin zgjedhjet”.

Ai tha se republikanët janë kundër mënyrës se si po veprohet me procesin e numërimit të votave.

Trump u shpreh se po përpiqen që procesi të shtyhet, gjë që sipas tij bëhet nën dyshimin e fortë se “po kërkohet t’i shtojnë votat pas procesit të mbyllur”. 

Pretendimet e Trump janë të paqarta, pasi sipas legjislacionit zgjedhor votat e nisura me postë vlejnë edhe nëse mbërrijnë pas datës së zgjedhjeve, mjafton që ato të jenë postuar në kohë.

“Jemi kundër metodës që po përdoret për numërimin e votave. Duam që ligji të zbatohet, duam që procesi i votimit të ndalojë dhe nuk duam që me zgjatjen e procesit t’i shtojnë votat në listë,” – u shpreh Trump duke nënkuptuar se do t’ia përcjellin pretendimet Gjykatës së Lartë.

Pavarësisht pretendimeve të Trump, të dhënat aktuale nga numërimi nuk përputhen me pretendimet e tij. Deri më tani në votat për Kolegjin Zgjedhor, kryeson Joe Biden me 225 vota kundrejt 213 që ka Trump.

 

Lexoni gjithashtu:

Trump: Po mundohen t’i vjedhin zgjedhjet, por nuk do t’i lejojmë

Biden mban fjalim pas zgjedhjeve: Besojmë se jemi në rrugën e fitores

Live Blog: Rezultatet e zgjedhjeve në SHBA, Trump-Biden në garë të ngushtë

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara