Në mbrojtje të demokracisë, ndonëse viti 2020 mbetet pas, proceset demokratike në shumë shtete vijojnë të përballen me sfida të panumërta. Rusia vijon të qëndrojë përballë Perëndimit, helmimi i kritikut të Kremlinit, Navalny tensionoi më tej raportet. Protestat prej muajsh nuk kanë të ndalur, në Bjellorusi ku kërkohet largimi i presidentit Lukashenko. Ndërsa sfida e Malit te Zi mbetet kursi perëndimor.
Pandemia COVID-19 ndonëse ndryshoi kursin e shumë zhvillimeve në të gjithë botën, nuk ndali kursin politik të vijonte me ndikimin e tij, e kryesisht në ato shtete të cilat karakterizohen nga lëkundje politike dhe shoqërore.
Rusia është një nga ato shtete që gjithmonë është në qendër të vëmendjes botërore qoftë me politikat e saj por edhe me raportet që Shefi i Kremlinit, Vladimir Putin vendos të ketë me pjesën tjetër të botës.
Raportet e Moskës kanë qenë të tensionuara me Brukselin, veçanërisht pas helmimit të liderit opozitar Alexei Navalny me agjent nervor Novichok.
Por çfarë ndodhi me Navalny?
Alexei Navalny, 44 vjeç, një kritik i zëshëm i presidentit rus, Vladimir Putin, nuk u ndje mirë më 20 gusht gjatë fluturimit nga qyteti siberian Tomsk për në Moskë.
Avioni bëri ulje emergjente dhe Navalny u dërgua me urgjencë në një spital, ku ai kaloi dy ditë para se të dërgohej në Berlin për mjekim.
Helmimi i kritikut të Kremlinit Alexei Navalny “përbën një kërcënim për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare”, thuhej në një letër dërguar Këshillit të Sigurimit të OKB-së nga Britania, Franca, Gjermania, Estonia dhe Belgjika.
“Ne i bëjmë thirrje Federatës Ruse të zbulojë, urgjentisht, plotësisht dhe në mënyrë transparente, rrethanat e këtij sulmi dhe të informojë Këshillin e Sigurimit në lidhje me këtë”, shkuhej në letrën dërguar organit 15-anëtarësh.
Shtetet e Bashkuara nuk e nënshkruan letrën, por Sekretari i Shtetit Mike Pompeo në ato kohë u shpreh se: “Qeveria ruse duhet të ofrojë një llogari të plotë mbi helmimin e Alexei Navalny-it dhe të mbajë përgjegjësi për ata që janë përfshirë në këtë veprim”.
Më 2 shtator Qeveria gjermane konfirmoi se testet kishin treguar “prova të qarta se Navalny ishte helmuar nga një agjent nervor kimik i llojit Novichok, i cili u zhvillua nga Bashkimi Sovjetik dhe tani menaxhohet nga shteti Rusi.
“Tre laboratorë të ndryshëm kanë konfirmuar se agjenti nervor është shkaku i helmimit i z.Navalny”, ishte deklarata e Qeverise gjermane dhënë nga zëdhënësi i qeverisë gjermane, Steffen Seibert.
Më 7 shtator, mjekët njoftuan se e kishin marrë Navalny-n nga koma e induktuar dhe se gjendja e tij ishte përmirësuar. Opozitari rus doli nga spitali më 22 shtator 2020. Më 6 tetor, OPCW (Organizata e Ndalimit të Armëve Kimike) konfirmoi praninë e një frenuesi të kolinesterazës nga grupi Novichok në mostrat e gjakut dhe urinës së Navalny.
Në të njëjtën kohë, raporti i OPCW sqaroi se Navalny u helmua me një lloj të ri Novichok, i cili nuk ishte përfshirë në listën e kimikateve të kontrolluara të Konventës së Armëve Kimike.
Navalny akuzoi Presidentin Vladimir Putin si përgjegjës për helmimin e tij. Bashkimi Europian dhe Mbretëria e Bashkuar vendosën sanksione mbi helmimin e Navalny ndaj drejtorit të agjencisë së inteligjencës ruse, Alexander Bortnikov dhe pesë zyrtarëve të tjerë të lartë rusë dhe një qendre shtetërore kimike.
Sipas BE-së, helmimi i Navalny u bë i mundur “vetëm me pëlqimin e Zyrës Ekzekutive Presidenciale” dhe me pjesëmarrjen e inteligjencës ruse. Prokurorët rusë refuzuan të hapnin një hetim zyrtar penal të helmimit, duke pretenduar se nuk gjetën asnjë shenjë se ishte kryer një krim.
Sjellje arrogante e perëndimit kundrejt Rusisë kështu e cilësoi ministri i jashtëm rus reagimin e shteteve perëndimore
“Partnerët perëndimorë po na shikojnë me arrogancë në këtë drejtim, ne kemi të drejtë të dyshojmë nëse kanë të drejtë dhe të dyshojmë në profesionalizmin e tyre mbi helmimin e pretenduar të Navalny. Nëse është kështu, atëherë përfaqësuesit e Perëndimit guxojnë të dyshojnë në profesionalizmin e mjekëve dhe hetuesve tanë. Ky qëndrim fatkeqësisht na kujton të kaluarën. Evropa dikur ishte arrogante dhe ndihej e pagabueshme, gjë që çoi në pasoja tragjike,” – tha Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov.
Navalny ia doli të mbijetojë por është i vendosur të vijojë rolin e tij opozitar gjatë një komunizmi me Parlamentin Europian. Ai shpreh se ka ardhur koha që BE të sanksionojë oligarkë individual në Rusi.
Navalny i bëri thirrje BE-së të zhvillojë një qasje të re ndaj Moskës.
“Baza e një qasjeje të re duhet të jetë shumë e qartë, duke ndarë dy gjëra: njerëzit rusë të cilët duhet të mirëpriten dhe trajtohen shumë ngrohtësisht nga Bashkimi Evropian, nga perspektiva ime dhe shteti rus i cili duhet të trajtohet si një bandë kriminelësh,” – u shpreh 44 vjeçari.
I pyetur edhe gjatë konferencës së fundvitit, Presidenti Putin mohoi që Moska ka qenë e përfshirë në helmim madje duke thënë se nëse ky akt do të ishte ndërmarrë nga Kremlini atëherë me shumë mundësi Navalny do të kishte vdekur.
“Por kjo nuk do të thotë që ai duhet të helmohet, kush ka nevojë për të? Nëse dikush do të donte ta helmonte, do ta kishin përfunduar. Gruaja e tij mu drejtua mua dhe unë dhashë menjëherë komandën për ta lënë atë të shkojë në Gjermani për kurim,” – tha Vladimit Putin, president i Rusisë.
Përtej tensioneve të shtuara me perëndimin Rusia vijoji të forcojë fuqinë e saj në Evropë, sidomos edhe në raportet e saj më Bjellorusinë, shteti i cili në vitin 2020 përtej pandemisë u përfshi nga protesta masive ku kërkohet largimi i presidentit Aleksandër Lukashenko, një personazh i afërt me presidentin rus Vladimir Putin dhe i vetmi i cili ka njohur zgjedhjen e tij në krye të shtetit të vogël.
Protestat kanë pushuar kryeqytetin Minsk të shoqëruara edhe me dhunë policore. Në krah të protestuesve është Bashkimi Evropian dhe organizata të tjera ndërkombëtare të cilat kërkojnë një kalim paqësor të pushtetit.
Revolta popullore protesta historike nisi pas 9 gushtit të 2020, dita e votimit, ku presidenti shpalli se ishte ai që kishte fituar, rezultat që kundërshtohet fuqishëm nga qytetarët dhe opozita ruse. Aleaksandër Lukashenko pretendon një mandat të gjashtë në krye të vendit.
Fillimisht të moderuara, protestat u intensifikuan në të gjithë vendin pasi rezultatet zyrtare të zgjedhjeve u njoftuan natën e 10 gushtit, në të cilën Lukashenko u shpall fitues.
Sviatlana Tsikhanouskaya, kundërshtarja kryesore e Lukashenkos, hodhi poshtë këto rezultate duke i cilësuar si të falsifikuara dhe pretendoi se kishte marrë 60-70% të votave. Më 14 gusht, ajo njoftoi krijimin e Këshillit të Koordinimit, me aplikimet e anëtarësimit të hapura për të gjithë bjellorusët të cilët gjithashtu ranë dakord që zgjedhjet zyrtare të ishin falsifikuar.
Më 12 tetor, Këshilli i Koordinimit i dha Lukashenkos një ultimatum të largohej nga presidenca deri në 25 tetor. Pasi Lukashenko nuk arriti të respektojë, grevat mbarëkombëtare filluan në 26 tetor. Tsikhanouskaya u detyrua të kërkonte azil në Letoni.
Gjatë valës së protestës presidenti nuk i ndali shfaqjet e tij madje në median shtetërore dolën pamje të tij të veshur me antiplumb e madje i armatosur.
Më 23 shtator, media shtetërore Bjelloruse njoftoi se Lukashenko në një ceremoni të shkurtër mori mandatin e radhës duke u betuar.
Një ditë më vonë Bashkimi Europian publikoi një deklaratë e cila hodhi poshtë legjitimitetin e zgjedhjeve, bëri thirrje për zgjedhje të reja duke dënuar shtypjen dhe dhunën kundër protestuesve.
BE nuk u ndal vetëm me thirrje. Mbështetja për popullin bjellorus është e vazhdueshme
“Njerëzit e Bjellorusisë duan ndryshim. Dhe ata e duan tani. Ne jemi të impresionuar nga guximi i njerëzve të Bjellorusisë. Ata kërkojnë lirimin e të gjithë të burgosurve të ndaluar në mënyrë të paligjshme, ndjekja penale e atyre që janë përgjegjës për brutalitetin policor. Ata duan lirinë e fjalës dhe mbledhjes dhe ata duan demokraci dhe zgjedhje të reja presidenciale pasi këto zgjedhje nuk ishin as të drejta dhe as të lira. Sot, ne u japim atyre tre mesazhe të qarta. Së pari, ne jemi pranë njerëzve të Bjellorusisë, të cilët dëshirojnë liri themelore dhe demokraci. Së dyti, ne do të sanksionojmë të gjithë ata që janë përgjegjës për dhunën, shtypjen dhe falsifikimin e rezultateve të zgjedhjeve. Së treti, ne jemi të gatshëm të shoqërojmë tranzicionin paqësor demokratik të pushtetit në Bjellorusi,” – u shpreh Ursula von der Leyen, presidente e Komisionit Evropian.
Më 2 tetor, BE-ja vendosi sanksione kundër 40 zyrtarëve Bjellorusë të akuzuar për shtypje politike dhe manipulim të votave.
“Mesazhi ynë është shumë i qartë: ndaloni dhunën. Dhe ne nuk e pranojmë pandëshkueshmërinë. Ne nuk e tolerojmë pandëshkueshmërinë dhe kjo është arsyeja pse morëm këtë vendim shumë të rëndësishëm. Është vendimi ynë të vendosim sanksione, sanksione të synuara, në mënyrë që të shënjestroni individët, autoritetet e përfshira në procesin e dhunës ose në falsifikimin e zgjedhjeve dhe ne do të vazhdojmë të ndjekim nga afër situatën. Ne nuk e pranojmë dhunën,” – tha Charles Michel, president i Këshillit Evropian.
Vetë Lukashenko nuk u përfshi në listë. Qeveria Bjelloruse u përgjigj duke vendosur sanksione simetrike kundër një liste të pazbuluar të zyrtarëve të BE-së. Për më tepër, Lukashenko akuzoi Bashkimin Europian dhe “organizatat e tjera perëndimore” se po përpiqen të “dëmtojnë Bjellorusinë” duke destabilizuar regjimin aktual.
Edhe OSBE presidenca e të cilës këtë vit mbahej nga Shqipëria kërkoi që të ndërmjetësonte dialogun mes presidentit dhe opozitës ruse, por që nuk pati asnjë sinjal nga autoritetet bjelloruse.
“OSBE është e mirëpozicionuar për të mbështetur lehtësimin e dialogut për të ofruar hapësirën për reflektim, për uljen e tensioneve e për të ofruar një proces për këshillim. Duhet të ketë dialog midis qeverisë dhe forcave të radhitura kundër saj dhe ne mund të luajmë një rol për ta ndihmuar këtë dialog. Sa më shpejt të nisë aq më mirë do të jetë për të gjithë, në Bjellorusi, e në këtë organizatë gjithashtu për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm, dhunën e mëtejshme,” – u shpreh Edi Rama, kryeministri i Shqipërisë.
Presidenti Lukashenko në të kundërt, zhvilloi një takim më homologun rus Vladimir Putin. Lukashenko kërkoi mbështetje nga aleati i tij tradicional Presidenti rus.
Moska ra dakord për një hua 1.5 miliard dollarë dhe tha se populli Bjellorus duhet të zgjidhë krizën pa ndërhyrje të huaj.
Parlamenti Evropian tha se Lukashenko nuk duhet të njihet më si president nga nëntori kur do të mbaronte mandati i tij dhe bëri thirrje që sanksionet ekonomike të Bashkimit Evropian të vendosen ndaj tij.
Protestat në rrugët e Minsk vijojnë skundër edhe këmbëngulja e Aleksandër Lukashenko për të mos u larguar nga pushteti.
Evropa duhet të jetë më e guximshme në mbështetjen e saj për opozitën e Bjellorusisë, tha figura kryesore e opozitës Sviatlana Tsikhanouskaya ndërsa pranoi çmimin vjetor ‘Sakarova’ gjatë një ceremonie në të parlamentit të BE-së.
Çmimi Sakharov për Lirinë e Mendimit, i quajtur pas disidentit Sovjetik Andrei Sakharov, jepet çdo vit.
Çmim që u dorëzua nga presidenti i Parlamentt Evropian David Sassoli shoqëruar edhe me një shumë prej 50.000 eurosh.
“Ky është motivimi më i mirë që ne të vazhdojmë jemi të detyruar të fitojmë dhe ne do të fitojmë. Ne i kërkojmë Evropës dhe të gjithë botës të mbështesin Bjellorusinë. Ne i bëjmë thirrje Evropës që të jetë më guximtare në vendimet e saj dhe të mbështesë popullin e Bjellorusisë,” – sqaroi Sviatlana Tsikhanouskaya, kryetarja e opozitës bjelloruse.
Dhjetëra mijëra njerëz kanë marrë pjesë në protesta që nga zgjedhjet e 9 gushtit, pavarësisht brutalitetit të policisë dhe ndalimet, për të denoncuar që ata çka ata cilësojnë se është përpjekja e Presidentit Aleksandër Lukashenko për të zgjatur qeverisjen e tij 26-vjeçare.
Bashkimi Europian, Britania, Kanadaja dhe Shtetet e Bashkuara akuzojnë Lukashenkon për mbajtjen e pushtetit duke zhvilluar zgjedhje të rreme, duke burgosur kundërshtarët dhe duke manipuluar mediat e pavarura.
Zgjedhjet në Malin e Zi
Viti 2020 tregoi se Mali i Zi nuk do të mbesë i vendi i vetëm në Evropën Juglindore që nuk e ka ndërruar pushtetin, sepse pas zgjedhjeve parlamentare të mbajtura më 30 gusht 2020, shumica e re parlamentare, pas tre muajsh më 4 dhjetor 2020, më 41 vota pro, votoi një koalicion të ri në pushtet.
Parlamenti i Malit të Zi votoi një qeveri të re konservatore, koalicion pro-Serb, e cila do të pasojë një parti pro-perëndimore që ka drejtuar kombin e vogël Ballkanik për gati tre dekada.
Kabineti i Kryeministrit Zdravko Krivokapic është i dominuar nga teknokratë dhe miratimi i tij pason më shumë se tre muaj negociata me partnerët e koalicionit pas fitores së ngushtë të tyre në zgjedhjet parlamentare të gushtit.
Ligjvënësit në parlamentin me 81 vende votuan me 41-28 për qeverinë e re, me 12 abstenime.
Krivokapic është një ish-profesor universitar 62 vjeçar dhe rishtar politik. Koalicioni i tij u formua me qëllimin kryesor për dobësuar partinë në pushtet të Presidentit malazez, Milo Gjukanoviç, të cilin e akuzon për korrupsion të shfrenuar dhe lidhje me krimin e organizuar.
Gjukanoviç dhe qeveria e tij sfiduan Serbinë fqinje dhe aleatin e saj Rusinë për t’u bashkuar me NATO-n në vitin 2017.
Krivokapic ka premtuar t’i përmbahet detyrimeve të anëtarësimit në NATO dhe të punojë në përshpejtimin e pranimit në BE, pavarësisht kërkesave nga koalicioni i tij për lidhje më të ngushta me aleatët sllavë, Serbinë dhe Rusinë.
Kryeministri i ri ka thënë se përparësitë e kabinetit të tij do të jenë luftimi i coronavirusit, nxjerrja e vendit nga një krizë e thellë ekonomike e shkaktuar nga pandemia dhe sigurimi i asaj që ai e quajti “sundimi i vërtetë i ligjit”. Ai gjithashtu premtoi marrëdhënie të mira me Serbinë dhe fqinjët e tjerë dhe premtoi të punojë në krijimin e kushteve për mbajtjen e atyre që ai i quajti “zgjedhjet e para të drejta demokratike” në Malin e Zi.
Krivokapic konsiderohet i afërt me Kishën Ortodokse Serbe e cila udhëhoqi muaj të tërë protestash në Malin e Zi kundër një ligji të miratuar nga qeveria e mëparshme që kisha tha se do të bllokonte pronën e saj në Malin e Zi.
Zyrtarët e koalicionit kritikuan zgjedhjen e Krivokapiç, të ministrave të qeverisë dhe pozicionin e tij që Mali i Zi të vazhdonte në kursin e tij pro-perëndimor. Ata thanë se politikanët, në vend të teknokratëve, duhet të drejtojnë qeverinë e re.
“Nëse gjithçka do të mbetet e njëjtë, ne nuk do të kishim marrë pjesë në zgjedhje,” – tha Milan Knezevic, një udhëheqës i grupit më të madh pro-serb në koalicionin e ri qeverisës.
Serbia dhe Mali i Zi ishin pjesë e të njëjtit vend përpara se një referendum për pavarësi në 2006 të çonte në ndarjen e Malit të Zi.
Mali i Zi mbetet thellësisht i ndarë midis atyre që kërkojnë lidhje më të ngushta me Serbinë dhe Rusinë dhe atyre që e shohin Malin e Zi si një shtet të pavarur aleat me Perëndimin.