Turqia arreston 10 admiralë në lirim pas kritikave ndaj pushtetit

5 Prill 2021 | 09:32

Autoritetet turke arrestuan të hënën 10 admiralë në lirim pas një letre publike të nënshkruar nga 104 ish-ushtarakë të marinës, të cilët shprehën shqetësim për shkelje të mundshme të një traktati mbi ujërat detare nga Ankaraja.

Prokurorët urdhëruan gjithashtu që katër ish-ushtarakë, të cilët nuk u arrestuan për shkak të moshës, të raportojnë brenda tre ditëve të ardhshme.

Të arrestuarit akuzohen për “cenim të rendit kushtetues”. Ngjarja ndodh një ditë pasi ushtarakët në lirim kritikuan vendimin e qeverisë për të zhvilluar projektin e “Kanalit të Stambollit”, një projekt kalimi detar i ngjashëm me ato të Panamasë dhe Suezit që synon të lidhë Detin e Zi me Detin Marmara.

Me letrën publike ushtarakët ngritën shqetësimin se ky plan mund të shkelë traktatin e Montreux, nënshkruar në vitin 1936 me Rusinë, Mbretërinë e Bashkuar, Greqinë, Bullgarinë, Francën etj. Ky traktat i dha Turqisë kontrollin e ngushticës së Dardaneleve dhe Bosforit duke sanksionuar lëvizjen e lirë të anijeve civile që kalojnë tranzit dhe që nuk vijnë nga shtete që lagen prej Detit të Zi.

Zyrtarët turq thonë se projekti i Kanalit të Stambollit është jetik për menaxhimin më të mirë të kalimeve në Bosfor, linjë të cilën e përshkojnë rreth 38 mijë anije në vit dhe ku shpesh ka pasur aksidente.

Mirëpo ushtarakët në lirim kanë ngritur shqetësimin se Kanali i Stambollit mund t’u japë dalje në Mesdhe “shteteve që lagen nga Deti i Zi” – mes të cilave Rusia – në anashkalim të traktatit të Montreux. Në letrën e tyre ushtarakët në lirim theksonin se “traktati mbron interesat e Turqisë”.

Gazeta lokale Hurriyet, citoi zëdhënësin e Presidentit Recep Tayyip Erdogan, Ibrahim Kalin, të thoshte se letra e ish-ushtarakëve “kujton periudhat e grushtit të shtetit”.

Mes viteve 1960-1980 nga ushtria turke janë organizuar të paktën dy grushte shteti të cilat janë justifikuar me “garantimin e kushtetutës laike të vendit”.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Tajani: Është SHBA-ja ajo që “duhet ta ndalojë Izraelin” për paqen në LM

Ministri i Jashtëm i Italisë Antonio Tajani tha të martën se Shtetet e Bashkuara janë vendi i pozicionuar më së miri për të ushtruar presion...
22:35 | 03/06/2026

SHBA tërheq trupat nga Lituania

Shtetet e Bashkuara kanë nisur tërheqjen e më shumë se 1 mijë ushtarëve amerikanë dhe pajisjeve ushtarake nga Lituania pas përfundimit të një periudhe dislokimi...
22:33 | 03/06/2026

Irani shënjestron anijen amerikane në Gjirin e Omanit! Araghchi: Nëse Izraeli sulmon Bejrutin, rifillon lufta

Irani thotë se marina e saj shënjestroi një anije detare amerikane që strehonte një “qendër komande dhe kontrolli” ndërsa ajo po i afrohej ujërave territoriale...
22:27 | 03/06/2026