Një shtegtar i ri regjistrohet për herë të parë në Shqipëri
Ornitologët vendas dhanë lajmin e mirë se regjistruan për herë të parë në Shqipëri një shpend shtegtar të quajtur Këmbëqirithi i përhimë (Xenus Cinereus).
Shpendi u pikas gjatë fundjavës nga vëzhguesit e natyrës në Kriporen e Skrofotinës, në zonën e Peizazhit të Mbrojtur Vjosë-Nartë.
Erald Xeka, koordinator projekti në organizatën AOS, (Albanian Ornithological Society) tregoi për Euronews Albania përjetimin e pikasjes së këtij shpendi të pazakontë për vendin tonë.
“Ky vrojtim, ndonëse në dukje rastësor është produkt e vijim i aktiviteteve tona kërkimore shumëvjeçare për shpendët shtegtarë e folezues. Mua si person më dha ndjesinë e gjetjes së një thesari, marrë parasysh se kishim vite që e kërkonim këtë specie,” deklaroi Xeka.
“Na u duk përnjimend një bukuri e rrallë që na solli shumë gëzim! Njëkohësisht vërtetoi bindjen se Kriporja e Skrofotinës në Ligatinën Vjosë-Nartë është me rëndësi unikale për shpendët shtegtarë dhe ata folezues. Kjo është vetëm një prej shumë surprizave që ofron Narta dhe ligatinat e tjera të vendit tonë,” shtoi vëzhguesi i shpendëve.
Vrojtimi i Këmbëqirithit të përhimë është rastësor në Shqipëri dhe shpendi duhet të konsiderohet si aksidental, sipas ekspertëve. Rruga e zakonshme e shtegtimit të tij nga Afrika perëndimore është ajo Mesdheut Lindor dhe Detit të Zi ndërkohë që vendet e folezimit ndodhen në skajin e Evropës Verilindore dhe Azinë Veriore.
Këmbëqirithi i përhimë ka si tipare karakteristike sqepin e lakuar përpjetë, këmbët ngjyrë portokalli, trupin e vogël, ngjyrën e përhime dhe sjelljen e veçantë krahasuar me baltakë të tjerë të ndodhur aty rrotull.
“Ngjyra e përhime dhe vija e errët në pjesën e sipërme të krahut na dhanë përshtypjen se individi është adult (i rritur, i pjekur seksualisht). Sikurse pritej, shpendi po kërkonte krustace të vogla, molusqe dhe krimba anelidë, që përbëjnë dhe ushqimin e parapëlqyer gjatë shtegtimit,” theksoi AOS me entuziazëm.
Mot i keq në Shkodër, autoritetet apel qytetarëve: Shmangni zonat me risk
Qytetarët bllokojnë rrugën pranë selisë së PS-së, thirrje të rinjve: Ngrihuni nga kafet
Debat në “Now”, Nurellari: Duhet mbrojtur natyra! Ish-ministri Bajrami: Ka tentativë për destabilizim, Koka: U derdh gota e durimit
- 23:16 Mot i keq në Shkodër, autoritetet apel qytetarëve: Shmangni zonat me risk
- 23:07 “Opozitë e krimit”! Protestuesit nga selia e PS-së shkojnë para selisë së PD-së
- 22:35 Tajani: Është SHBA-ja ajo që “duhet ta ndalojë Izraelin” për paqen në LM
- 22:33 SHBA tërheq trupat nga Lituania
- 22:28 Qytetarët bllokojnë rrugën pranë selisë së PS-së, thirrje të rinjve: Ngrihuni nga kafet
- 22:27 Irani shënjestron anijen amerikane në Gjirin e Omanit! Araghchi: Nëse Izraeli sulmon Bejrutin, rifillon lufta