Radhë kilometrike në pikat kufitare me Greqinë, qytetarët kalojnë natën në pritje për të kaluar

14 Gusht 2020 | 18:04

Ora 20:00 Radha e makinave që presin të kalojnë pikën kufitare të Kakavijës është ulur në gati 7 km gjatësi. Në pritje ka ende qytetarë që gjenden aty prej dy ditësh. Ata thonë se nuk ishin në dijeni të ndryshimit të rregullave nga qeveria greke, ku tashmë kushdo që do të kalojë kufirin duhet të kryej testin për COVID-19.

Ora 18:00 Me mijëra qytetarë që presin të kalojnë pikën kufitare të Kakavijës duket se do ta kalojnë natën jashtë pasi radha vijon të mbetet kilometrike. Radha e gjatë ka ardhur pasi autoritetet greke kanë vendosur që të zhvillojnë testime masive për udhëtarët që kalojnë kufirin si pasojë e shtimit të rasteve me koronavirus në Shqipëri.

Ora 17:25 Ministri i Jashtëm në detyrë, Gent Cakaj i ka telefonuar ministrit alternant të Jashtëm të Greqisë, Miltiadis Varvitsiotis ku ka biseduar për një bashkëpunim më të ngushtë dhe për lehtësimin e procedurave në kalimin kufitar në Kakavijë.

“Ndërkohë që respektojmë të gjitha masat dhe grupet e punës në kufi, nga situata e krijuar po punojmë vazhdimisht për lehtësimin e radhëve në kufi”, shprehet Cakaj.

MEPJ deklaroi më herët se është në bisedime për të zgjatur orarin e punës në pikat kufitare, në mënyrë që qytetarët të mund të kalojnë edhe në orë e vona të natës. Nga ana tjetër, Ministria e Shëndetësisë dhe Ministria e Mbrojtjes kanë vendosur në dispozicion të qytetarëve të bllokuar në radhë disa ekipe mjekësore dhe autoambulanca, si dhe shërbime higjienosanitare.

Ora 16:00 Ambasada greke në Tiranë njofton kufizim të pasagjerëve ditor drejt Greqisë nga Kakavija 750 persona dhe nga Kapshtica 300 persona. Prej 17 gushtit të gjithë udhëtarët duhet të vetëkarantinohen për shtatë ditë ose gjobiten me 5000 euro nga autoritetet helene.

Ora 15: 56 Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme njofton se nga ora 14:00 deri në orën 15:30 kanë kaluar 500 qytetarë kufirin.

Ora 15: 34 Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka dhe drejtori i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile nisen drejt Kakavijës për të takuar autoritetet lokale.

Ora 14: 45 Ministrja e Jashtme njofton se është vënë në kontakt të menjëhershëm me palën greke dhe fillimisht u bë i mundur shtimi i testimeve të kryera në pikat kufitare prej 200 testimesh në orë, ndërsa në këto momente është arritur të realizohen 330 testime në orë.

Situata gjatë ditës

[instagram_feed=p/CD3v7NEoa98]

Puna me orare të kufizuara, detyrimi për të kryer testin e COVID-19 nga pala greke dhe lajmi se pas 16 gushtit kush kalon për në Greqi duhet të vihet në karantinë për 7 ditë ka shkaktuar radhë të gjata në Kakavijë dhe Kapshticë.

Radha e makinave ka shkuar deri në 20 kilometra ndërsa ka qytetarë që prej 3 ditësh qëndrojnë aty. Në shënjë proteste ata kanë tentuar të bllokojnë makinat që hyjnë në tërritorin shqiptar nga Greqia.

Shkak për këtë situatë është bërë edhe fakti që në Kakavijë në palën greke ditët e fundit punonin vetëm 2 mjekë, që nuk përballonin dot fluksin e udhëtarëve.

Radhët kanë shqetësuar tej mase shqiptarët rezidentë në Greqi që duan të kthehen në shtëpitë e tyre. Për këtë shqetësim kanë reaguar udhëheqësit shqiptarë, të cilët kanë kërkuar angazhim më të madh nga pala greke për të përshpejtuar procedurat e kalimeve.

Presidenti Ilir Meta shprehu shqetësimet për situatën përmes një postimi në Facebook ku shoqërohej me pamje video nga Kakavija.

“I bëj thirrje urgjente qeverisë dhe ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme, të vendosin kontaktet me palën greke, për të marrë të gjitha masat për lehtësimin dhe garantimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve në anën tjetër të kufirit. Zgjidhja duhet të jetë e menjëhershme!,” – tha Meta. 

Ministria e Jashtme reagoi për situatën duke u shprehur se “problemi në lëvizje nuk krijohet nga autoritetet policore greke apo ato doganore, por nga autoritetet shëndetësore”, të cilat duhet të kryejnë testet. Ministria tha se ka pasur vetëm dy mjekë dhe për këtë palës greke u është kërkuar të shtohet personeli dhe në këtë mënyrë të reduktohet koha e pritjes.

Në komunikimin për shtyp të ministrisë u tha se ndryshe nga Kakavija, “në pikën kufitare të Kapshticës situata vijon normalisht”. Mirëpo Euronews Albania siguroi pamje nga zona kufitare e Kapshticës ku e njëjta situatë me radhë kilometrike qytetarësh shfaqej edhe atje.

Në afërsi të doganës së Kapshticës me qindra makina qëndrojnë në tre-katër korsi në pritje të procedurave kufitare.

Radha e makinave të udhëtarëve në zonën kufitare të Kapshticës.

Në një reagim në rrjetet sociale Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi nxiti ministrinë e Brendshme dhe ministrinë e Jashtme që të gjejnë një pikë mirëkuptimi me qytetarët dhe autoritetet në mënyrë që të lehtësojnë situatën.

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj tha në një postim në Facebook se policia është angazhuar për të zgjidhur sa më parë problemet e shfaqura. Ai tha se në bashkëpunim me ministrinë e Jashtme po bëhen të gjitha përpjekjet për të kërkuar që autoritetet greke të përshpejtojnë procedurat e testimit dhe të reduktojnë kohën e pritjes.

“Ministria e Brendshme u bën thirrje qytetarëve që të informohen për gjendjen në pikat kufitare përpara se të nisen për të udhëtuar drejt tyre,” – tha ministri Lleshaj.

Prej fillimit të muajit gusht autoritetet greke kanë kufizuar kalimin në pikat doganore nga ora 6.00 deri ne mbrëmjen e orës 22.00, por gjithashtu personat që kalojnë brenda këtij orari janë te detyruar t’i ushtrohen testit të Covid-it.

Së fundi ministria e Jashtme e Shqipërisë është shprehur se pala greke po shqyrton mundësinë për të hequr detyrimin e bërjes së testit me tamponë.

 

Lexoni gjithashtu:

Ministria e Jashtme kujton se pikat doganore me Greqinë do të funksionojnë vetëm ditën

Greqia mbyll pjesërisht Kakavijën dhe Kapshticën, vendos rregulla të reja

Greqia rikthen karantinën për shqiptarët, 7 ditë izolim kush kalon nga Kakavija, mbyllet gjatë natës pika kufitare

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Mot i keq në Shkodër, autoritetet apel qytetarëve: Shmangni zonat me risk

Territori i Bashkisë së Shkodrës është përfshirë mbrëmjen e së martës nga reshje të denduara shiu, ndërsa autoritetet lokale bëjnë me dije se strukturat e...
23:16 | 03/06/2026

Qytetarët bllokojnë rrugën pranë selisë së PS-së, thirrje të rinjve: Ngrihuni nga kafet

Edhe pse protesta e qytetarëve u njoftua se është mbyllur pas disa orësh, dhjetëra të rinj kanë shkuar pranë ambienteve të selisë së PS-së. Ata...
22:28 | 03/06/2026

Debat në “Now”, Nurellari: Duhet mbrojtur natyra! Ish-ministri Bajrami: Ka tentativë për destabilizim, Koka: U derdh gota e durimit

Politologu, Adri Nurellari i ftuar këtë të mërkurë i ftuar në emisionin “Now” me Erla Mëhillin në Euronews Albania ka folur lidhur me protestat e...
22:14 | 03/06/2026