Të gjithë këta persona përmes një mesazhi morën konfirmimin se ora e tyre e vaksinimit ishte planifikuar. Duhen pak minuta për të treguar ID dhe t’u përgjigjen disa pyetjeve. Për shumë mjekë dhe infermierë që kanë qenë në vijën e frontit në luftën kundër covid-19, injektimi është më shumë se një mënyrë për të mbrojtur veten. Doktoresha Guerra shprehet se është fundi i një makthi.
“Isha shumë në ankth kur punoja në repartin e Covid-19. Prandaj imagjinojeni sesa kuptim ka për mua dita e sotme. Isha shumë e frikësuar”, u shpreh Maristella Guerra, mjeke.
“Është e pamundur të shpjegoj se çfarë ndodhte brenda në spital gjatë pandemisë. Shumë gjëra janë thënë por për ata që punonin aty çdo gjë ishte ndryshe. Për më shumë kur duhet të kuptoje se ndonjëherë ka beteja të cilat nuk mund t’i fitosh. Edhe sepse vetë je e sëmurë. Çdo ditë ishim të mbingarkuar me emocione. Sot në veçanti ndihem në ankth”, u shpreh Yasmine Marcella Irace, infermiere.
Pak ditë më parë ajo kishte dyshime nëse duhej të vaksinohej.
“Po në fillim kisha frikë të merrja vaksinën, por në punën time nuk mund të thoja jo. Duhet ta bëja për të mirën e të gjithë komunitetit, për të gjithë”, tha ajo më tej.
Loredana ka administruar vaksinën që nga dita e 1 e fushatës. Ajo shprehet se marrja e vaksinës mund të përmirësojë punën në ekip.
“Duhet të kemi marrëdhënie të mira mes kolegësh në mënyrë që të punojmë për të përballuar e tejkaluar këto kohë të errëta”, thotë Loredana Piacenti, infermiere
Drejtori i njësisë shëndetësore lokale beson se është arritur një moment historik i rëndësishëm.
“Qëllimi i asaj që bëjmë dhe i shërbimit që ne ofrojmë është vënë përsëri në qendër të përpjekjeve tona, të cilat nuk kanë të bëjnë thjesht me luftimin e një emergjence, por edhe me mbrojtjen e komunitetit. Fushata e vaksinimit është një shembull i mirë i saj, tha Angelo Tanese.
Normat e vaksinimit ndryshojnë nga rajoni në rajon. Këtu në Lazio janë përdorur deri më tani rreth 70% të dozave. Në rajonin e Campanias, spitalet përfunduan rezervat e tyre të para më herët sesa në zonat e tjera. Autoritetet shëndetësore në rajonin e Lombardisë, epiqendra e pandemisë kanë qenë nën kritika për administrimin e shumë më pak vaksinimeve sesa kishin planifikuar.
Mbajtja nën kontroll e rritjes së numrit të rasteve me COVID-19 thuhet se është thelbësore për efektivitetin e fushatës së vaksinimit.
Ndërkohë që ka një debat të vazhdueshëm midis punonjësve të kujdesit shëndetësor për sa kohë që vaksina duhet të bëhet e detyrueshme për ta, për shumë mjekë që janë të parët që injektohen dërgon një mesazh inkurajimi për ata që ende hezitojnë. Kjo është arsyeja pse ata mbajnë këtë karficë në të cilën shkruhet “jam vaksinuar”.
Lexoni gjithashtu:
Britania pa oksigjen, Johnson jep alarmin: Rezervat po mbarojnë
Rreziku nga COVID-19 vijon, shtetet evropiane ende në vështirësi, pavarësisht vaksinave