Izraeli voton, Netanyahu kërkon me çdo kusht një tjetër mandat si kryeministër
Izraelitët kanë nisur t’u drejtohen qendrave të votimit për herë të dytë brenda vitit 2019, me kryeministrin Benjamin Netanyahu që synon të sigurojë shumicën e votave për partinë e tij “Likud” e rrjedhimisht të zgjasë më tej epokën 13-vjeçare, si kryeministër i Izraelit.
Netanyahu, apo “Bibi” siç njihet gjerësisht në vendin hebre, është kryeministri më jetëgjatë izraelit pavarësisht se gjatë vitit të kaluar ka parë fatet e tij t’i veniten, i mbërthyer nga akuzat për korrupsion dhe i përfshirë në një konflikt të ashpër politik në lidhje me shërbimin e detyrueshëm ushtarak për komunitetin ultraortodoks.
Në këto zgjedhje, Netanyahu do të përballet ndoshta me kundërshtarin më të denjë politik në dekada. Ai është Benny Gantz, ish-shefi i Forcave izraelite të Mbrojtjes. Aleanca Bardheblu (Kahol Laván) e këtij të fundit fitoi 35 mandate në parlamentin izraelit “Knesset” në zgjedhjet e muajit prill, po aq sa edhe partia “Likud”. Ky rezultat e la Netanyahun pa votat e mjaftueshme për të siguruar shumicën dhe për të qeverisur i vetëm vendin hebre, ndërsa betejat politike i pamundësuan atij të krijonte një koalicion për të rinovuar mandatin në krye të qeverisë.
Megjithëse figura më përçarëse në vendin hebre, mbështetësit e Netanyahut pretendojnë se ai është i vetmi që ka mundur ta vendosë Izraelin ndër radhët e para të skenës së politikës globale, e sigurisht admirojnë retorikën e tij të ashpër ndaj Iranit, popullit palestinez dhe kundërshtarëve të tij politik. Ndërsa kritikët thonë se ai ka minuar përpjekjet për të arritur paqen në Lindjen e Mesme, ndërsa akuzat ndaj tij për korrupsion kanë dëmtuar reputacionin e Izraelit jashtë vendit.
Për të realizuar objektivat e tij, Netanyahu ka shpallur synimet për aneksimin e luginës së lumit Jordan në Bregun e pushtuar Perëndimor, gjithnjë nëse fiton zgjedhjet, por këtu është ndeshur me deklaratat e ashpra të Bashkimit Evropian që vlerëson se një veprim i tillë është “i paligjshëm sipas ligjeve ndërkombëtare”. Fakti që zhvendosi mbledhjen e kabinetit të qeverisë kujdestare në këtë luginë gjatë së dielës, konsiderohet si një përpjekje e tij për të fituar mbështetjen e partive të vogla ultranacionaliste.
Por, fatet e Netanyahut duket se janë të lidhura me atë që cilësohet si “kingmaker” apo “jolly”, ministrin aktual të Mbrojtjes Avigdor Lieberman dhe njëkohësisht kreun e partisë konservatore, laike dhe ultranacionaliste, “Yisrael Beytenu”.
Ekspertë të zhvillimeve politike në Lindjen e Mesme thonë se Lieberman do të jetë ai që do të drejtojë dinamikat për koalicion dhe do të ketë një peshë vendimtare në këto zgjedhje. Në rast se “Likud” do të bashkëpunojë me Aleancën Bardheblu (Kahol Laván), atëherë votat e partisë së Lieberman do të jenë vendimtare. Lajmi i keq për “Bibin”, megjithatë, është se Lieberman e ka “përzgjedhur” tashmë se kush duhet të marrë drejtimin e “Knesset”.
Ultranacionalisti që flet edhe rusisht ka nënshkruar një marrëveshje për ndarjen e votave me Gantzin, duke qenë se sistemi zgjedhor izraelit u lejon partive t’u japin të tjerëve “votat e tepërta”, që do të thotë se kur një parti merr vota të pamjaftueshme për të siguruar një mandat të ri, ajo mund t’ia transferojë ato dikujt tjetër që mund t’i duhen ato.
Pavarësisht betejave të brendshme politike, në arenën globale duket se Netanyahut i mjafton vetëm një marrëdhënie “speciale”. Presidenti amerikan Donald Trump është shprehur se mund të paraqesë planin e tij për paqe mes Izraelit dhe palestinezëve ditën e votimeve ose menjëherë pas mbajtjes së tyre. Raportet e fuqishme me Trumpin, Netanyahu i ka shfrytëzuar kundër kundërshtarëve të tij politik gjatë fushatës, por ekspertë të ndryshëm mendojnë se humbja e tij në zgjedhje nuk ka për të ndryshuar mbështetjen që Izraeli merr nga Shtetet e Bashkuara.
Trump ishte i pari president amerikan në dekada që guxoi të transferonte Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Jeruzalem në vitin 2017, duke e njohur qytetin e shenjtë, “mollë sherri” në negociatat për paqe Izrael-Palestinë, si kryeqytet të shtetit hebre. Edhe pse kjo u pa si një lëvizje taktike për forcimin e marrëdhënieve SHBA-Izrael, Barack Obama i konsideruar si “presidenti më liberal i Amerikës në histori” dha më shumë para se çdo president tjetër për Izraelin: në vitin 2014 ofroi 225 milionë dollarë ndihma ushtarake për të.
Disa të plagosur nga shembja e ingranazhit të hundës së një avioni në Frankfurt (VIDEO)
Autorja e nominuar për çmimin Oscar, Marjane Satrapi ndërron jetë në moshën 56-vjeçare
Rubio: Groenlanda është pjesë e Danimarkës “për momentin”, bisedimet për ishullin vazhdojnë
- 16:28 Disa të plagosur nga shembja e ingranazhit të hundës së një avioni në Frankfurt (VIDEO)
- 16:22 Vrasja e policit në Maliq, Hita: Nuk kam pasur dijeni për operacionin, do kishim marrë masa më të forta
- 16:14 Autorja e nominuar për çmimin Oscar, Marjane Satrapi ndërron jetë në moshën 56-vjeçare
- 16:14 Rubio: Groenlanda është pjesë e Danimarkës “për momentin”, bisedimet për ishullin vazhdojnë
- 16:02 Starmer akuzon Musk se po përpiqet të shkaktojë përçarje në Mbretërinë e Bashkuar
- 15:55 Presidenti Aoun: Libani pret përgjigjen e Hezbollahut përpara se të hyjë në fuqi armëpushimi