English

Viti 2020 përgjatë një pandemie, miliona të infektuar dhe viktima, shpresa te vaksina

KOMENTE

SHPERNDAJE
ARTIKULLIN

Text sizeAa Aa

Përgjatë një viti e gjithë bota është pushtuar nga kriza e pandemisë së COVID-19 e cila ndryshoi menjëherë rrjedhën e ngjarjeve globale dhe prodhoi një nga periudhat më sfiduese të shëndetësisë që nga shpërthimi i gripit spanjoll në vitin 1918.

- Advertisement -

Qyteti i Wuhan në Kinë ishte epiqendra ku u identifikuan rastet e para me të infektuar nga SARS-Cov 2/COVID-19, një sëmundje e re e shkaktuar nga një agjent viral që prek rrugët respiratore, si dhe një degëzim i SARS që shpërtheu në Azi ne vitet 2002-2004.  

Sipas studiuesve dhe autoriteteve kineze, pacienti i parë që u sëmur nga ky lloj i ri i coronavirusit daton më 1 dhjetor 2019, teksa vazhdoi të zgjerohej më tej diapazoni i rasteve të infektuara në qytetin e Ëuhan.

Origjina fillestare e këtij virusi, i gjendur tek lakuriqi i natës, mendohet të ketë qenë nga Tregu me Shumicë i Prodhimeve të Detit në Wuhan, një biznes i gjerë ku shiten prodhime mishi të gjalla ose jo.

Vëmendja tek ky treg erdhi në veçanti pasi personat e parë të infektuar, kanë frekuentuar dhe kanë blerë, me shumë gjasa prodhime mishi të lakuriqëve të natës, nga dyqanet e hapura të këtij pazari. E gjithë zona e këtyre dyqaneve u detyrua të mbyllej më 1 janar duke u shndërruar në një hapësirë të shkretë, ku asnjë kafshë ekzotike nuk u ekspozua më për qytetarët.

Një ngjarje kjo që solli edhe fillimin e një viti krizash të njëpasnjëshme.

Megjithatë data e saktë e shpërthimit të COVID-19 nuk mund të identifikohet, pasi periudha nga intubimi deri tek shfaqja e simptomave të virusit është nga 2 deri në 14 ditë që nga kontakti i parë, gjë që e bën më të vështirë edhe përcaktimin me siguri të plotë, të pacientit zero.

Burimi zyrtar i informacioneve të para për publikun e gjerë në periudhën fillestare të shpërthimit të kësaj sëmundjeje ishte Komisioni Komunal i Shëndetësisë në Wuhan. Për të paktën dy muaj, autoritetet kineze rezervoheshin të jepnin më shumë të dhëna rreth shpërthimit të virusit të ri, duke konfirmuar vetëm 41 pacientë me coronavirus deri në datën 18 janar. Një gjë e tillë çoroditi dhe futi në ankth të gjitha qeveritë globale, pasi mungesa e informacionit nga Kina nuk i ofroi gjë tjetër veçse frikë, vendeve përtej kufijve të shtetit komunist.

Spitalet e qytetit kinez nuk reshtën së mbushuri me pacientë të cilët rezultonin me simptoma të një ftohjeje pulmonare të mushkërive të shkaktuar nga një virus ‘i mistershëm’, ashtu sikurse e ka quajtur edhe Organizata Botërore e Shëndetësisë përpara se sëmundja të kapërcente kufijtë kombëtarë të Kinës.

Data 23 janar e vitit 2020 shënoi edhe izolimin mbarëkombëtar të Ëuhanit duke kufizuar lëvizjen e një popullsie prej 11 milionë banorësh. Në mënyrë paralele virusi kishte arritur të përhapej edhe në 19 vende të tjera, ku kishte shkaktuar më shumë se 9800 raste me të infektuar dhe mbi 200 viktima. Rastet që numëroheshin I kishin tejkaluar tashmë territoret e kontinentit aziatik duke u përqendruar edhe në Evropë e në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.                                  

Kjo situatë do të ishte edhe fillimi i një emergjence globale.

Me mijëra shtetas të huaj lanë pas qytetin e Ëuhanit dhe filluan të riatdhesoheshin në vendet e tyre, megjithatë një gjë e tillë nuk ishte në favor të parandalimit të kësaj sëmundjeje të re. Vende të ndryshme, si Shtetet e Bashkuara, Australia, Gjermania dhe Italia, filluan të mobilizoheshin duke anuluar fluturimet e duke mbyllur aeroportet për të shmangur hyrjen e personave të infektuar. Gjithashtu, autoritetet amerikane ashtu sikurse edhe shtete të tjera kërkonin që personat të cilët vinin nga Kina të karantinoheshin për të paktën dy javë në shtëpi. 

Ndërkohë, më 4 shkurt u fut në izolim të plotë edhe anija e parë turistike, Diamond Princess, e cila kishte ndaluar në portin e qytetit Yokohomo në Japoni dhe kishte rezultuar me të paktën 10 raste fillestare pozitivë me coronavirus.

Mijëra pasagjerë u detyruan të mbylleshin brenda dhomave të tyre, pa asnjë kontakt fizik me persona të tjerë, të izoluar, me vetëm internetin si mjet komunikimi me familjarët dhe miqtë e tyre. Anija qëndroi në karantinë për rreth një muaj duke numëruar gjatë kësaj periudhe më shumë se 700 persona të infektuar dhe 14 viktima. Një situatë e tillë nxiti shtete të tëra të këshillonin shmangien e frekuentimit të anijeve turistike, si dhe shumë prej tyre u detyruan të pezullojnë aktivitetin.

Pavarësisht masave fillestare të mbylljes së kufijve dhe këshillimit të shmangies së udhëtimeve, vazhdoi rritja e numrit me të infektuar. Organizata Botërore e Shëndetësisë e emërtoi këtë sëmundje të re si COVID- 19.                                                                                

Simptomat që shfaqeshin tek pacientët e infektuar ishin të qarta. Në rastet më të zakonshme ato përfshinin temperaturë, kollë të thatë, lodhje, dhimbje koke, humbje e ndjesisë për të shijuar apo për të nuhatur, si dhe vështirësi në frymëmarrje. Megjithatë këto simptoma, të ngjashme me ato të një gripi sezonal, e vështirësonin identifikimin e rasteve që ishin vërtet pozitiv me COVID-19.   

Më 11 mars në një moment kur kurba e infektimeve ishte rritur mjaftueshëm, Organizata Botërore e Shëndetësisë e cilësoi situatën si një pandemi globale. 

[
cite_header=Ne jemi të shqetësuar si nga niveli alarmues i shpejtësisë së përhapjes dhe agresivitetit të virusit ashtu edhe nga niveli i lartë i infektimit. Si rrjedhojë kemi vlerësuar se COVID 19 mund të karakterizohet si një pandemi.
cite_author=Tedros Adhanom Ghebreyesus
cite_description=Drejtor i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë
]

 

Italia ishte epiqendra e Evropës e cila u shndërrua edhe në shtetin e parë më të prekur në kontinet, duke tejkaluar edhe shifrat e Kinës. Me shfaqjen e rasteve të para në veri të shtetit italian, qeveria ndërmori edhe vendosjen e karantinimit të të paktën 50.000 qytetarëve në zonën e Lombardisë. Megjithatë një masë e tillë nuk ishte e mjaftueshme, prandaj më 9 mars kryeministri italian Giuseppe Conte shpalli izolimin mbarëkombëtar të vendit, ku mbi 60 milionë persona u detyruan të mbylleshin në shtëpitë e tyre. Në këtë situatë qytetarët filluan të kalonin në panik duke zbrazur raftet e dyqaneve ushqimore me frikën se pandemia do të përkeqësohej.

Në një periudhë paralele edhe vendet e tjera evropiane u futën në krizën e valës së parë të pandemisë. Shumë shtete filluan të merrnin masa për të parandaluar krizën që po krijohej nga shtimi pa kriter i rasteve me të infektuar.

Bashkimi Evropian, më 17 mars, në kulmin e infektimeve, mbylli kufijtë me të gjitha vendet jashtë zonës shengen.

Ky muaj shënoi edhe fillimin e një mënyre të re jetese për qytetarët në mbarë botën. Qeveri të ndryshme aplikuan edhe masa të ndryshme. Megjithatë, kufizimet që u shndërruan në universale ishin se çdokush duhet të qëndronte të paktën 1 metër larg nga njëri-tjetri dhe të mbanin maska e doreza. Autoritete të ndryshme, ashtu sikurse edhe ekspertë, filluan të këshillonin gjerësisht metoda të shmangies së transmetimit të coronavirusit. Çdo platformë komunikimi ishte e mbushur me pamje dhe mesazhe si “lani apo dezinfektoni duart”, “mos prekni fytyrën” e të tjera si këto që u bënë moto të pandemisë.

Krahas këtyre masave, shtete evropiane si Franca apo Gjermania mbyllën shkollat, nxitën punonjësit të punonin në distancë, si dhe këshilluan të moshuarit të qëndronin brenda shtëpive. Shqetësimi arriti kulmin.

[
cite_header=Kjo pandemi që po prek të gjitha kontinentet dhe ka goditur vendet europiane është një nga krizat shëndetësore më të rënda që Franca ka parë që prej një shekulli.
cite_author=Emmanuel Macron
cite_description=President i Francës
]

Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Boris Johnson, paralajmëroi se gjatë kësaj periudhe fillestare të pandemisë së COVID-19 shumë persona “do të humbnin të dashurit e tyre para kohe”.

Ndërkohë, Johnson ishte një ndër figurat politike që u sëmur rëndë nga coronavirusi, aq sa shpenzoi tre dite në kujdes intensiv.

Pavarësisht masave graduale që çdo shtet ndërmori, numri i të infektuarve dhe viktimave vazhdoi të rritej. Si rrjedhojë muaji mars i vitit 2020, u shndërrua, edhe në periudhën kohore, kur vendet njëri pas tjetrit filluan të vendosnin izolim mbarëkombëtar.

Shumica e shteteve evropiane si Italia, Spanja, Franca, Gjermania dhe Greqia vendosën shtetrrethim të plotë, ndërsa kishte edhe nga ato vende si Suedia, Japonia, Korea e Jugut dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës që nuk ndërmorën izolime të tilla.

Për rreth tre muaj me radhë shumica e vendeve në botë u zgjuan për të parë rrugë boshe dhe krejtësisht të heshtura.

Të vetmet aktivitete të lejuara ishin dalja, e vetëm një personi, nga një familje gjatë një orari të kufizuar, për të blerë ushqime apo produkte të tjera të nevojshme. Në shumicën e shteteve, qytetarët që nuk zbatonin masat e vendosura nga qeveria, si mbajtja e maskave të detyruara, u vendoseshin gjoba.

Ndërsa të gjitha vendet e tjera të botës po futeshin në një krizë ekstreme, me mijëra të infektuar dhe viktima, Kina filloi të raportonte shumë pak raste.

Gjatë muajve të parë të pandemisë presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, iu drejtua amerikanëve duke u thënë se rreziku nga coronavirusi ishte “shumë i ulët”. Megjithatë, ai nuk u step të akuzonte Kinën si shkaktare e shpërthimit dhe zgjerimit të mëtejshëm të coronavirusit.

[
cite_header=Unë do të doja të filloja duke njoftuar disa zhvillime të rëndësishme në luftën tonë kundër virusit kinez
cite_author=Donald Trump
cite_description=Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës
]

Një gjë e tillë ngriti edhe polemika mes qytetarëve amerikanë të cilët filluan t’i emërtonin akuzat e presidentit si një “shpifje etnike”. Gjithashtu, edhe Ministria e Jashtme e Kinës, e zemëruar, kundërshtoi akuzat e Trump, duke i cilësuar ato si një njollosje për shtetin kinez. 

Pavarësisht këtyre akuzave, situata në botë vazhdoi të ishte po njëlloj.

Në mënyrë hipotetike filloi të mendohej se afrimi i sezonit të verës do të mposhte virusin si pasojë e temperaturave të larta. Qeveritë në mbarë globin, duke parë një ulje momentale të rasteve me COVID-19, ishin në të njëjtin mendim prandaj filluan të lehtësonin masat. Pas tre muajve izolim, qytetarëve iu lejua dalja nga shtëpitë e tyre.

Ditët e para të muajit qershor ishin një shenjë shprese për të gjithë, pasi dukej se çdo gjë po i rikthehej normalitetit.

Shumica e shteteve lehtësuan shtetrrethimin total dhe kufizimet anti-COVID duke hapur qendrat tregtare, lokalet, restorantet dhe aktivitete të tjera. Gjithashtu, Evropa përfundoi të hapte edhe kufijtë të cilat u mbushën me turistë që udhëtonin për pushimet verore.

Ndërkohë që vendet filluan të liberalizonin masat, numri i të infektuarve dhe viktimave të shkaktuara nga COVID-19 filloi të pësonte një rritje drastike.

Muaji gusht prezantoi një situatë ku infektimet kaluan 200.000 raste në ditë, ndërsa raportoheshin mbi 5.000 viktima çdo 24 orë. 

Në këtë periudhë, Zelanda e Re ishte një prej vendeve që nuk kishte regjistruar asnjë rast të ri me COVID-19 për 17 ditë, por vendi e humbi këtë status kur dy gra që sapo ishin kthyer nga Britania rezultuan pozitive, pasi nuk kishin zbatuar karantinën 14 ditore.

Megjithëse, situata në Europë po përjetonte një moment çlirimi, Organizata Botërore e Shëndetësisë paralajmëroi që asnjë vend të mos ndalte luftën kundër pandemisë, pasi lehtësimi i masave po e përkeqësonte zgjerimin e virusit në mënyrë globale.

Më 11 gusht, Rusia u bë vendi i parë që aprovoi një vaksinë për COVID-19. Vaksina ruse Sputnik V, u zhvillua nga Instituti Gamaleya i Moskës, në më pak se dy muaj testime tek vullnetarët. Ky lajm theu çdo barrierë, pasi aprovimi i një vaksine kundër coronavirusit erdhi në një kohë rekord. Në një moment të tillë presidenti rus, Vladimir Putin, bëri me dije se “vaksina është efektive, krijon imunitet dhe ka kaluar në të gjitha kontrollet e nevojshme”.

Ndërsa vaksina e parë anticovid mori aprovim, Agjencia e Ushqimit dhe Barnave në Shtetet e Bashkuara më 23 gusht hapi dritën jeshile për një tjetër trajtim mjekësor për sëmundjen. Agjencia amerikane dha aprovim për përdorimin e plazmës së gjakut të pacientëve që ishin shëruar nga COVID-19.

Përdorimi i këtij komponenti të gjakut, i marre nga trupi i të shëruarve, shërbeu për pacientët e rinj si një antitrup për të rritur sistemin imunitar. Tashmë të mbijetuarit u bënë heronjtë të cilët mund të jepnin kontributin e tyre në parandalimin e virusit.

Situata e pandemisë vazhdoi të përkeqësohej akoma më shumë, si në Evropë ashtu edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku kishin humbur jetën rreth 200.000 persona. Në nder të viktimave të pandemisë u vendosën simbolikisht 20.000 flamuj të vegjël poshtë Monumentit të Ëashingtonit.

Nëse bota shpresoi se saga e coronavirusit do ta kishte jetëgjatësinë e shkurtër si pasojë e temperaturave të larta të verës, ardhja e muajve më të ftohtë dhe përplasja e COVID-19 vetëm sa e përkeqësoi situatën. Më shumë persona filluan të rezultonin pozitivë, teksa spitalet po mbusheshin gjithnjë e më shumë duke iu afruar limitit përfundimtar. Për të luftuar këtë valë të dytë të pandemisë së COVID-19, dukshëm më e rrezikshme se e para, shumë vende evropiane filluan të rishikonin mundësitë e rikthimit të një raundi tjetër me shtetrrethime dhe izolime ndërkombëtare. 

Megjithëse ekonomia ishte në rënie e sipër, nuk mund të thuhej e njëjta gjë edhe për prodhimin e një vaksine efikase anticovid.

Pavarësisht se Organizata Botërore e Shëndetësisë ishte shprehur se “nuk priste një vaksinë për të paktën 18 muaj që nga fillimi i pandemisë’’, shumë kompani farmaceutike e sfiduan këtë hipotezë duke arritur të prodhonin medikamente efikase që luftonin coronavirusin. Asnjë vaksinë që lufton një sëmundje infektive nuk ishte prodhuar më parë në më pak se disa vite.

Kompania amerikane Pfizer dhe partnerja e saj gjermane BionTech ishin të parat që thyen tabutë dhe nxorën rezultate pozitive rreth vaksinës së tyre eksperimentale anti-COVID. Më 9 nëntor rezultatet nga testimi i medikamentit gjatë fazave eksperimentale treguan se vaksina arriti një efektivitet mbi 90%.

[
cite_header=Është një ditë e madhe për shkencën dhe njerëzimin. Kur ti kupton se vaksina ka një efektshmëri prej 90% kjo është e kënaqshme. Ti kupton se ke përgjegjësi mbi shpresat e miliarda njerëzve e miliona bizneseve madje dhe qindra qeverive. Tashmë ne mund t’u themi me besueshmëri atyre se po shohim dritë në fund të tunelit.
cite_author=Albert Bourla
cite_description=Drejtor Ekzekutiv i kompanisë Pfizer
]

Pas këtij lajmi Bashkimi Evropian nxitoi të nënshkruante blerjen e 300 milionë dozave të vaksinës anti-COVID. Në të njëjtën kohë edhe Shtetet e Bashkuara kishin porositur 100 milionë doza, ndërsa Britania e Madhe 30 milionë.

Një javë më vonë edhe kompania amerikane “Moderna” u bë e dyta industri farmaceutike e cila nxori rezultate që i tejkaluan pritshmëritë. Fazat eksperimentale treguan se vaksina anti-COVID e kompanisë “Moderna” përbënte 94.5% efektivitet.

Gara mes kompanive filloi të intensifikohej akoma më shumë. Më 20 nëntor partnerët Pfizer dhe BionTech, i dërguan Administratës së Ushqimit dhe Barnave në Shtetet e Bashkuara kërkesë për aplikim emergjent të vaksinës anti-COIVD. Pas disa ditësh kompanitë farmaceutike i dërguan po të njëjtën kërkesë edhe Agjensisë Evropiane të Barnave. Tashmë rivaliteti kishte arritur majat.

Ndërkohë Bashkimi Evropian kishte paraqitur edhe një strategji të mënyrës se si do të shpërndaheshin dhe përdoreshin vaksinat anti-COVID. Sipas bllokut kategoritë e para përfshinin kryesisht stafet mjekësore, personat mbi 60 vjeҫ apo të rrezikuar nga sëmundje shtesë, si dhe grupet me mundësi të kufizuara ekonomike. Një klasifikim i tillë erdhi, sepse dozat e para që planifikoheshin të shpërndaheshin sapo të jepej aprovimi do të ishin të limituara. 

Muaji nëntor solli shumë të papritura, megjithatë dhjetori vendosi vulën përfundimtare për vitin 2020.

Më 2 dhjetor, gati një muaj pasi Pfizer dhe BionTech kishin paraqitur rezultatet e vaksinës së tyre anti-COVID, Mbretëria e Bashkuar u bë vendi i parë që aprovoi për përdorim emergjent një vaksinë për coronavirusin.

[
cite_header=E di që e tërë selia e parlamentit do të dojë të më bashkohet në mirëpritjen e lajmit të shkëlqyer ku Agjencia Rregullatore e Barnave dhe Shëndetësisë ka autorizuar formalisht vaksinën anti-COVID-19 të Pfizer. Vaksina do të fillojë të shpërndahet javën tjetër në tërë Britaninë. Do të doja të falënderoja të gjithë ata që e mundësuan një gjë të tillë. Është mbrojtja e vaksinave që do të na lejojë përfundimisht t’i rikthehemi jetëve tona dhe të rimëkëmbim ekonominë.
cite_author=Boris Johnson
cite_description=Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar
]

Më 11 dhjetor edhe Administrata e Ushqimit dhe Barnave aprovoi vaksinën e Pfizer dhe BionTech në Shtetet e Bashkuara. Tre ditë më vonë filloi vaksinimi masiv i popullsisë, ku personit të parë që iu injektua doza ishte një infermiere afroamerikane në Neë York. 

Ndërkohë, Evropa në prag të Krishtlindjes e alarmuar nga rritja e kurbës së infektimeve, si dhe nga shfaqja e një mutacioni të virusit në Britani dhe Danimarkë filloi të ashpërsonte më tej masat anti-COVID. Shumica e shteteve, si Italia, Anglia, Franca e Gjermania u futën në  izolim total që parashikohet të zgjasë deri nga mesi i muajit janar të vitit 2021.  

Pasiguria në një periudhë e cila cilësohet si festive u rrit edhe më shumë. Gati të tërë liderët e shteteve u shprehën se “kjo Krishtlindje nuk do të ishte si të tjerat”. Masat e vendosura nuk lejuan qytetarët të grumbulloheshin në darka familjare, dhe të shijonin atmosferën e zakonshme të festave.

Megjithatë një fije shprese është zgjuar tani qe vendet anëtare të Bashkimit Europian kanë nisur vaksinimin.

Por a do të jetë fillimi i kësaj procedure një sukses? A do t’i marrin vaksinat shumica e qytetarëve?

Për të gjitha këto, përgjigjet do të na i japë koha.

Etiketimet

TË FUNDIT

Sondazh

Donald Trump prezantoi kriptomonedhën duke rritur frikshëm pasurinë brenda natës! Çfarë mendoni për lëvizjen e tij?