Hoti cakton Skënder Hysenin koordinator për dialogun, NISMA kërkon sqarime
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, mblodhi të martën përfaqësues të partive politike, për t’i njoftuar me procesin e rifillimit të dialogut me Serbinë.
Takimit iu përgjigjën përfaqësues të partive qeverisëse, por jo edhe ata të opozitës: Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Demokratike të Kosovës.
Në takim u diskutua edhe emërimi i koordinatorit qeveritar për dialogun Kosovë-Serbi. Sipas Hotit, koordinatori do të shkoj të enjten në Bruksel dhe do të niste hartimin e draft marrëveshjes finale mes dy vendeve.
Pas takimit para mediave foli Bilall Sherifi, nga Nisma Socialdemokrate e Kosovës.
Ai tha se për emërimin e koordinatorit fillimisht duhet të vendosin liderët e tri partive politike që janë në koalicionin qeverisës: Isa Mustafa nga LDK, Ramush Haradinaj nga AAK dhe Fatmir Limaj nga Nisma Socialdemokrate, në bashkëpunim me kryeministrin Hoti.
“Se cili do të jetë mandati dhe detyrat e koordinatorit, mbetet ta shpjegojë kryeministri, së pari për partnerët e koalicionit, pastaj për opozitën. Se a është ajo rruga që duhet ndjekur, së pari duhet të vendosin z. Mustafa, Limajdhe Haradinaj, në bashkëpunim me kryeministrin,” – tha Bilall Sherifi.
Ai shtoi se në emër të Nismës Socialdemokrate, ka kërkuar nga Hoti që të kihet kujdes që Kosova të mos rrëshqasë në një dialog teknik, sepse ai, sipas tij, nënkupton zvarritje të zgjidhjes apo normalizimit të raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Nisma nuk mendon se duhet të ecet në atë rrugë, sepse jemi të sigurt që kemi të bëjmë me të njëjtin film që e kemi parë prej vitit 2011 dhe kemi të bëjmë me të njëjtit aktorë dhe regjisorë. Kosova ka nevojë për një dialog, i cili do të zgjidhë shpejt dhe drejt raportin mes Kosovës dhe Serbisë,” – shtoi më tej Sherifi.
Ndërsa pas takimit nuk ka folur përfaqësuesi i AAK-së, por as vet Kryeministri Hoti.
Në njoftimin për media të Zyrës së Kryeministrit nuk jepen detaje për ato që janë folur në takim.
Thuhet se Kryeministri i ka njoftuar Forumin e partive politike për ecurinë e deritanishme të dialogut me Serbinë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, i cili sipas tij duhet të përfundojë me normalizim të marrëdhënieve në mes dy vendeve dhe me njohje reciproke.
“Kryeministri Hoti, edhe me këtë rast, ka ritheksuar se i tërë procesi i dialogut do të jetë plotësisht transparent, ndërsa Kuvendi i Kosovës, Forumi i partive politike dhe opinioni i gjerë në vend do të njoftohet hollësisht për secilin takim”, thuhet në njoftim.
Vetëm pak orë pas këtij takimi, kryeministri Hoti caktoi bashkëpartiakun e tij Skënder Hyseni në pozitën koordinatorit për dialog.
“Duke u bazuar në platformën e Qeverisë së Republikës së Kosovës për dialogun me Serbinë, në mbështetje të vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës të datës 1 korrik 2020, me qëllim të organizimit dhe të bashkërendimit institucional dhe ndërkombëtar të këtij procesi, kryeministri AvdullahHoti sot ka emëruar z. Skënder Hysenin Koordinator Shtetëror për Dialog”, thuhet në njoftimin e qeverisë.
Costa takohet edhe me Osmanin, në fokus hapat e Kosovës drejt integrimit evropian
Kurti takim me Costan: Kosova është rreshtuar plotësisht me politikën e jashtme të BE-së
Haxhiu gjatë takimit me Costan: Rruga drejt BE-së, interes strategjik i Kosovës
- 23:16 Mot i keq në Shkodër, autoritetet apel qytetarëve: Shmangni zonat me risk
- 23:07 “Opozitë e krimit”! Protestuesit nga selia e PS-së shkojnë para selisë së PD-së
- 22:35 Tajani: Është SHBA-ja ajo që “duhet ta ndalojë Izraelin” për paqen në LM
- 22:33 SHBA tërheq trupat nga Lituania
- 22:28 Qytetarët bllokojnë rrugën pranë selisë së PS-së, thirrje të rinjve: Ngrihuni nga kafet
- 22:27 Irani shënjestron anijen amerikane në Gjirin e Omanit! Araghchi: Nëse Izraeli sulmon Bejrutin, rifillon lufta