Studentët kërkojnë diplomat, dekani dorëzon listën emërore përfundimtare për depozitim në Rektorat

2 Korrik 2020 | 16:45

Dekani i Fakultetit të Ekonomisë, Dhori Kule iu bashkua kërkesës së studentëve për të zgjidhur problemin 1-vjeçar të mosmarrjes së diplomave.

Dhori Kule tha këtë të enjte për mediat se listat me emrat e studentëve për diplomim janë dërguar në Rektorat që në muajin shkurt. Megjithatë, në kërkesë të rektorit të Universitetit të Tiranës studentët dakordësuan me dekanin e fakultetit për dërgimin e listave përfundimtare.

“Për të hequr çdo alibi justifikuese, që më pengon kjo apo ajo, i kam përcjellë listat e studentëve të masterit, janë 1034 me emër, mbiemër, të dhënat pa numër matrikullimi”, tha dekani Kule.

315 studentë të nivelit master nuk janë pajisur ende me kartonin e diplomës si pasojë e mosmarrëveshjeve mes dekanatit të Fakultetit të Ekonomisë dhe Rektorit të Universitetit të Tiranës.

“Ka qenë shumë problematike se shumë studentë donin të iknin jashtë. Kjo ishte një zvarritje e bërë nga universiteti, ministria e quan të ligjshëm të gjithë procesin e diplomave të studentëve, por rektori nuk dëshiron ta quajë të ligjshme”, thotë studenti Eljon Mulgeci.

Më herët Ministria e Arsimit kërkoi në mënyrë të menjëhershme lëshimin e diplomave nga Universiteti i Tiranës.  Nga ana tjetër, rektori i Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni përmes një letre publike drejtuar ministrisë, ia la fajin drejtuesve të Fakultetit të Ekonomisë.

Sipas tij, diplomat nuk janë lëshuar për këta studentë pasi atij nuk i ishin përcjellë listat përfundimtare të studentëve të regjistruar për vitin akademik 2017-2019.

Procesi i dorëzimit të listave emërore me të dhënat e regjistrimit për matrikullim në Rektorat, u bë nën praninë edhe të një përfaqësuesi nga Ministria e Arsimit Sportit, kërkesë kjo e vetë studentëve.

Pas plotësimit të kërkesës së Rektorit dhe dorëzimit të emrave për pajisjen me diplomë, studentët shpresojnë në zgjidhjen e problemit.

“Përderisa rektori ka dalë garant që në momentin që do marrë listat do dalë me një qëndrim dhe do fillojë firmosja e diplomave të studentëve, besojmë se do kemi një zgjidhje”, – thotë Xhelo Mile, student.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Mot i keq në Shkodër, autoritetet apel qytetarëve: Shmangni zonat me risk

Territori i Bashkisë së Shkodrës është përfshirë mbrëmjen e së martës nga reshje të denduara shiu, ndërsa autoritetet lokale bëjnë me dije se strukturat e...
23:16 | 03/06/2026

Qytetarët bllokojnë rrugën pranë selisë së PS-së, thirrje të rinjve: Ngrihuni nga kafet

Edhe pse protesta e qytetarëve u njoftua se është mbyllur pas disa orësh, dhjetëra të rinj kanë shkuar pranë ambienteve të selisë së PS-së. Ata...
22:28 | 03/06/2026

Debat në “Now”, Nurellari: Duhet mbrojtur natyra! Ish-ministri Bajrami: Ka tentativë për destabilizim, Koka: U derdh gota e durimit

Politologu, Adri Nurellari i ftuar këtë të mërkurë i ftuar në emisionin “Now” me Erla Mëhillin në Euronews Albania ka folur lidhur me protestat e...
22:14 | 03/06/2026