Teatri ‘Aleksandër Moisiu’ eksperimenton duke sjellë për publikun audiotregime të Çehovit

1 Maj 2020 | 11:20

Teatrot në të gjithë vendin, u mbyllën për shkak të Pandemise COVID-19. Me shumë gjasa realiteti i sotëm do të sjellë realitete të reja, e shumëkush mendon se gjërat nuk do jenë më si më parë. Ndërkohë që libri, muzika, teatri, piktura, vallëzimi, filmat janë ato gjëra që e pasurojnë jetën tonë në këtë kohë izolimi. 

Teatri “Aleksandër Moisiu” ka menduar të vijë sërish pranë publikut për të sjellë emocione në një formë tjetër. Një kolanë tregimesh të shkurtra nga Anton Çehov, po transmetohen në formë audiotregimesh çdo mbrëmje ora 20.00 nga aktorët e trupës së ketij teatri.

Në një lidhje të drejtëpërdrejtë për Euronews Albania folën rreth kësaj nisme regjisorja Driada Dervishi dhe aktorja Suela Bako.

“Mendoj se ideja erdhi prej qëndrimit në shtëpi dhe ne në njëfarë mënyre jemi mësuar të jemi aktivë, them për të gjithë njerëzit. U gjendëm në një situatë të papritur dhe të paimagjinueshme dhe mendoj që vetë qenia njerëzore është programuar që të punojë, të krijojë dhe të lëvizë. Në këtë moment menduam të kërkonim forma të reja për të qenë pranë publikut. Mendoj që në fillim ishte drejtori i Teatrit, Elio Bajramaj, i cili sugjeroi që edhe ne të mos krijonim këtë vakuum të madh të shkëputjes me publikun dhe duke parë që të gjithë artistët në të gjithë botën ishin të impenjuar duke lexuar romane, poezi dhe tregime, nxorrëm këtë ide të hershme nga sirtari, që kur i thonë, i erdhi ora”, tha regjisorja Dervishi. 

Më tej ajo zbuloi arsyen se përse u zgjodh Çehovi për të realizuar këtë projekt. 

“Për të gjithë njerëzit e teatrit, Çehovi është një gur shumë i rëndësishëm, është një personazh, të cilin po e lexove njëherë nuk mund të shkëputesh dot më gjatë gjithë jetës. E bukura është që ai nuk është vetëm dramaturg dhe një nga njerëzit që bëri revolucion në teatrin modern, por është njohës i shkëlqyer i natyrës njerëzore dhe kjo vërehet te mbi 200 tregimet e shkurtra që ai ka shkruar”, tha regjisorja Driada Dervishi.

Aktorja Suela Bako tregon se u emocionua në momentin që mori një ftesë për të qenë pjesë e këtij projekti, i cili për nga natyra nuk është një eksperiencë e parë për të.

“Nuk është hera e parë që unë kam praktikuar të lexuarit përmes celularit të them të drejtën. Propozimi nga Driada ishte gati gati emocionues, pasi titulli është “Fundi i një aktori” dhe për një moment mendoj se të gjithë aktorët kudo në botë kanë menduar që ky ishte fundi. Pavarësisht se gjetëm mënyra të tjera komunikimi, skena është tjetër gjë. Skena është ajo për të cilën një aktor teatri jeton. Në këtë kontekst e kam përqafuar këtë ide dhe jam aq e përfshirë sa do të doja të vazhdonte gjatë, madje edhe atëhere kur skena do të rikthehet”, tha aktorja Suela Baki.

Regjisorja Driada Dervishi shtoi se pjesë e këtij projekti do të jenë edhe disa aktorë veteranë të skenës.

“Të gjithë aktorët e Teatrit “Aleksandër Moisiu”, janë bërë pjesë e kësaj nisme dhe jam e kënaqur që janë ofruar dhe do të jenë pjesë edhe dy aktorë veteranë të Teatrit “Aleksandër Moisiu”, Xhelal Tafaj dhe Hysen Bashhysa, gjithashtu edhe aktorja e teatrit që prej 3 vitesh jeton në New York, Era Çaushi. Do doja të niste një kulturë e re e të dëgjuarit, pasi libri është shumë i rëndësishëm, por kërkon vëmendjen tënde maksimale. Nëse e dëgjojmë veprën nga aktorët profesionistë mund të “lexojmë më shumë” dhe ndërkohë mund të bëjmë një punë tjetër. Audiotregimet në botë kanë dyfishin e shitjeve krahasuar me librat”, tha Dervishi. 

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Kolona zanore e filmit “Odisea” nga Nolan u frymëzua nga polifonia shqiptare! Kompozitori regjistroi barinjtë e Jugut në orën 4 të mëngjesit

Një pjesë e shpirtit të Shqipërisë do të dëgjohet në një nga filmat më të shumëpritur të viteve të fundit. Kompozitori fitues i çmimit Oscar,...
15:44 | 15/07/2026

Simfonia e 9-të e Beethovenit, kryevepra e muzikës klasike ngjitet në skenën e TKOB

Një nga kryeveprat botërore më ndikim në histori të muzikës klasike, Simfonia e 9-të e Beethovenit, do të ngjitet në skenën shqiptare të Teatrit Kombëtar...
19:18 | 14/07/2026

Ndahet nga jeta ikona e humorit Todi Llupi

Arti dhe kultura fierake kanë humbur një nga figurat e tyre më të dashura. Është ndarë nga jeta aktori dhe humoristi i njohur Todi Llupi,...
10:33 | 14/07/2026