“Nuk është një lojë” Euronews Albania sjell dëshmitë nga brenda COVID-2

15 Nëntor 2020 | 15:20

Euronews Albania ka hyrë brenda ambienteve të spitalit COVID-2, “Shefqet Ndroqi’. Gazetarja Dorina Halili pa nga afër sesi po kurohen pacientët e prekur me coronavirus, ndërsa u mësua se ky spital nuk ka psikologë, edhe pse aty kanë ndodhur tre vetëvrasje.

Përpara se t’u drejtohemi pavioneve nga ku po kurohen 190 pacientët me COVID-19 si fillim duhet të pajisemi me materialet e posaçme mbrojtëse. Kjo veshje të jep përshtypjen se po shkon në luftë me një armik që nuk përzgjedh dhe nuk po ndalet.

Korridoret e Sanatoriumit duken të qeta, por nëse kalon tek pavionet me shtretër, qetësia mbytet nga rënkimet e pacientëve të cilët ndodhen në faza të rënduara të sëmundjes.

Silvana Bala, shefe e Shërbimit të Pneumologjisë prej 9 muajsh tashmë në betejë të përditshme me Covid bën një thirrje për gjithë infektuarit që t’i drejtohen menjëherë spitalit nëse kanë probleme me frymëmarrjen.

“Mos të pranojnë këto të sëmurë të trajtohen në shtëpi për ditë të tëra, të vijnë sa më parë tek mjeku. Në këtë spital prej tetë muajsh janë shpëtuar me mijëra jetë, kemi pasur edhe humbje jete, të cilët për ne ka qenë dhimbje e madhe. Kjo pandemi ka marrë jetë, sepse vetëm për faktin që pacientët drejtohen me shumë vonesë tek mjeku. Kjo është një sëmundje që po u kap në stadet e para të saj trajtohet dhe është e suksesshme”, tregon znj. Bala.

Por frika është njerëzore jo vetëm në betejë me coronavirusin por edhe pasi kane ndodhur 3 vetëflijime pacientësh, të cilët nuk e përballuan dot luftën me Covid e pasojat e tij. 

Rëndesa psikologjike e pacientëve është e madhe, ndaj trajtimi me psikologë duhet të jetë një nga mënyrat e përkujdesjes.

“Është shumë i rëndësishëm dhe shërbimi psikologjik, për këtë kemi marrë masa që edhe spitali Shefqet Ndroqi tashmë prej disa kohësh ka psikolog”, ka deklaruar ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu.

Pavarësisht kësaj deklarate në spitalin Shefqet Ndroqi” nuk ka ende psikologë. Këtë boshllëk doktoreshë Bala pohon se po e mbushin vetë mjekët dhe infermierët.

“Struktura e psikologëve është shumë shpejt e ardhshme edhe në spitalin tonë. Them se efekti i mjekut psikolog nuk i mungon asnjërit, sepse boll ti një përqafim, një shtrëngim dore është shumë për këta pacientë. Them se edhe ky shërbim për të cilin juve flisni dhe keni shumë të drejtë, shumë shpejt do të vijë edhe do ta kenë”, shprehet ajo.

Shtretërit e këtij spitali janë të zënë me pacientë të cilët as nuk e kishin menduar se do të ishin prekur kaq shume nga covid, madje edhe staf mjekësor dhe sanitarë.

“Kam katër ditë, pesë ditë sot shyqyr Zotit jam pa simptoma, deri dje kam vrapuar me shoqet për të ndihmuar të sëmurët këtu dhe sot e kam zënë vetë krevatin. Djali natën e parë me thënë të drejtën e kishte si me frikë këtë pjesën e shtrimit”, tregon Pranvera Methasani, sanitare.

Ndërsa shtrimet e reja në spitale shtohen nga dita në ditë, edhe puna për mjekët dhe infermierët dyfishohet. Të ngarkuar emocionalisht stafi mjekësor prej muajsh po përballet me orare të zgjatura pune.

“Me thënë të drejtën është një situatë shumë e vështirë, anormale, nuk diskutohet është shumë emocionuese duke marrë parasysh gjendjen e pacientëve. Na ka shprehur shumë emocione. Vështirë për ato vështirë për neve, vështirë për mjekët, për të gjithë është shumë vështirë, situatë jashtëzakonisht shumë e vështirë”, tha Sexhinaj.

Aktualisht nga 210 shtretër në dispozicion, 190 prej tyre janë të zënë e në këtë valë të egër covidi, duket se është çështje ditësh që kapaciteti spitalor i Sanatoriumit, të ezaurohet.

Sa i përket respiratorëve, ky spital ka rreth 35 të tillë. Në ditët e para të pandemisë ishin shumë më pak dhe ashtu si shume vende te tjera spitalet u gjenden të papërgatitura.

“Këto janë aparatet që bëjnë suportin e të sëmurëve, që mbajnë të hapura rrugët e frymëmarrjes, e kanë të nevojshme këtë aparat. Neve kemi mbi 35 respiratorë të tillë, të cilët janë në dispozicion për të sëmurët në gjendje të rënë. Kemi nisur në prill me 5 ose 7 respiratorë”, shton infermierja.

Fluksi në rritje i pacientëve për kujdes shëndetësor do të përballohet edhe me një tjetër pavion.

“Në rastin e një fluksi shumë të madh të pacientëve të Tiranës, gjë e cila po shihet se ka një numër në rritje do jetë porta e fundit hapëse për t’u shërbyer këtyre pacientëve. Është mbajtur për raste ekstreme. Ka 35 shtretër”, shprehet doktoreshë Bala.

Pacientët e ndodhur në fazat e para të sëmundjes arrijnë të komunikojnë personalisht me familjarët përmes telefonave të tyre. Ndërsa për ata në faza të rënduara do duhet ndihma e mjekut.

Vetëm kur je në shtratin e spitalit e kupton sa të rëndësishme janë thirrjet për higjienë, distancim fizik e mbajtje maske. Pacientët bëjnë thirrje për kujdes! 

“Gjithsekush të jetë doktor i vetes, se nuk është lojë kjo, është shumë e padukshme por vetëm kur shpërthen, njerëzit duhet të ruhen, kushdo duhet ta kuptojë që është e rëndë, vetëm kur e provon e kupton”, shton znj. Bala.

Me një ngarkesë emocionale të shtuar, kjo ishte situata në pavionet ku po kurohen pacientët me covid. Euronews Albania arrit të hyjë brenda këtij spitali pas një sërë kërkesash drejtuar Ministrisë së Shëndetësisë.”

Brenda mureve të spitalit luftohet për të shpëtuar jetë, ndërsa jashtë dyerve familjarët rrinë në pritje të një lajmi të mirë për gjendjen shëndetësore të te afërmve, shoqëruar dhe me dyshimet dhe paragjykimet ndaj sistemit shëndetësor shqiptar të cilit i duhet të punojë në kushte dhe orare të pazakonta.

 

Lexoni gjithashtu:

Ish-trajneri i kombëtares, Roland Avrami i shtruar në spital: Asnjëherë se kisha menduar

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Mot i keq në Shkodër, autoritetet apel qytetarëve: Shmangni zonat me risk

Territori i Bashkisë së Shkodrës është përfshirë mbrëmjen e së martës nga reshje të denduara shiu, ndërsa autoritetet lokale bëjnë me dije se strukturat e...
23:16 | 03/06/2026

Qytetarët bllokojnë rrugën pranë selisë së PS-së, thirrje të rinjve: Ngrihuni nga kafet

Edhe pse protesta e qytetarëve u njoftua se është mbyllur pas disa orësh, dhjetëra të rinj kanë shkuar pranë ambienteve të selisë së PS-së. Ata...
22:28 | 03/06/2026

Debat në “Now”, Nurellari: Duhet mbrojtur natyra! Ish-ministri Bajrami: Ka tentativë për destabilizim, Koka: U derdh gota e durimit

Politologu, Adri Nurellari i ftuar këtë të mërkurë i ftuar në emisionin “Now” me Erla Mëhillin në Euronews Albania ka folur lidhur me protestat e...
22:14 | 03/06/2026