Ish-kryeministri italian, Matteo Renzi braktis PD-në: “Mungon vizioni për të ardhmen”

17 Shtator 2019 | 11:01

Ish-kryeministri i Italisë në vitet 2014-2016, Matteo Renzi ka zyrtarizuar largimin nga Partia Demokratike e qendrës së majtë së bashku me rreth 30 deputetë. Arsyeja, “mungesa e vizionit për të ardhmen” dhe mosbindja e tij për aftësitë e aleatit në koalicionin qeverisës, Luigi di Maio i “5 Yjeve”.

“Për mua, politika është diçka krejt tjetër nga algoritmet e Casaleggios”, është shprehur Renzi gjatë një interviste për median italiane “La Repubblica”, duke iu referuar një prej themeluesve të Lëvizjes antiestablishment “5 Yjet” në vendin e Apenineve.

Gjithsesi, ish-kreu i ekzekutivit italian i kishte telefonuar të hënën kryeministrit aktual, Giuseppe Conte, për t’i siguruar atij “mbështetjen e plotë në qeverisjen e vendit”.

“Sot për sot, Partia Demokratike është një grupim rrymash, – shpjegon më tej ish-udhëheqësi demokrat. – Kam frikë se nuk do të jetë në gjendje t’i përgjigjet e vetme agresionit të Salvinit apo bashkëjetesës së vështirë me ‘5 Yjet’”.

Matteo Renzi njoftoi më tej se atë do ta ndjekin një grup prej gati 30 deputetësh, ndërsa vet u shpreh i gatshëm të impenjohej në muajt në vijim në luftën kundër Salvinit.

“Duke nisur nga kjo javë kanë për të lindur grupet e pavarura, një gjë e mirë për të gjithë. Sekretari i PD-së, Zingaretti nuk do të ketë më alibi për t’u justifikuar se nuk kontrollon dot grupet brenda PD, ndërsa qeveria me shumë mundësi do të zgjerojë bazën e konsensusit parlamentar, siç ia kam thënë edhe Contes. Ndaj, ky operacion do të jetë në të mirën e të gjithëve, edhe pse është vetëm maja e ajsbergut. Argumentet do të jenë më gjithëpërfshirëse e do të bëhen në terren, në të gjithë vendin, jo vetëm nëpër institucione”, shprehet Renzi.

Duke e quajtur një kryevepër taktike lënien jashtë qeverisë të Salvinit përmes instrumenteve të demokracisë parlamentare, Renzi thotë se ende nuk është mposhtur populizmi negativ i retorikave të tij, gjë që duhet të mposhtet në një bazë më të gjerë, te shoqëria.

Në lidhje me impenjimet e ardhshme elektorale, ish-kryeministri ka shpjeguar se nga grupimi i tij i ri nuk do të ketë kandidatë as për zgjedhjet rajonale dhe as për ato komunale të paktën për një vit.

“Zgjedhjet e para ku do të prezantojmë kandidatët tanë do të jenë ato politike, me shpresën që të mbahen në vitin 2023, e më pas në zgjedhjet për Parlamentin Evropian të vitit 2024. Kemi ende kohë për këtë gjë. Kush do të tentojë të kandidojë më herët do t’i duhet ta bëjë përmes listave qytetare apo si i pavarur”.

Por, si do të quhet formacioni i ri politik i Renzit? “Emrin nuk po e them, por nuk do të jetë një parti tradicionale, do të jetë si një shtëpi e përbashkët. Sigurisht do të jetë feminist, me shumë gra në poste drejtuese, për këtë arsye Teresa Bellanova do të jetë kreu i delegacionit në qeveri”.

Ish-kryeministrin Renzi, 39 vjeç në kohën kur mori drejtimin e ekzekutivit italian, pritet ta ndjekin emra të tillë si Maria Elena Boschi, Tommaso Cerno, ministrja për Familjen, Elena Bonetti, Teresa Bellanova, Ettore Rosato, Francesco Bonifazi, Anna Ascani, Roberto Giachetti, Luigi Marattin, Ivan Scalfarotto, Davide Faraone, por jo Luca Lotti, kreu i grupit demokrat në Dhomën e Deputetëve, Andrea Marcucci, Lorenzo Guerini, Alessia Morani, Simona Malpezzi.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Ishte nisur nga Gjermania, rrëzohet një aeroplan i vogël në Kroaci! Humbin jetën 4 persona

Katër persona humbën jetën të enjten pas një aksidenti të një aeroplani të vogël pranë qytetit Medulin në Istria, në bregdetin e Kroacisë. “Sipas informacionit që...
14:50 | 04/06/2026

11 raste në një javë, disa avionë rusë janë interceptuar në Baltik

Avionët luftarakë francezë u ngritën 11 herë gjatë javës së kaluar si pjesë e Misionit të Patrullimit Ajror Baltik të NATO-s, tha të enjten zëdhënësi...
14:27 | 04/06/2026

11 vende evropiane kërkojnë rregulla më të ashpra të vizave nga BE për qytetarët rusë

Njëmbëdhjetë shtete anëtare të BE-së i kanë kërkuar Komisionit Evropian të vendosë kufizime më të rrepta dhe detyruese për vizat Shengen për qytetarët rusë, duke...
14:22 | 04/06/2026