Mbi 3 mijë raste të reja me COVID-19, situatë shqetësuese në Serbi dhe Greqi

12 Nëntor 2020 | 18:16

Serbia dhe Greqia raportuan të enjten tjetër ditë të vështirë për sa i përket pandemisë së COVID-19.

Autoritetet serbe njoftuan për 19 viktima dhe 3,343 persona të diagnostikuar së fundmi me COVID-19, ndërsa ato greke për shifrat rekord të 50 viktimave dhe 3,316 rasteve të reja.

Vala e dytë e infeksionit ka vënë në alarm dy vendet fqinje, të cilat po planifikojnë masa të tjera shtesë.

Greqia, e cila ka një popullsi prej rreth 10 milionë banorëve – sa rreth trefishi i Shqipërisë, – ka pasur në total 66,637 raste me COVID-19, prej së cilëve rreth 10 mijë prej tyre kanë mundur të shërohen (rreth 15% e totalit), ndërsa 959 persona kanë humbur jetën deri më tani (vdekshmëria 1.4%).

Në spitale autoritetet raportojnë për 310 pacientë të intubuar dhe në gjendje të rëndë shëndetësore.

Pas një periudhe relativisht nën kontroll, në fundin e muajit tetor Greqia vuajti një valë të re me mbi 1 mijë raste në ditë. Rekordi qe shënuar më 5 nëntor me 2,915 raste ditore.

Situata duket e ngjashme edhe në Serbi. Pas rekordit prej 3,536 rastesh të reja, regjistruar të mërkurën, autoritetet shëndetësore raportuan sot për 3,341 raste të tjera.

Serbia, e cila ka rreth 7 milionë banorë – diçka më shumë se dyfishi i Shqipërisë, – numëron 73,765 raste me COVID-19, prej së cilave rreth 32 mijë janë mundur të shërohen (rreth 43.3% e totalit) ndërsa 955 kanë humbur jetën (vdekshmëria 1.29%).

Aktualisht janë 3,343 persona të shtruar në spitale, 151 prej së cilëve janë të intubuar.

Situata ka përshkallëzuar njësoj edhe në Serbi prej fundit të muajit tetor, kur prej 27 tetorit, për herë të parë u regjistrua një ditë me mbi 1 mijë raste të reja.

 

Lexoni gjithashtu:

Tetë viktima dhe 410 raste të reja me COVID-19 në Shqipëri

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Rreth 90 serbë dëbohen nga aeroporti i Tivatit, policia malazeze i cilëson rrezik për sigurinë

Rreth 90 shtetas të Serbisë janë dëbuar nga aeroporti i Tivatit dhe u është ndaluar hyrja në Mal të Zi, pasi konsiderohen “rrezik për sigurinë”,...
19:15 | 03/06/2026

Costa takohet edhe me Osmanin, në fokus hapat e Kosovës drejt integrimit evropian

Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani këtë të mërkurë është takuar me Presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa në kuadër të vizitës së tij në Prishtinë....
16:28 | 03/06/2026

PZAP gjobit Vetëvendosjen me 5,100 euro për përfshirjen e një fëmije në fushatë zgjedhore

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka aprovuar ankesat e paraqitura nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Instituti i Kosovës për Drejtësi kundër Lëvizja...
16:11 | 03/06/2026