Rriten çmimet në Shkodër, Korçë dhe Vlorë, qytetarët: Paguajmë dyfishin e një viti më parë

13 Shtator 2021 | 16:18

Në fundin e sezonit turistik në Shqipëri pritej ulja e çmimeve, të paktën për fruta perimet. E kundërta ka ndodhur në tregjet e Shkodrës, Vlorës dhe Korçës, ku është vënë re një rritje e çmimeve për shumicën e produkteve.

Gazetarët e Euronews Albania kanë bërë vëzhgime në tregjet e fruta-perimeve në Vlorë, Korçë dhe Shkodër. Qytetarët thonë se paguajnë produktet deri në dyfish më shtrenjtë se një vit më parë. Tregtarët ankohen se mungon prodhimi vendas.

Shkodër

Në tregjet e pakicës në Shkodër ku për një produkt, çmimi është rritur me të paktën 40%.

Nëse një muaj më parë një kilogram domate kushtonte 50 – 60 leke tashmë ato variojnë nga 80 – 130 lekë.

Qytetarët shprehen të revoltuar pasi përveç produkteve të fruta perimeve rritje të konsiderueshme ka pasur dhe çmimi i bukës.

“Çmimet në stratosferë, turp të kenë! Shkoj për të blerë simite, çmimi 150 lekë”, u shpreh një blerëse.

Një gjë e tillë pranohet edhe nga shitësit të cilët thonë se rritja ka ardhur nga tregtarët e shumicës e një rritje e tillë reflektohet.

“Faktikisht çmimet janë rritur gjithkund. Ne na duhet t’i rrisin çmimet, pasi i kanë rritur ata te shumica. Fuqia blerëse është shumë e dobët, shumë e lodhur”, tha një shitëse në tregun e perimeve.

Tregtaret bëjnë apel se duhet të ketë kontrolle sa i takon çmimeve për të parandaluar tregtarët abuziv.

Korçë

“Për të ngrënë të na japë perëndia, se qeveria… ” – kështu shprehet një qytetar teksa sheh çmimet e fruta perimeve në tregun e Korçës. Në një vëzhgim të kryer në terren nga kamera e Euronews Albania, u vu re se çmimet kanë pësuar rritje në krahasim me një muaj më parë.

Çmime të larta të fruta perimeve vërehen në tregun e pakicës në qytetin e Korçës. Pensionistët, të cilët janë blerësit me të shumtë në këtë treg tregojnë se çmimet kohët e fundit janë rritur ndërkohë që të tjerë bëjnë ironi duke thënë se ngopen thjesht duke i parë ato.

Pensionistët shprehen nuk kanë mundësi të blejnë.

“Gjithmonë këtu vij unë, por janë rritur çmimet. Pensionistët çfarë do bëjnë? Aq marrin. Çfarë të bëj unë më parë? Dritat, drutë, të gjitha të rritura. Unë nuk kam blerë akoma asgjë, tani do dal, po me leverdisi do ble, ne te kundërt do iki”, u shpreh një blerës.

“Ne vijmë në pazar, të gjitha me radhë, e shikojmë njëherë si pensionistë dhe i lëmë në vend se nuk kemi me çfarë ti blejmë. Pensionet e vogla, çmimet në majë. Qeveria duhet të vërë dorë, jo të bëjë sehir”, tha një tjetër blerës.

Shitësit pranojnë që çmimet janë rritur. Ata pretendojnë se mungesa e prodhimit për shkak të thatësirës është bërë shkak për rritjen e çmimeve.

“Janë rritur e shumë madje, i të gjithave është e rritur përveç rrushit, specat, preshi, domatja të gjitha shtrenjtë. Në krahasim me vjet janë dyfish. Nuk i kemi rritur ne, se në 20 lek fitojmë për kile, i ka rritur tregu i shumicës sepse nuk ka shumë prodhim, sepse këtë vit ishte nxehtë e thatësira bëri punën e vet. Ankohen njerëzit, se fukarenj, kanë të drejtë”, u shpreh një shitës.

Pas bukës dhe naftës, edhe produktet bazë kanë pësuar rritje, gjë që ndikon drejtpërdrejt tek ulja e fuqisë blerëse, e rrjedhimisht ndikon në ekonominë e vendit.

Vlorë

Çmimet në tregun e përditshëm e fruta perimeve në Vlorë kanë shënuar një rritje të lartë qysh prej muajit gusht, rritje që reflektohet edhe në këto ditë shtatori. Fakti pranohet nga tregtarët ndërsa qytetarë shprehen se çmimet për ta janë të papërballueshme, sidomos për pensionistët.

“Pensionet janë të ulëta për ne nuk del. Çfarë të paguajmë më parë? Domatet, piperkat që blej janë rritur me parë ishin me 50-60 lekë të vjetra tani”, u shpreh një blerëse.

“Të shtrenjta, marrin nga pak. Me pensionin s’ia arrijmë, se marrim ilaçe. Blej patate, qepë këto që janë të zakonshme. Janë rritur kohët e fundit, që kur erdhën emigrantët”, tha një tjetër.

“Çmimet në treg, të ikësh natën. Unë që jam pensionist nuk i blej dot. Domatja ka shkruar 120 lekë, fruta, zarzavate nuk i merr dot”, tha një blerës.

Tregtarët thonë se nuk ka prodhim dhe konsumi ka rënë. Edhe ato pak blerje janë për ushqimet bazike.

“Çmimet janë rritur, kërkesë ofertë është, s’ka shumë mall. Kur të shtohet prodhimi do të ulen çmimet. Në gusht ndikoi ardhja e emigrantëve. Edhe tani ato çmime janë”, u shpreh një tregtar.

“Nga ardhja e refugjatëve, tani vazhdon akoma ai çmim nuk ulet më, malli eksportohet. Qytetarë nuk blejnë asgjë se nuk ju del. Vajti domatja 120 lekë, ai do të marrë një kokërr domate. Edhe ne jemi shumë keq, malli prishet, hidhet poshtë”, u shpreh një tjerë.

“Tani është stina e tillë që rriten çmimet. Ata që kanë blejnë, ata që s’kanë bëjnë sehir. Shikojnë ato që janë më çmim më të ulët e ato marrin. Edhe pandemia ka ndikuar”, tha një tregtar.

Mungesa e prodhimit nga fermerët vlonjatë bën që  produktet e tregtuara të vijnë nga qytete të tjera të vendit ose nga importi, çka sipas tregtarëve shtrenjton çmimet.

 

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Mot i keq në Shkodër, autoritetet apel qytetarëve: Shmangni zonat me risk

Territori i Bashkisë së Shkodrës është përfshirë mbrëmjen e së martës nga reshje të denduara shiu, ndërsa autoritetet lokale bëjnë me dije se strukturat e...
23:16 | 03/06/2026

Qytetarët bllokojnë rrugën pranë selisë së PS-së, thirrje të rinjve: Ngrihuni nga kafet

Edhe pse protesta e qytetarëve u njoftua se është mbyllur pas disa orësh, dhjetëra të rinj kanë shkuar pranë ambienteve të selisë së PS-së. Ata...
22:28 | 03/06/2026

Debat në “Now”, Nurellari: Duhet mbrojtur natyra! Ish-ministri Bajrami: Ka tentativë për destabilizim, Koka: U derdh gota e durimit

Politologu, Adri Nurellari i ftuar këtë të mërkurë i ftuar në emisionin “Now” me Erla Mëhillin në Euronews Albania ka folur lidhur me protestat e...
22:14 | 03/06/2026