English

2020 vit i trishtë, COVID-19 merr mijëra jetë në RMV, pandemia gjunjëzon ekonominë

KOMENTE

SHPERNDAJE
ARTIKULLIN

Text sizeAa Aa

Maqedonia e Veriut ishte ndër shtetet e para të Ballkanit, së bashku me Kroacinë, që shënuan rastet e para të personave të infektuar me virusin korona, i cili po mban botën nën frikë për tashmë disa muaj me radhë.

- Advertisement -

Pacienti zero në Maqedoninë e Veriut, i regjistruar më 26 shkurt, ishte një grua 50 vjeçare e infektuar në Itali, shteti i cili në atë moment ishte ndër më të prekurit për nga numri i të infektuarve dhe të vdekurve nga virusi. Pacientja kishte rezultuar negativ gjatë kontrollit në Itali, prandaj kishte vazhduar rrugëtimin e saj për në vendlindje. Të gjithë udhëtarët në autobusin e njëjtë u vendosën në karantinë, në përpjekje për të kontrolluar të infektuarit dhe për të penguar përhapjen.

Ekipi i Euronews Albania shkoi në shtëpinë e gruas së infektuar menjëherë pasi që u shërua dhe lirua nga spitali, por të panjohurat e virusit dhe frika e bënë atë që të kundërshtojë çfarëdo incizimi nga mediat.

 “Sapo isha në shtëpinë e pacientit të pare në Maqedoninë e Veriut i cili është shëruar nga virusi korona. Është një grua 50 vjeçare e cila kishte ardhur nga Italia, prej ku e kishte marrë virusin, por pavarësisht tentativave të shumta për të biseduar me të për të na treguar përjetimet e sa për sa ka qenë në karantinë për mbi 20 ditë, ajo refuzoi të flasë dhe tha se për shkak të stresit të madh që e ka përjetuar tani dëshiron vetëm të izolohet në familjen e saj të ngushtë. Asnjëri prej anëtarëve të familjes së saj po ashtu nuk deshi të prononcohet për mediat”, shprehet gazetarja Ferikan Iljazi.

Pas këtij rasti të infektuarit sa vinin e shtoheshin, ndërsa autoritetet shëndetësore ende ishin me shumë të panjohura edhe për terapinë që duhet dhënë të infektuarve, por edhe për kohëzgjatjen e izolimit. Spitali infektiv filloi të mbushet, së bashku edhe me spitalin ushtarak, të përshtatur për të trajtuar të infektuarit.

Pas presionit të madh mediatik për disa muaj me radhë, autoritetet shëndetësore filluan të lejojnë ekipet e mediave që të hyjnë në spitalin infektiv, për të shuar skepticizmin e madh të qytetarëve, të cilët ende në numër të madh nuk besonin në ekzistencën e virusit. Ekipi i Euronews Albania takoi të infektuar, mjekë e infermierë të cilët çdo ditë luftonin me virusin.

 “Spitali infektiv në Maqedoninë e Veriut është një prej spitaleve që ndoshta gjatë kësaj periudhe ka qenë një ndër më të përmendurit por edhe më misteriozët për shkak të fshehtësisë së punës ose për shkak të frikës së infektimit edhe të ekipeve mediatike. Dhe kështu deri më tani askush nuk ka pasur qasje këtu. Së fundmi, autoritetet kanë vendosur që t’i lejojnë ekipet mediatike që ta vizitojnë për ta parë se vërtetë virusi ekziston pasi që ka pasur një skepticizëm”, raportoi gazetarja.

 “A u morëm vesh. Unë dhe ti do të qëndrojmë së bashku…Të lutem mos me të qarë. Kështu nuk zgjidhim asgjë”, i thotë një pacienti Milena Stevanoviç, drejtoreshë e Spitalit Infektiv në Shkup.

“Nuk kam fjetur gjithë natën. I kam lënë të gjithë familjarët, miqtë…”, i ankohet pacienti me COVID-19.

“Mos i humb fuqitë duke qarë. Përse jemi ne këtu. Në rregull? A më premton?” e inkurajon drejtorja.

“Jam infektuar dikur gjatë Ramazanit. Prej ditës së diel jam këtu. Sot i bëj dhjetë ditë. Por për shkak të gënjeshtrave, propagandave, thoshin mos shkoni se do ju mbysin atje, kam qëndruar i sëmurë dhjetë ditë në shtëpi dhe nuk kam ardhur në mjek. E kam kapur trenin e fundit…Kur kam ardhur atë ditë kam menduar se do të vdesë, po falë Zotit na kanë ndihmuar mjekët… Ne shqiptarët këtë punë e zëmë si pak e shumë, por duhet t’i biem vetes pas, të shkojmë në mjek. Mos shkoni vetë në barnatore private, drejtohuni ku është vendi, në spital”, shprehet Selman Selmani, pacient nga Shkupi.

“Unë kam pas temperaturë. Me frymëmarrje s’kam pasur problem por që të mos i infektojë anëtarët e shtëpisë erdha këtu. E kam të infektuar edhe vajzën, shoqen dhe djalin me të tre fëmijët. Djali e ka tani një vajzë të vogël tre javësh. Ata nuk janë në spital. Nuk kanë asnjë simptomë”, thotë një tjetër pacient shqiptar që nuk dëshiron të identifikohet.

“Herën e parë që kam ardhur kisha temperaturë dhe kollitje. Jam tashmë 11 ditë këtu. Dje dhe sot na kanë bërë analiza nëse kemi ende infektiv dhe pres të dal nga spitali. U rekomandoj të gjithëve që t’i respektojnë rregullat, të shmangin tubimet, sidomos me të panjohur dhe kështu me radhë”, bën apel një pacient maqedonas.

“Në spital kam ardhur prej ditës së premte. Kisha temperaturë. Isha e rraskapitur. Kisha edhe frymëmarrjen e rënduar. E kam edhe burrin e infektuar. Ai është këtu afër meje”, thotë Ilinka Paunovska, paciente.

Pavarësisht se gjatë muajve të verës shifrat e të infektuarve por edhe të vdekurve filluan të rriten në mënyrë drastike, autoritetet shëndetësore siguronin se situata është nën kontroll dhe janë të bindur se

Ministri i shëndetësisë Venko Filipçe nga perspektiva pas nëntë muajsh luftë me virusin, i tha Euronews Albania se në krahasim me vendet e rajonit, kanë arritur ta mbajnë situatën nën kontroll dhe është i kënaqur nga rezultati i masave të marra.

 “Mendoj se kemi arritur shpejtë të riorganizohemi. Kemi qenë ndër shtetet e para të cilat kanë zbatuar rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë për monitorim të aeroporteve, për testim të hershëm, identifikim dhe vendosje në izolim. Tani praktikisht po ballafaqohemi me një valë të re dhe ende kemi vetëm supozime se sa mund të zgjasë kjo. Sipas profesionalistëve valët zgjasin nga 8 deri në 10 javë. Nëse nisemi nga kjo logjikë, ne tashmë kemi kaluar kulmin e valës, por askush nuk mund ta thotë këtë me siguri. Ajo për ç’ka jemi të fokusuar më së shumti tani janë kapacitetet e spitaleve. Kemi një numër tejet të lartë të pacientëve të cilët i kanë tejmbushur kapacitetet tona për trajtim në spitalet infektive, prandaj i kemi përshtatur shumë reparte të tjera me kuadër dhe pajisje për mjekim të pacientëve me COVID 19. Ende po vazhdojnë edhe mjekimet për sëmundjet e tjera kronike në klinikat e tjera, edhe pse shumica e kolegëve kanë ardhur në ndihmë edhe të spitaleve infektive. Kemi edhe probleme, pasi që numri është i lartë. Familjarët janë nervoz pasi i drejtojnë nëpër institucione të tjera, që tu mundësohet trajtimi kualitativ. Dhe kjo shkakton edhe mosdurim, por kemi arritur ta menaxhojmë. Punonjësit shëndetësor e kuptojnë që edhe familjet janë nën stres dhe janë të shqetësuar edhe për shëndetin e tyre pasi që kemi pasur shumë raste simptomatike që kanë rezultuar pozitive”, u shpreh Venko Filipçe, ministër i Shëndetësisë.

Filipçe është i bindur se gjatë vitit të ardhshëm, vaksina do ta ndryshojë gjendjen me virusin si në Maqedoninë e Veriut po ashtu edhe në botë.

Pyetëm qytetarët se si ka arritur ministri i shëndetësisë Venko Filipçe dhe qeveria Zaev ta menaxhojnë situatën me COVID 19 këto muaj. Shumica fajësojnë sistemin se ka dështuar në menaxhim dhe se ka frikësuar pa nevojë popullatën.

 “Nuk po ma merr mendja se e kanë menaxhuar si duhet. Sidomos me këto maskat. Mjekët nga 30 vite përvojë po thonë se janë të dëmshme. A ka diçka më të dëmshme se sa të marrim frymë dhe të njëjtën frymë me baktere ta kthejmë përsëri në organizëm. Kjo faktikisht është një parapërgatitje për sëmundjen. Infektimet më shumë vijnë prej maskës dhe stresit, ashtu siç është e paramenduar”, u shpreh një qytetar.

 “Menaxhimi është diku në mesatare…Gjithë bota është në nivelin e njëjtë të rekomandimeve për maskat, ushqim jashtë dhe të mos ketë grumbullim. Mendoj se kjo është mirë. Nëse dikush që nuk dëshiron të dëgjojë se duhet vendosur maska kjo është vetëm në vetëdijen e qytetarëve. E për këtë gjë ministri nuk ka çfarë të bëjë”, tha një tjetër.

Ngarkimi i sistemit shëndetësor dhe problemet gjatë këtyre muajve pandemi më së miri shpjegohen nga mjekët.

 “Specializantët privat u ballafaquan me shumë situata të pakëndshme për të cilat është folur edhe më herët. Mungesa e sigurimit pensional dhe shëndetësor. Mos-pagesa e kujdestarive dhe të tjera është folur disa herë por ende nuk ka asnjë efekt. Kolegët tanë janë të eksponuar në harxhime tejet të larta nëse infektohen e për çka ekziston një rrezik real. Meqë ne i ofrojmë shërbimet tona sistemit shëndetësor, duhet gjetur zgjidhje për sistemin e jo për neve. Mungesa e respektit ndaj mjekëve këtë periudhë është shfaqur shumë më shumë. Për fat të keq profesioni jonë s’ka qenë kurrë më i degraduar. Tani gjatë pandemisë e arriti kulmin një politikë që vazhdonte një kohë më të gjatë. Për fat të keq ky profesion është më shumë atraktiv për studentët të cilët shumica po zgjedhin të ikin nga shteti. Jemi shumë prapa shteteve të rajonit për nga vlerësimi i mjekëve”, tha Bozhidar Koçoski, nga Lidhja e Mjekëve Specializantë Privat.

Ekonomia ishte goditur fort nga pandemia. Sidomos sektori i hotelerisë i cili ishte prekur vazhdimisht nga masat restriktive të shtetit. Pavarësisht një ndihme simbolike të shtetit për pagesat e punëtorëve, shumica e bizneseve nuk mundeshin t’i mbijetojnë bllokimit disa mujor të punës dhe lëshimit të mbi 40 mijë të punësuarve, të paktën zyrtarisht.

Drilon Iseni nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore thotë se kanë kërkuar nga qeveria të mundësojë kredi për bizneset me norma të ulëta interesi, por ende s’ka parë gatishmëri nga bankat dhe nga qeveria për t’u dalë në ndihmë.

 “Shihet se pandemia ka ndikuar në të gjitha sektorët, por më së shumti ka ndikuar në sektorin e hotelerisë, restoranteve dhe kafeneve, por mos të harrojmë shumë biznese dhe veprimtari afariste janë të ndërlidhura me njëri tjetrin. Nëse kemi parasysh faktin se Maqedonia, flasim për kapacitetet prodhuese që janë të orientuara në eksport, kanë funksionuar kryesisht në tregun e Bashkimit Evropian, mbyllja e shteteve të Bashkimit Evropian ishte një goditje edhe për kapacitetet prodhuese. Kemi rënie edhe në aspekt të importit edhe të eksportit. Ka qenë një vit relativisht i vështirë. Tentativat e shtetit për të dhënë pako për ndihmë bizneseve jo çdonjëra e ka arritur qëllimin”, u shpreh Drilon Iseni.

Mësues që kurrë nuk kishin pasur kontakt me teknologjinë dhe programet më të avancuara të komunikimit, duhej të zhvillonin ligjëratat e tyre tërësisht online. Por, sa ishin kualitative dhe efektive ligjëratat, profesori i gjimnazit Naser Miftari thotë se do të shihet në përfundim të vitit shkollor.

 “Është fakt se kemi ndryshime rrënjësore, nga gjithë ajo që kishim deri më tani, pasi kishim mësim tradicional ndërsa i njëjti u desh që përnjëherë të ndryshojë. Që më herët ishin sinjalet se do nisim me këtë formë të mësimit por nuk e ndoqëm hapin aq sa duhet pasi po të kishim bërë më shumë në këtë drejtim do të ishim më të përgatitur për kulturë të tillë pune. Është vështirë të themi se çfarë do të ndodhë në të ardhmen, por mund të supozojmë se nuk do të jemi të kënaqur me arritjet e tona për shkak se tani ende kemi dyshimin se a e bëjmë punën si duhet, dhe nuk kemi një mekanizëm për vlerësimin e mirëfilltë të punës tonë. Edhe jo të gjithë nxënësit i kemi të përfshirë në mësim. Gjë që paraqet brengë të madhe. Kemi nxënës të cilët nuk mund të kyçen nga pamundësia, por ka edhe nxënës që janë të detyruar të punojnë shkaku pandemisë, Bizneset e imta u kthyen në biznese familje dhe ato nxënës për këtë shkak nuk kyçen në mësim. Por ka edhe nxënës të cilët nuk e pëlqejnë këtë formë mësimi dhe duan ta mbajnë këtë qëndrim deri në fund. Edhe pse kam këtë moshë, edhe pse nuk kam asnjë orë përgatitore në aspektin digjital gjatë gjithë shkollimit tim, jam i bindur se bota po ndryshon dhe ne duhet të jemi në hap me ato ndryshime”, tha Naser Miftari, profesor gjimnazi.

Gjatë muajve të ardhshëm, autoritetet e Maqedonisë së Veriut parashikojnë të ketë një zbutje të situatës me pandeminë, dhe pritet stabilizim edhe i sektorëve të tjera, por ende nuk ka një plan se si do të vazhdojë procesi mësimor dhe puna në të gjithë sektorët.

Etiketimet

TË FUNDIT

Sondazh

SPAK mbush 5 vite, si e vlerësoni punën e Prokurorisë së Posaçme?