​Vetëvendosje dhe opozita përplasen për dialogun Kosovë-Serbi

23 Qershor 2021 | 16:09

Pozitë dhe opozitë janë bërë bashkë sot në konferencën “Kapitull i ri i dialogut Kosovë-Serbi” të Institutit Demokratik të Kosovës (KDI). Partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje vlerësoi se janë të përgatitur për këtë proces, kurse opozitarët thanë se qeveria Kurti është e papërgatitur për dialogun.

Nga ana tjetër, KDI-ja e sheh të largët arritjen e marrëveshjes finale mes Kosovës dhe Serbisë.

Ushtruesja e detyrës së shefes së grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila tha se janë të gatshëm të vazhdojnë dialogun, bazuar në parimet e vendosura, por për këtë duhet të punojnë të dyja palët, jo vetëm Kosova.

Madje, ajo ngriti dyshime edhe nëse do të duhej të quhet faza finale e dialogut, pas deklaratave të djeshme të presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, i cili theksoi se nuk do ta njohë Kosovën.

Krahas kësaj, Kusari-Lila tha se gjitha marrëveshjet e kaluara, që janë vlerësuar të dëmshme do të vijnë me propozime të reja, si Këshilli Nacional i Pakicave, alternativë e asociacionit.

“Dialogu Kosovë-Serbi përfshin dy palë, Kosovën dhe Serbinë, vetëm dje e kemi dëgjuar presidentin serb në dy deklarata që janë në kundërshti me secilën normë ndërkombëtare, e cila tashmë është e konfirmuar. E para që Kosova është shtet i pavarur dhe tani bëhen 11 vjet nga vendimi i GJND-së që nuk ka pasur shkelje në shpalljen e pavarësisë së Kosovës dhe e dyta me mohimin e gjenocidit në Bosnje. Të gjitha përpjekjet mund t’i bëjmë në Kosovë, të kemi unitet brenda krerëve institucionalë, të kemi bashkërendim të qëndrimeve edhe me partitë opozitare, por dialogu nuk mund të ketë rezultat për faktin se në anën tjetër është një udhëheqës siç është Vuçiç, pjesë e estabilishmentit të Millosheviçit. Tani e kemi një ri-konfirmim të qëndrimit të Serbisë që duhet të kemi kujdes edhe kur themi se jemi në fazën finale të dialogut. A dëshirojmë finale të dialogut me një president që thotë se nuk e njoh pavarësinë e Kosovës, ku kryesorja dhe përmbajtjesorja është njohja e ndërsjelltë?”, – u shpreh Kusari-Lila sipas raportimit të Kosova Press.

Kritika ndaj qasjes së qeverisë Kurti për dialogun adresoi shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri. Ai tha se qëllimi nuk duhet të jetë vetëm tek njohja reciproke, por edhe anëtarësimi i Kosovës në OKB.

“Nuk ka një agjendë, e cila mund të diskutohej ndërmjet partive në pushtet dhe partive opozitare. E shoh një qasje të gabuar të pikënisjes së qeverisë sonë. Kur jemi te njohja, unë nuk besoj që qëllimi jonë final duhet të jetë njohja Kosovë-Serbi. Këtu është gabimi që ne bëjmë, sepse edhe nëse ajo ndodh dhe pengesën e kemi në Këshill të Sigurimit nga Rusia dhe Kina, realisht republika jonë nuk po arrin të përmbyllë subjektivitetin ndërkombëtar”, tha ai.

Ndërsa, deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj tha se qeveria Kurti po improvizon dhe po luan me taktika në këtë proces. Ai tha se qasja e ekzekutivit për marrëveshjen e Uashingtonit është e dëmshme për Kosovën.

“Duket se ka një mos-përgatitje për këtë temë, sikur ka improvizime dhe taktika në hapa, por jo pozicion të qartë të Kosovës për këtë proces. Qasja fillestare tregon për qasjen jo serioze që ka kjo qeveri”, – tha Selmanaj.

Kritika për përmbajtjen e propozimeve të kryeministrit Kurti në takimin e parë me presidentin Vuçiç adresoi edhe shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri.

“Kryeministri Kurti nuk ka strategji, aspekti strategjik mungon, ka taktika. Në aspektin taktik ka vepruar mençur duke çuar katër pika, pasi shkoi edhe ai me propozim. Mirëpo, në dialog me fasilitues si BE nuk është taktika, por përmbajtja dhe strategjia, e cila ishte katastrofë. Kërkoi nga CEFTA të bëhet SEFTA, e që në esencë është mini-shengen”, – tha ai.

Nga ana tjetër, hulumtuesja në KDI, Violeta Haxholli u shpreh skeptike për arritjen e shpejtë të një marrëveshjeje finale Kosovë-Serbi.

“Që nga fillimi i procesit, Kosova dhe Serbia e kanë përcjellë ndryshe normalizimin, duket se edhe në këtë fazë Kosova dhe Serbia kanë definicione të ndryshme se si duhet të duket ajo marrëveshja përfundimtare. Prandaj edhe arritja e kësaj marrëveshje po duket shumë e vështirë dhe ende larg”, tha ajo.

Pjesë e kësaj konference për dialogun Kosovë-Serbi, ishte edhe ambasadori i Zvicrës në Prishtinë, Thomas Kelly, i cili kërkoi një rol më aktiv të Kuvendit në këtë proces.

 

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Costa takohet edhe me Osmanin, në fokus hapat e Kosovës drejt integrimit evropian

Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani këtë të mërkurë është takuar me Presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa në kuadër të vizitës së tij në Prishtinë....
16:28 | 03/06/2026

Kurti takim me Costan: Kosova është rreshtuar plotësisht me politikën e jashtme të BE-së

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka zhvilluar këtë të mërkurë një takim me presidentin e Këshillit Europian, Antonio Costa. Zyra e Kurtit ka zbuluar detaje...
15:30 | 03/06/2026

Haxhiu gjatë takimit me Costan: Rruga drejt BE-së, interes strategjik i Kosovës

Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Albulena Haxhiu, tha se rruga e vendit drejt Bashkimit Evropian është interes strategjik shtetëror. Këto deklarata ajo i...
13:38 | 03/06/2026