Serie A, Interi kryeson me pikë të plota. Juve ndalet, Milani fiton para derbit

16 Shtator 2019 | 12:23

Në Itali pritet të luhet mbrëmjen e kësaj të hëne takimi Torino-Lecce, që do të përmbyllë kuadrin e ndeshjeve të javës së tretë të Serie A, por fundjava rezervoi rezultate pozitive për të dy ekipet milaneze dhe një frenim të Juventusit, kampion në fuqi.

Milani mposhti minimalisht Hellasin në “Bentegodi”, duke siguruar fitoren e dytë rresht dhe duke u ngjitur në kuotën e 6 pikëve në klasifikim. Në transfertën e Veronës arriti të zhbllokohej pas një kohe të gjatë sulmuesi polak Piatek, i cili shënoi në minutën e 68 nga pika e bardhë e 11-metërshit, pas prekjes së topit me dorë nga Gunter.

Ndeshja u kushtëzua nga dalja me karton të kuq e Stepinskit për Veronën në minutën e 21-të, si pasojë e një ndërhyrjeje të ashpër ndaj Musacchios. Në sekondat e fundit të ndeshjes edhe Calabria i Milanit pati të njëjtin fat, por ndëshkimi erdhi për sjellje antisportive.

Një Milan pa shkëlqim, me pak ide dhe disi konfuz në lojën e tij, por që arrin gjithsesi të rrëmbejë nga Verona 3 pikë tejet të rëndësishme për të rritur moralin, duke ditur se javën tjetër luhet derbi i Milanos me “kushërinjtë” zikaltër, e për t’i mposhtur ata, me siguri do të kërkohet diçka më shumë nga Giampaolo.

Interi i drejtuar nga Conte rrëmbeu i vetëm klasifikimin e Serie A pas fitores 1-0 ndaj Udineses të shtunën, që shënoi triumfin e tretë radhazi për zikaltrit, e vetmja skuadër “perfekte” deri më tani. Goli i vetëm në “San Siro” u realizua me kokë nga Sensi, pas asistit të Godin në minutën e 44-t të ndeshjes, teksa friulanët kishin mbetur në inferioritet numerik pas ndëshkimit me të kuq të De Paul.

Më shumë se gjithçka, tifozët zikaltër shijojnë kreun e tabelës së renditjes, ku shohin pas tyre me dy pikë më pak Juventusin kampion në fuqi, për më tepër që kjo ecuri vjen nën drejtimin e një ish-juventini në fushë dhe në pankinë.

Juventusi u ndal në një barazim pa gola gjatë së shtunës përballë Fiorentinës në “Artemio Franchi”, në atë që ishte ndeshja debutuese në pankinën bardhezi të Sarrit. Ish-trajneri i Napolit dhe Chelseat pati vështirësi në menaxhimin e ndeshjes, pasi u detyrua të bënte 3 zëvendësime të detyruara për probleme fizike të lojtarëve.

Në ndeshjet e tjera të Serie A bie në sy fitorja 3-4 e Bolognës ndaj Brescias në transfertë, një ecuri e frymëzuar edhe nga problemet shëndetësore të trajnerit Sinisa Mihajloviç, teksa renditen në vendin e dytë të klasifikimit me 7 pikë në 3 ndeshje. Napoli dhe Atalanta kanë dalë të fituara nga përballjet e tyre me skuadrat gjenoveze, respektivisht me Sampdorian 2-0 dhe me Genoan 1-2.

Me fate të ndryshme edhe skuadrat romane në këtë javë të tretë kampionati, me Romën që fitoi me goleadë 4-2 ndaj Sassuolos, ndërsa Lazio u mposht 2-1 nga Spali, një humbje surprizë kjo për bardhekaltrit. Edhe Parma u mposht në shtëpi nga Cagliari, që shënoi 3 gola e pësoi vetëm një.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Maran e nis me humbje, Izraeli mposht Shqipërinë në miqësoren me tensione

Trajneri Rolando Maran ka debutuar me humbje në stolin e kombëtares shqiptare, duke u mposhtur 0-1 në miqësoren përballë Izraelit. Ndonëse ishte një ndeshje miqësore,...
22:17 | 03/06/2026

Sherr në fushë pas golit të Izraelit, Glouk provokon! Tifozët thërrasin “Palestinë”

Shqipëria është mposhtur 0-1 nga Izraeli në ndeshjen miqësore të zhvilluar në stadiumin “Air Albania” në Tiranë. Goli i vetëm i takimit u shënua në...
21:50 | 03/06/2026

Botërori 2026, miliona turistë dhe miliarda fitime

Botërori FIFA 2026 pritet të jetë një nga ngjarjet që do t’i japë shtysën më të madhe turizmit në Amerikën e Veriut. Sipas Këshillit Botëror...
20:32 | 03/06/2026