Problemi i pagave te Vllaznia, Kadia: Marrëveshja nuk ka përfshirë Këshillin Bashkiak, buxheti ende i parishikuar
Futbollistët e Vllaznisë kanë marrë garanci se do të marrin pagat e 4 muajve të fundit dhe pas kësaj zgjidhjeje ata i janë rikthyer stërvitjes. Por situata nuk duket kaq e kthjellët sa duket.
Kryetarja e Këshillit Bashkiak Shkodër, Brisela Kadia, tregoi për Euronews Albania se nuk ishte në dijeni të marrëveshjes së raportuar në media.
Ajo e cilësoi atë të njëanshme mes kryebashkiakes Voltana Ademi e futbollistëve dhe këmbënguli se nuk ka përfshirë Këshillin, i cili ka rol vendimmarrës.
“Ne i kemi kërkuar zj. Ademi që të sjellë për miratim pasqyrat financiare dhe buxhetin e klubit Vllaznia, këto nuk janë sjellë pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme, prandaj ditën e sotme thirra mbledhjen e asamblesë së klubit, mbledhje që do të zhvillohet të premten,” – tha Kadia duke u shprehur se thirrjen e mbledhjes e ka bërë në cilësinë e kryetares së Asamblesë.
Edhe mbledhja e thirrur nga Kadia kërkon vënien në dispozicion të këtyre pasqyrave financiare.
Klubi i Futbollit Vllaznia është shoqëri aksionere me kapital shtetëror. Asambleja drejtuese e saj është Këshilli i Bashkisë Shkodër.
Mbledhja e fundit është zhvilluar në muajin nëntor 2019-të, ku pritej të shqyrtoheshin pasqyrat financiare të viteve 2018 dhe 2019-të.
“Pasqyrat e vitit 2018 duhej të ishin miratuar deri në mars ose qershor 2019, periudhë që ka pasur mandat këshilli i kaluar bashkiak, por kjo nuk ka ndodhur, dhe kjo problematikë zvarritet,” – tregoi Kadia e cila theksoi se pasqyrat financiare nuk u miratuan në nëntor për shkak të rekomandimeve të dhëna nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, auditi i Bashkisë Shkodër dhe Komisioni i Posaçëm hetimor ngritur nga bashkia.
Mosmiratimi i pasqyrave financiare ka sjellë bllokimin e lëvizjeve ekonomike të klubit Vllaznia, pasi ato kanë penguar regjistrimin e këshillit të ri mbikëqyrës të klubit në Qendrën Kombëtare të Biznesit.
Megjithatë Kryetarja e Këshillit Bashkiak Shkodër këmbënguli se kjo nuk e ka penguar klubin që të hapte diskutimet për buxhetin, diskutime që mund t’i rihapin në mbledhjen e thirrur prej saj të premten, 29 maj.
Por ajo këmbënguli se buxheti i ri duhet bërë sipas rekomandimeve të ekspertëve.
“Kërkesat për rishikimin e buxhetit i janë bërë zj. Ademi dhe administratorit Lici që në muajin mars dhe kemi shprehur gatishmërinë për ta vazhduar zgjidhjen e situatës edhe nën pandemi, por kjo zvarritje ka përshkallëzuar gjendjen,” – u shpreh Kadia e cila zbuloi se prioritet i rishikimit të buxhetit janë pagat.
Prej 30 qershorit të vitit 2019, Bashkia Shkodër ndodhet në ngërç politik. Fituesi i zgjedhjeve vendore, Valdrin Pjetri i Partisë Socialiste, u tërhoq nga marrja e mandatit për shkak të problemeve me deklaratën e dekriminalizimit.
Për shkak se zgjedhjet nuk u ribënë, kryetare e bashkisë ka mbetur Voltana Ademi e Partisë Demokratike. Ajo ka pasur shpesh përplasje politike me Këshillin Bashkiak, që kontrollohet tërësisht nga Partia Socialiste.
Përplasja më e fundit është reflektuar me klubin e Vllaznisë, ku futbollistët nuk kanë marrë pagat prej muajit janar.
Lexoni gjithashtu:
Këshilli Bashkiak i Shkodrës kërkon rishikimin e pasqyrave financiare të Vllaznisë
Maran e nis me humbje, Izraeli mposht Shqipërinë në miqësoren me tensione
Sherr në fushë pas golit të Izraelit, Glouk provokon! Tifozët thërrasin “Palestinë”
Botërori 2026, miliona turistë dhe miliarda fitime
- 10:55 Mbërrin me helikopter te Trauma efektivi i plagosur gjatë operacionit në Maliq
- 10:53 Zbulohet një kompleks termal romak në Lushnje
- 10:45 Autori ish-ushtarak bënte qitje në pyll, pamje nga vendi ku u vra polici në Maliq (VIDEO)
- 10:30 Kuvendi mban një minutë heshtje për efektin e policisë të vrarë në krye të detyrës në Maliq (VIDEO)
- 10:27 Plumba mbi policinë, vritet efektivi në krye të detyrës, plagoset kolegu i tij.
- 09:59 Presidenti Begaj reagon për vrasjen e efektivit në Korçë: Policia nuk do të zbrapset