4 vite të tjera: Kush do të përfitonte nga rizgjedhja e Trump, Britania apo BE-ja?

4 Nëntor 2020 | 16:50

Kur Donald Trump shkoi për vizitë, Britania i shtroi tapetin e kuq. Mes palëve pati buzëqeshje, por si kudo, dikush shtrëngoi edhe dhëmbët.

Ndryshe nga shumë vende të Evropës, Mbretëria e Bashkuar mund të përfitojë nga 4 vite të tjera të Trump.

Ai ishte një tifoz i Brexit, e shpalli BE-në “armike” dhe mbështeti hapur Boris Johnson.

 “Ai është miku im. Jam i prirur të mbaj miqtë më afër se armiqtë. Armiqtë duhet t’i shohësh në një mënyrë tjetër”, është shprehur presidenti Trump.

Në një kohë kur çmimi i madh i Brexit është marrëveshja tregtare me Amerikën, Londrën e ndihmon të pasurit një mik në Shtëpinë e Bardhë.

“Sa herë që shkoj në Uashington takoj politikanë nga të gjitha palët, ndaj jam besimplotë se marrëdhëniet do të jenë të mira dhe se një marrëveshje fantastike për tregtinë e lirë na pret. Deri tani është bërë shumë progres”, thotw Dominic Raab, ministër i Jashtëm i Britanisë.

Pushteti për të aprovuar një marrëveshje i mbetet Kongresit, ku demokratët kanë kontrollin e dhomës së ulët.

Të dy kandidatët kanë lidhje të ngushta me Irlandën, sidomos Biden, kushërinjtë e të cilit janë lutur që ai të fitojë.

Çështja delikate e kufirit në Irlandë dhe kërcënimi i Britanisë për të mohuar marrëveshjen që e mban të hapur, mund të errësojë ëndrrat e saj.

Në shtator, Biden paralajmëroi se çdo akord tregtar duhet të bazohet në parandalimin e kthimit të një kufiri të fortë.

 Edhe pse është i paparashikueshëm, Donald Trump është mik i Britanisë. Me Joe Biden nuk ka ende një marrëdhënie dhe fillimi nuk duket i mirë. Ai është fans i rendit botëror dhe do të përpiqet të rivendosë urat me Evropën dhe ka gjasa të jetë i interesuar për një marrëveshje me tregun unik të BE-së.

E ashtuquajtura “marrëdhënie speciale” shkon përtej Brexit. Historikisht, Britania është aleati më i ngushtë i Amerikës në Evropë. Ndaj Uashingtoni mund të mbështetet tek Londra, kur mbështetja nga Parisi dhe Berlini nuk është e sigurt.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara