25 laborantëve të shërbimit të laboratorit në Spitalit Rajonal të Shkodrës u është kërkuar të japin dorëheqjen, pasi departamenti që ata punojnë do të jepet me koncesion.
Sipas procesverbalit të mbledhjes, 25 punonjësve të laboratorëve u është kërkuar të pranojnë dorëheqjen, por ata e kanë refuzuar një fakt të tillë.
Kjo kërkesë u është bërë me justifikimin se koncesionari i ka me përparësi për punësimin e tyre, por kjo nuk i ka bindur punonjësit.
Ndërkohë për këtë çështje foli për Euronews Albania edhe drejtori i spitalit të Shkodrës, zoti Ardjan Dajti.
Ky i fundit theksoi se deri më tani asnjë punonjës nuk është shkëputur nga marrëdhëniet e punës.
“Po i referohem një statusi të vendosur në Facebook, një nga drejtuesit e PD-së në Shkodër. Dua të them që në këtë moment që asnjë punonjës i laboratorit nuk është i shkëputur nga marrëdhëniet e punës, apo marrëdhëniet financiare. Pra kjo është një e pavërtetë”, tha ai.
Ai sqaroi më tej se duke iu referuar kontratës së lidhur me koncesionarin, të gjithë punonjëse do u jepet mundësia që të krijojnë marrëdhënie pune me të.
“Sipas kontratës së lidhur me koncesionarin, të gjithë punonjësve të laboratorit i jepet mundësia që të lidhin marrëdhënie pune me koncesionarin”, tha ai
“Kur të vijmë momenti për rekrutimin e personelit tonë atje, do të zbatojnë të gjithë procedurat ligjore”, shtoi ai më tej.
“Unë po mendoj që të gjithë mund të kalojnë tek koncesionari dhe nuk ka arsye që t’i drejtohen gjykatës”, përfundoi ai.