Bilanci javor i COVID-19 në rajon, Serbia nxit debat pas deklarimit të mbi 4000 të shëruarve në dy ditë

9 Qershor 2020 | 07:14

Java që lamë pas ishte tejet e vështirë për Maqedoninë e Veriut, e cila regjistroi mbi 800 raste të reja me COVID-19 çka e detyroi të rivinte në karantinë disa qytete gjatë fundjavës. Numër relativisht të lartë me raste të reja regjistruan edhe Bosnje e Hercegovina, Shqipëria dhe Kosova, ndërsa Serbia nxiti diskutime me Malin e Zi pas raportimit të beftë në fundjavë të mbi 4,000 të shëruarve.

Të infektuarit

Bilancit rajonal të pandemisë iu shtuan javën që lamë pas (1 qershor – 8 qershor) 1,757 të infektuar të tjerë – pothuajse dyfishi i prirjes së një jave më parë (25 maj – 1 qershor), 929. Tashmë totali rajonal në gjithë Ballkanin Perëndimor bën fjalë për 22,849 të infektuar.

Gjatë kësaj jave shumica e rasteve të reja ishin në Maqedoninë e Veriut (837 raste) dhe Serbi (466 raste), por vlen të theksohet se Kosova pati prirje në rritje me 153 të infektuar të tjerë nga 78 që kishte një javë më parë.

Kroacia është pranë daljes zyrtare nga pandemia, pasi sërish këtë javë regjistroi vetëm 1 të infektuar të ri dhe autoritetet janë optimiste se situata mund të lehtësohet edhe më tej.

Mali i Zi, që ka dalë zyrtarisht nga pandemia prej 25 majit, ka nisur të rihapë kufijtë me kushtin që vendet hyrëse të kenë raporte pozitive me pandeminë.

Por së fundmi Podgorica ka vënë në diskutim shifrat që vijnë nga Serbia, e cila të premten kishte rreth 7 mijë të shëruar ndërsa krejt befasisht, të dielën shtoi edhe 4 mijë të tjerë dhe zyrtarisht u deklarua se kishte më pak se 500 raste aktive.

Pas këtyre shifrave Instituti malazez i Shëndetit Publik i kërkoi shpjegime kolegëve të tyre në Beograd pasi u ngritën dyshime se autoritetet serbe kishin tkurrur vetë numrat zyrtarë për të bërë të mundur që me hapjen e sezonit turistik serbët të përfitonin hapjen e kufirit me Malin e Zi.

Shpjegimi për këtë tkurrje të shifrave ishte se mbi 4,500 persona u konsideruan të shëruar me vetëm një test negativ, dhe jo 2 siç e kërkojnë procedurat standarde të ndjekura përgjithësisht në shumë vende të botës.

Viktimat

Edhe javën që lamë pas Maqedonia e Veriut vuajti më shumë viktima në rajon (16 vdekje). Megjithatë ky numër duhet thënë se ishte më i vogël se ai i regjistruar një javë më parë (27 vdekje) dhe kjo është disi lehtësuese për Shkupin.

Kosova dhe Mali i Zi nuk patën asnjë viktimë ndër pacientët me COVID-19. Në Bosnje e Hercegovinë dhe Serbi pati nga 6 vdekje të tjera dhe nga 1 vdekje pati në Shqipëri dhe Kroaci.

Në total në gjithë rajonin pati 30 vdekje, rreth 16 më pak se prirja e një jave më parë.

Në raport me popullsinë bilanci vazhdon të rëndohet në Maqedoninë e Veriut, e cila ka mesataren më të lartë në rajon me 75 vdekje për çdo 1 milion banorë.

Në këtë statistikë Shqipëria është ajo që ka të dhënat më të lehta – 12 vdekje për çdo 1 milion banorë.

Lexoni gjithashtu:

Bilanci javor i COVID-19 në rajon, valë e re infektimesh në RMV, Bosnje e Hercegovinë, Shqipëri e Kosovë

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Rubio: Anëtarësimi i Kosovës në NATO tani nuk është në krye të agjendës së aleatëve

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, tha se zgjerimi i NATO-s për të përfshirë Kosovën aktualisht nuk është në krye të agjendës së aleatëve, por...
08:17 | 04/06/2026

Rreth 90 serbë dëbohen nga aeroporti i Tivatit, policia malazeze i cilëson rrezik për sigurinë

Rreth 90 shtetas të Serbisë janë dëbuar nga aeroporti i Tivatit dhe u është ndaluar hyrja në Mal të Zi, pasi konsiderohen “rrezik për sigurinë”,...
19:15 | 03/06/2026

Costa takohet edhe me Osmanin, në fokus hapat e Kosovës drejt integrimit evropian

Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani këtë të mërkurë është takuar me Presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa në kuadër të vizitës së tij në Prishtinë....
16:28 | 03/06/2026