Katër viktima dhe 171 raste të reja me COVID-19 në Shqipëri

12 Tetor 2020 | 14:04

Ministria e Shëndetësisë raportoi të hënën 4 viktima dhe 171 të infektuar të tjerë me COVID-19 duke e çuar bilancin e pandemisë në 15,570 raste prej së cilave 424 nuk ia kanë dalë mbanë.

Autoritetet thanë se viktimat ishin të moshave 64, 66, 71 dhe 78 vjeç rezidentë në Shkodër, Pogradec, Skrapar dhe Përmet.

Gjatë 24 orëve u tha se në klinikat publike dhe private ishin kryer 952 teste prej së cilave 171 persona rezultuan të prekur nga koronavirusi (pozitiviteti 17.9%).

Ky është numri më i lartë i rasteve ditore raportuar gjatë dy muajve të fundit. Megjithatë vlen të thuhet se rekordi mbetet 178 raste raportuar më 24 gusht.

Po gjatë 24 orëve të fundit autoritetet raportuan se u shëruan 85 persona, të cilët e çojnë totalin e atyre që e kanë mposhtur virusin në 9,585 vetë (61.5% e rasteve totale të shëruar).

Aktualisht në dy spitalet e vetme që trajtojnë të sëmurët me COVID-19 janë të shtruar 244 pacientë, prej të cilëve 14 në terapi intensive.

Të dielën u raportua për numrin më të lartë të të shtruarve gjatë 7 muajve pandemi – 246 pacientë, – ndërkohë që në tërësi mesatarja e të shtruarve është rritur ndjeshëm dy muajt e fundit nga 114 që ishte në periudhën korrik-gusht në 197 në periudhën shtator-tetor.

Prej së enjtes, 15 tetor, qeveria do ta bëjë të detyrueshme mbajtjen e maskave edhe në mjedise të hapura. Më 20 korrik ajo e pati bërë të detyrueshme mbajtjen e maskës vetëm në mjedise të mbyllura, gjë që si duket nuk solli aspak ulje të përhapjes së koronavirusit.

Për këtë Ministria e Shëndetësisë apeloi që qytetarët “ta bëjnë pjesë të sjelljes tyre të përditshme mbajtjen e maskës për të mbrojtur veten dhe të afërmit e tyre”, ndërkohë që policia ka paralajmëruar kontrolle të shumta dhe gjobitje të qytetarëve që nuk do t’i mbajnë.

Prej muajit mars, kur u diagnostikua rasti i parë me COVID-19, autoritetet publike dhe private të shëndetësisë kanë kryer rreth 100 mijë teste (99,598 teste), nga të cilat 15.6% kanë rezultuar pozitive.

Nga rreth 15,570 të infektuar, më shumë se gjysma kanë mundur të shërohen ndërsa rreth 2.7% (424 raste) nuk ia kanë dalë mbanë.

Teksa rreth 35% e rasteve totale mbeten ende aktive (5,561 raste), zona si Tirana (2,855 raste), Durrësi (593 raste) dhe Shkodra (414 raste) mbeten më problematiket.

Të dhëna domethënëse:

  • koronavirusi u ka marrë jetën katër mjekëve: Anibal Byberi, Hysni Shkjau, Arian Pushi dhe Esat Pashaj;
  • pas dy muajsh e gjysmë me mesatarisht mbi 2 vdekje në ditë, më 24 shtator u regjistrua dita e parë pa viktima mes pacientëve me COVID-19;
  • më shumë të shëruar në një ditë: 264 raportuar më 2 tetor;
  • më shumë raste në një ditë: 178 raportuar më 24 gusht;
  • më shumë viktima në një ditë: 6 raportuar dhjetë herë mes muajve korrik, gusht dhe shtator;
  • viktima më e re në moshë: 21 vjeç raportuar më 15 korrik;

Masa të rëndësishme:

  • prej 19 korrikut qeveria lejon kryerjen e testit për antitrupa në klinika private; lexo më shumë këtu
  • prej 20 korrikut mbajtja e maskës në mjediset e mbyllura është bërë me detyrim, lexo më shumë këtu;
  • nga muaji mars e deri në fund të shtatorit autoritetet ndaluan aktivitetet e bareve në mjedise të mbyllura;
  • prej 20 korrikut qeveria u ndalon muzikën bareve dhe restoranteve pas orës 20:00; lexo më shumë këtu;
  • prej 23 korrikut qeveria lejon kryerjen e testit me tamponë në klinika private; lexo më shumë këtu;
  • qeveria ka siguruar 368 mijë vaksina kundër gripit që do t’u jepen punonjësve të shërbimeve publike dhe grupeve më të rrezikuara nga koronavirusi; lexo më shumë këtu;

Të dhëna mbetur të paqarta:

  • ministria e Shëndetësisë raporton vetëm vdekjet spitalore të pacientëve me COVID-19;
  • në shtatë muaj pandemi nuk ka pasur raportime për vdekje në kushte shtëpie të të infektuarve me koronavirus;
  • numri i përgjithshëm i rasteve totale me COVID-19 nuk rezulton të jetë i saktë;
  • të paktën 12 raste me pacientë të infektuar nga COVID-19 (bashkë me vetëvrasjen e dy pacientëve në spital), vdekjet e të cilëve nuk u shkaktuan nga COVID-19, nuk figurojnë në rastet e përgjithshme, çështje për të cilën Euronews Albania ka kërkuar shpjegime, por nuk ka marrë përgjigje nga autoritetet, lexo më shumë këtu.
Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Mot i keq në Shkodër, autoritetet apel qytetarëve: Shmangni zonat me risk

Territori i Bashkisë së Shkodrës është përfshirë mbrëmjen e së martës nga reshje të denduara shiu, ndërsa autoritetet lokale bëjnë me dije se strukturat e...
23:16 | 03/06/2026

Qytetarët bllokojnë rrugën pranë selisë së PS-së, thirrje të rinjve: Ngrihuni nga kafet

Edhe pse protesta e qytetarëve u njoftua se është mbyllur pas disa orësh, dhjetëra të rinj kanë shkuar pranë ambienteve të selisë së PS-së. Ata...
22:28 | 03/06/2026

Debat në “Now”, Nurellari: Duhet mbrojtur natyra! Ish-ministri Bajrami: Ka tentativë për destabilizim, Koka: U derdh gota e durimit

Politologu, Adri Nurellari i ftuar këtë të mërkurë i ftuar në emisionin “Now” me Erla Mëhillin në Euronews Albania ka folur lidhur me protestat e...
22:14 | 03/06/2026